Prishtinë, 27 prill 2026
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
E nderuara kryetare e Kuvendit dhe njëherazi ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitet të plotë qeverisës, të Kuvendit si dhe të institucionit të Presidentit.
Dështimi në zgjedhjen e presidentit e dërgon vendin në zgjedhje të reja, të cilat, duke përfshirë ato lokale vitin e kaluar, do të ishin të 5-tat me radhë brenda 16 muajve. Pra pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje mesatarisht.
Zgjedhjet e reja padyshim që do të frenojnë punën e Qeverisë, do të pamundësojnë praktikisht Kuvendin dhe presidentin, duke vonuar edhe progresin në çdo sektor të jetës shtetërore e shoqërore.
Prandaj, në përputhje me interesimin e qytetarëve dhe me interesin e përgjithshëm publik, do të flas për këtë çështje sa më qartë që di e mundem, ashtu që asnjë njeri të mos arrij të keqkuptojë apo të keqcitojë.
I.
Së pari, janë bërë 75 ditë, pra dy muaj e gjysmë që nga krijimi i Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të përgjithshme, të parakohshme të 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Rezultatet e zgjedhjeve u certifikuan me 9 shkurt. Ndërkohë, vetëm dy ditë më pas, me 11 shkurt, u konstituua Kuvendi me zgjedhjen e plotë të kryesisë dhe u formua Qeveria e re po të njëjtën ditë.
Ato dy ditë ndërmjet certifikimit dhe konstituimit ishin të nevojshme vetëm për procedurë. Nuk kishte, në fakt, asnjë vonesë.
Po e filloj me këtë me qëllim dhe vetëdije, sepse akuzat se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta.
Nuk ka pasur, as në mars të vitit 2021 dhe as në shkurt të vitit këtij viti asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur.
Sapo është certifikuar rezultati, është marrë përgjegjësia. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme.
E kundërta ndodhi, siç e dini, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në vitin që shkoi.
Lëvizja Vetëvendosje me koalicionin qeverisës asokohe pësoi rënie në ato zgjedhje për disa vende.
Kjo rënie u reflektua qysh në ditën e parë të punimeve të legjislaturës së IX-të, ku u bllokua certifikimi i listës së deputetëve, deputetë të cilët tashmë ishin certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kjo bllokadë, pastaj u zgjerua dhe vazhdoi me bllokimin e zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, gjatë gjithë pranverës e deri në fund të verës që shkoi.
Bllokada ishte njëkohësisht e panevojshme dhe e paarsyeshme.
E panevojshme, sepse Vetëvendosja i kishte ofruar Kuvendit kandidaten gruan më të votuar në zgjedhje, njëjtë siç ka bërë edhe këtë vit, ku ajo tani është jo vetëm kryetare e Kuvendit por edhe ushtruese e detyrës së presidentit.
Pra, objektivi që opozita pretendon që ndjek, përfaqësimi i grave dhe i vullnetit qeveritar, Vetëvendosje e kishte ofruar duke nominuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Duhet ta kujtojmë këtë epizodë, sepse kryetarja e tashme e Kuvendit, Albulena Haxhiu ishte propozuar për kryetare vitin që shkoi me 19 prill. Një vjet e 8 ditë, para një viti e 8 ditëve është propozuar Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.
Nga ajo ditë deri me 9 shkurt të këtij viti kur znj. Haxhiu u zgjodh kryetare kaluan plotë 298 ditë ose 10 muaj. Pyetja është se kujt i shërbyen këto 10 muaj bllokadë?
Bllokada ishte përveçse e panevojshme edhe e paarsyeshme, sepse duke bllokuar Kuvendin, opozita bllokonte edhe vetveten dhe nuk lejonte rrjedhjen e afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë që ajo duhet ta mbajë llogaridhënëse.
Qëllimi i bllokadës së vitit të kaluar ishte për ta dëmtuar subjektin fitues, por ajo në fakt rezultoi në dëm të qytetarëve dhe të shtetit. E njëjta logjikë po ndjeket edhe sot.
