Prishtinë, 28 prill 2026
Të dashur qytetarë,
Të nderuara media dhe gazetarë të pranishëm,
Konsideroj se është bërë mjaftueshëm e qartë që opozita në Kosovë, nuk ka qëllim tjetër përveçse bllokimit. Tash e sa kohë sjelljet e kësaj opozite janë kryekëput jo-shtetërore dhe anti-institucionaliste. Ajo është e interesuar vetëm një gjë: bllokimin e qeverisjes sonë, e cila në këtë mandat ka rezultat historik. Në këto rrethana e gjithë kjo bllokadë opozitare përmes bojkotit të seancave plenare nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe e vullnetit popullor të shprehur qartë me 28 dhjetor të vitit që lamë pas, si asnjëherë më parë me 51.1% për Lëvizjen VETËVENDOSJE.
Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër: për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit, përkatësisht përballjen me inflacionin 2.0, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe. Kurse për president nuk po vinë as në sallë.
Me bindjen e thellë që Kosovës nuk i duhen bllokadat e atyre 10 muajve të vitit të shkuar, me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, meqë kemi mbajtur mjaftueshëm të tilla në vitin 2025 dhe rezultati ka qenë i qartë, si asnjëherë më parë, ndërkohë që vendit do t’ia humbnim edhe së paku mbi 10 milionë euro pra, vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa përmendur dhjetëra milionë të tjerë të cilat humbin për shkak se nuk mund të bashkëpunojmë më bashkësitë ndërkombëtare siç duam, meqë nuk do të kemi Kuvend funksional dhe duke pasur parasysh edhe rrethanat e rënduara globale ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendi ynë të mos shkojë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme.
U përpoqëm për një kandidat konsensual, por ishte e pamundur.
I ftova disa herë në takim, kryetarin e LDK-së, Abdixhiku, kryetarin e PDK-së, Hamza. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, në vazhdimësi jam unë ai që kam ofruar propozime edhe me emra konkretë, patjetër me funksione për ta, por morëm veçse refuzime. Ne propozime, ata refuzime.
Të shtunën, e bëmë edhe një hap tutje, kërkuam nga subjektet politike PDK dhe LDK që së bashku të sillnin 3 emra ku përveç nënshkrimeve, njërin edhe do ta votonim. Ju e dini që as PDK, e as LDK nuk kanë deputetë për të propozuar kandidatë të tyre. LDK-ja mund të propozojë një gjysmë kandidati, sepse i ka 15-të deputetë, e nevojiten 30-të. Ndërkaq, PDK-ja mund të propozojë 2/3 e një kandidati, meqenëse i ka 22 deputetë e nevojiten 30-të. Por, ato të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat, e ne u thamë ja po bëhemi edhe ne bashkë me juve e le t’i propozojmë tre kandidatë, që të gjitha propozimet tuaja, ju propozoni emra, ne ua japim mbështetjen në seancë plenare.
Asnjë propozim. E shtymë afatin për t’iu dhënë kohë shtesë. Kot, sepse refuzim sërish.
Dje ftuam debat parlamentar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Ju e keni parasysh që më s’arrij as t’i takoj, filluan të refuzojnë edhe takimet me mua. Atëherë mirë pra, le të bëjmë debat parlamentar për situatën në të cilën ndodhemi. As në debat nuk erdhën. U detyruam të flasim ne me qytetarët, nuk erdhën në debat, nuk erdhën në takim, nuk erdhën në debat. Ne propozime, ata refuzime.
Dy kandidatët, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollcaku u hapën rrugë duke u tërhequr nga kandidatura. Edhe një hap tjetër u bë mbrëmë, në këtë mënyrë edhe një mundësi për propozime të reja nga opozita. Sërish asgjë. Refuzim përsëri.
Në këto rrethana, me qëllim që vendit t’i japim President të ri, që institucionet të mos kenë nevojë për një rilegjitimim të tyre përmes një procesi të ri zgjedhor nga i cili ka fare pak muaj që kemi dalë tashmë, ofruam edhe dy propozime tjera, ku së paku për njërën prej tyre ka konsensus shoqëror për atë që përfaqëson. Si kandidate nxorëm dy gra, profesoreshën Hatixhe Hoxha dhe doktoreshën Feride Rushiti.