Për të mbështetur këtë bllokadë juridikisht, opozita e përdori dhe testoi deri në kufi Gjykatën Kushtetuese.
Kosova pagoi çmimin e asaj bllokade me dy raunde zgjedhjesh parlamentare brenda një viti, me muaj të humbur pune parlamentare dhe me miliona euro të buxhetit shtetëror të shpenzuara për zgjedhje të panevojshme.
Shpresoj sinqerisht që ky mësim i shtrenjtë nga viti i kaluar të shërbejë si precedent i qartë për të ardhmen.
II.
Së dyti, është e rëndësishme të kujtojmë se përse vendi shkoi në zgjedhje në fund të vitit që shkoi.
Vendi shkoi sërish në zgjedhje pas vetëm 10 muajsh kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, sepse nuk pat vullnet nga opozita për të bashkëpunuar, për të formuar koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Le ta shqyrtojmë këtë pjesë me kujdes, sepse edhe këtu ka keqinformim sistematik e manipulim me të vërtetën.
Vitin e kaluar, Nisma Socialdemokrate, e cila e kishte kaluar pragun zgjedhor bashkë me AAK-në dhe kishte siguruar 3 deputetë, u shkëput nga koalicioni i saj duke sinjalizuar që është e gatshme për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar 48 deputetë dhe i bëmë ofertë kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, në përputhje me rezultatin zgjedhor dhe me parimin e respektit të peshës politike. Kishte tre deputetë. Ofertën tonë e refuzoi.
Pra 48 deputetë Lëvizja Vetëvendosje, 3 deputetë Nisma Socialdemokrate, por refuzoi që të bashkëpunojmë e të merremi vesh dhe vendit t’i jepnim Qeveri.
Pastaj, duke qenë se marrëveshja politike ishte e domosdoshme për formimin e Qeverisë, unë i bëra ftesë po ashtu dy herë Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja refuzoi në mënyrë konsistente.
Ishin këto refuzime për marrëveshje politike që e quan vendin në zgjedhje të reja në dhjetor të vitit që shkoi. Rezultati i atyre zgjedhjeve, ku qytetarët e dhanë gjykimin e tyre demokratik, tashmë dihet nga të gjithë.
Por, para se të kaloj te çështja e zgjedhjes së presidentit sot, e konsideroj të nevojshme të flasë me kujdes për konceptin e marrëveshjes politike dhe të kompromisit midis partive, sepse këto fraza janë keqpërdorur rregullisht nga partitë opozitare, saqë qytetarët tashmë padyshim e meritojnë një shpjegim të ndershëm dhe të qartë.
Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në një demokraci.
Por, kompromisi në një demokraci duhet të jetë demokratik. Pra, kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike.
Kompromisi i vërtetë, ai i cili u shërben qytetarëve, ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme: së pari, mbi respektin për rezultatin e zgjedhjeve, pra respektin e vullnetit të qytetarëve dhe peshës politike që ata i kanë dhënë secilit subjekt; dhe, së dyti, mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedh nga angazhimi publik dhe nga fakti që je përfaqësues i zgjedhur i popullit.
Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet. Rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet.
Dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim. Një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj.
Nëse ka një nënshtrim ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e secilit subjekt politik duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare.
Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës “nënshtrim”, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve.
Kompromisi nuk do të thotë as që fituesi i zgjedhjeve t’i nënshtrohet kërkesave të pa arsyeshme të atyre që kanë humbur zgjedhjet. Por, kompromisi nuk është as barabarësi artificiale mes të pabarabartëve nga një rezultat zgjedhor. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor, duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale.
Vitin e kaluar Nisma Socialdemokrate me 3 deputetë sillej sikur t’i kishte 48. Ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës përbuzi çdo ofertë që ia bëmë, duke refuzuar edhe takimet.
Për ta bërë të qartë këtë parim me shembullin më konkret, më duhet të kthehem në vitin 2019 dhe te zgjedhjet e 6 tetorit atë vit. Pas zgjedhjeve, Vetëvendosja kishte vetëm 1% epërsi ndaj LDK-së. Rezultati ishte i ngushtë dhe situata e ndërlikuar. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje veproi menjëherë sipas peshës që qytetarët na patën dhënë ku e ftuam LDK-në në koalicion dhe u ulëm për të lidhur marrëveshje politike me takime të dendura e negociata të vazhdueshme.
Pozitat në kabinetin qeverisës i ndamë në përputhje me rezultatin zgjedhor. Nuk kishte vonesa dhe kishte respekt për mandatin e marrë prej qytetarëve.
Ata që sot thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike dhe nuk mund të qeverisë në koalicion, nuk e thonë të vërtetën. Vetëvendosja, që nga zgjedhjet e vitit 2021, çdoherë ka hyrë në zgjedhje para së gjithash me koalicion parazgjedhor.
Koalicionet parazgjedhore janë formë e ndershme e marrëveshjes politike, sepse qytetarët e dinë paraprakisht se kush do të qeverisë bashkë.
Por, ne kemi koalicione parazgjedhore që s’po lidhen, por që po dihen që janë koalicione pas zgjedhore. Dhe këtu është një pjesë e madhe e arsyes së bllokadës. Pikërisht sepse ka preferenca për koalicione të padeklaruara.
Kjo është kronologjia e fakteve. Të tjerat janë supozime e manipulime, që njëjtë sikur vitin e kaluar, qëllim e kanë dëmtimin sadopak të subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje.
III.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Sot para nesh nuk e kemi as konstituimin e Kuvendit dhe as zgjedhjen e Qeverisë.
Kosova ka edhe Kuvend edhe Qeveri. Që nga 4 prilli, Kosova ka presidente në detyrë.
Çfarë kërkohet prej nesh sot është zgjedhja e presidentit të Republikës.
Zgjedhja e presidentit të Republikës është detyrim kushtetues i këtij Kuvendi. Jo i një partie. Jo i një koalicioni. I këtij Kuvendi, në tërësinë e tij.
Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka 120 deputetë. Nga këta, 20 janë vende të rezervuara për komunitetet jo shumicë, ndërkohë që komuniteti shumicë ka garuar për 100 vende.
Në ato 100 vende, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Partinë Guxo dhe me Partinë Alternativa ka fituar 57 vende ose 57%. Duke llogaritur edhe vendet e rezervuara, koalicioni ka fituar 51.1%.
Kjo është fitorja më e madhe, ky është rezultati më i lartë ndonjëherë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës.
Kjo fitore u përkthye në koalicion qeverisës, të votuar nga 66 deputetë.
Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit, kërkon që presidenti i Republikës të ketë mbështetje të gjerë. Rrjedhimisht, zgjedhja e tij është përgjegjësi e gjithë Kuvendit, jo vetëm e mazhorancës, jo vetëm e Qeverisë.
Megjithëkëto, fakti që presidenti zgjidhet nga deputetët dhe jo drejtpërdrejtë nga qytetarët, e bën zgjedhjen e tij realisht të varur nga pesha politike e subjekteve parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje ka peshën më të madhe dhe natyrshëm me peshën e madhe vjen edhe përgjegjësia e lartë. Por përgjegjësia nuk mund të ndahet nga pesha. Ato janë të pandashme.
Është e rëndësishme ta kuptojmë këtë parim me saktësi, pra “përgjegjësi sipas peshës”.
Kur një subjekt e ka peshën e plotë për të kryer një detyrë kushtetuese, atëherë me të drejtë i kërkohet llogaridhënia e plotë nëse ajo detyrë nuk kryhet. E tillë është Qeveria e Republikës, e votuar nga 66-të deputetë.
Por, nëse subjekti nuk ka peshën e plotë, atëherë llogaria ndahet me të tjerët -proporcionalisht.