Kur zonja Feride Rushiti nderohej e nominohej për çmime prestigjioze dhe ndërkombëtare, shumë deputetë opozitarë mburreshin me të përmes postimeve në rrjetet sociale. Besoj që i keni pa edhe ju duke e lavdëruar Feride Rushitin, deputetet aktuale të Kuvendit të Republikës. Ta zëmë postime si ajo e ish-shefes së grupit parlamentar të LDK-së, znj. Hykmete Bajrami apo postime si ajo e nënkryetares së Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku. PDK lëre që nuk u mjaftua me refuzimin e pozitës së Kryeparlamentarit, si ofertë nga ne, por sot doli pikërisht përmes Vlora Çitakut duke kërkuar tërheqjen e zonjës Rushiti nga kandidimi. Merreni me mend, ua kemi ofruar kryeparlamentarin kanë thënë jo, e kanë lavduar zonjën Rushiti, e propozuam për presidente, këta kërkojnë tërheqjen e kandidaturës.
Si është e mundur gjithë ato vargje për zonjën Rushiti nga kjo opozitë dje, e sot nuk e marrin as mundin të vijnë në sallë teksa struken nëpër zyret e grupeve të tyre parlamentare. Refuzim që të marrin përgjegjësi e pushtet dhe thirrje të tjerëve për bojkotim të institucioneve. Madje, duke dërguar edhe kërcënime ndaj një gruaje që gjithë jetën e ka kaluar në mbrojtje të viktimave. Kjo vërtetë është e turpshme.
Unë dua ta falënderoj doktoreshën Feride Rushiti për gatishmërinë e saj që vendin ta nxjerrë nga ky ngërç, nga kjo krizë dhe që Kosova të mos shkojë sërish në zgjedhje. Por, kjo duket e pamundur me subjekte politike, lider partish që e kanë humbur arsyen dhe kanë vendosur inat jo vetëm me ne, por edhe me vetë popullin e Kosovës që nuk po i voton më shumë, e po i voton gjithnjë e më pak.
Më lejoni që krejt shkurtimisht t’i numëroj disa fakte nga biografia e zonjës Feride Rushiti, të cilën ende kemi mundësi ta kemi Presidente dhe padyshim që do të ishim të nderuar si institucione dhe si shtet:
Feride Rushiti ka lindur më 12 shtator 1970. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, me specializim në gastroenterologji.
E nominuar për Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2025, Feride Rushiti, përfaqëson një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.
E nderuar me çmimin Evropianja e Vitit nga zyra e BE-së në Kosovë.
Gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), ajo ka shërbyer si mjeke në kampet e refugjatëve në Shqipëri, duke trajtuar persona të prekur nga dhuna dhe trauma.
Puna e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 18,000 përfituesve, përfshirë mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, një nga kategoritë më të stigmatizuara në shoqërinë kosovare.
Ajo ka ndarë përvojën e Kosovës si model për vendet që përballen me pasojat e konflikteve, përfshirë Irakun, Ukrainën dhe Kolumbinë.
Padyshim, që doktoresha Rushiti është lidere në shoqërinë tonë civile. Ajo është vlerësuar për këtë edhe me çmimin prestigjioz International Women of Courage Award, i akorduar në vitin 2018 nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shenjë njohjeje për guximin dhe përkushtimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Pra, kandidate jopartiake, më përfaqësuese, më konsensuale, profesionalisht e kombëtarisht, me një kauzë fisnike, e përgatitur dhe me emër të njohur ndërkombëtarisht, sesa Feride Rushiti në këto rrethana vështirë të gjendet.
Për fund, para se t’ua jap fjalën juve për pyetje, unë e kam edhe një herë thirrjen për opozitën, të vijnë në Kuvend, sepse Kuvendi është shtëpia e deputetëve, të ofrojnë zgjidhje sepse këto bllokime nuk çojnë askund dhe të marrin pjesë siç i kanë votuar qytetarët që përfaqësohen prej tyre, sepse nuk i ndihmojnë institucioneve dhe shtetit të Kosovës me bojkot e bllokim.
Edhe një herë në seancën e orës 19:00, presim në këtë vazhdim të kemi edhe deputetët e opozitës të cilët e kanë vendin në Kuvend.
Faleminderit!