Shembulli i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë e ilustron këtë parim me qartësi: atje kishim përgjegjësi të plotë, sepse kishim peshën e plotë. 66 vota mjaftonin për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë. Përgjegjësia pra, është e ndarë dhe proporcionale. Proporcionale sipas peshës politike. Kështu, pas Vetëvendosjes, ajo kalon tek PDK-ja subjekti i dytë me 22 deputetë dhe pastaj tek LDK-ja me 15 deputetë.
Në terma të përqindjes nga zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje i ka 51.1% të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por nuk e ka 100%.
Për zgjedhjen e presidentit, secili subjekt bartë peshën e vetë të përgjegjësisë por fakti që ke më pak deputetë nuk të bën të përjashtuar nga përgjegjësia.
IV.
Parimi se përgjegjësia duhet të ndahet sipas peshës, dhe se kompromisi demokratik duhet të ndërtohet mbi respektin e rezultatit zgjedhor do të duhej të rezultonte në praktikë në hapa konkret nga secili subjekt, jo vetëm nga ne.
Por, si është ushtruar kjo përgjegjësi në këta muaj e javë të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit.
Së pari, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me peshën më të madhe parlamentare, ka vepruar në përputhje me atë peshë.
Morëm iniciativën e parë, të dytën e të tretën. Çdo takim me krerët e opozitës është iniciuar nga unë si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe jo nga ata.
Unë kam pasur edhe gatishmërinë, edhe interesin edhe vullnetin edhe interesimin. Gjithmonë është dashur unë t’i ftoj në takime në mënyrë që të diskutojmë.
E në këto takime, përveçse nuk i ftonin ata, nuk pat as propozime konkrete prej tyre. Në mungesë të propozimeve konkrete, ne propozuam kandidatët tanë dhe atë në ditët e orët e fundit të afatit paraprak. Ju e mbani mend shumë mirë më pak se tridhjetë orë para mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit, Glauk Konjufca mori nënshkrimet për t’u kualifikuar si kandidat për president dhe më pak se 3 orë, para mesnatës me 5 dhe 6-të marsit, deputetja, doktoresha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku mori nënshkrimet për t’u kualifikuar si kandidate për presidente të Republikës. Deri në momentet e fundit kemi pritur për bashkëpunim e për marrëveshje.
Kur kandidatët tanë u refuzuan, ne hoqëm dorë dhe ju e dini që i ofruam opozitës të zgjedhë tre kandidatë konsensualë. Nuk kemi dashur asnjëherë me çdo kusht që si Lëvizje VETËVENDOSJE të jemi ne ata të cilët do të themi ja edhe presidenti është i Vetëvendosjes. Kjo ofertë ka qëndruar për shumë kohë, të mjaftueshme për t’u përgjigjur, mirëpo ende por s’kemi pranuar asnjë propozim siç e tha edhe shefja e grupit tonë parlamentar, Arbërie Nagavci.
Kjo është sjellja e një subjekti si Lëvizja VETËVENDOSJE në përputhje me përgjegjësinë që i takon dhe kjo është sjellja e këtyre subjekteve të tjera, të cilët po na e shpalosin papërgjegjësinë e tyre pa çka se janë pjesëmarrës në këtë Kuvend dhe institucionet duhet t’i konstituojmë së bashku.
Në anën tjetër, asnjëra nga subjektet opozitare, as PDK-ja me 22 deputetë, as LDK-ja me 15 deputetë, nuk ka marrë ndonjë iniciativë. Ndonjë propozim. Ndonjë emër.
Në këtë sallë e jashtë saj, e nëpër studio televizive, me zë të lartë pretendojnë se Vetëvendosje po i kapë të gjitha pozitat, por që, kur ju ofrua mundësia konkrete për t’u bërë pjesë e zgjidhjes, kanë zgjedhur heshtjen.
Kjo mospërputhje ndërmjet retorikës publike dhe veprimit konkret sigurisht që nuk i shpëton vëmendjes së askujt.
Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë në zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale.
Nëse pranojmë parimin se përgjegjësia shkon sipas peshës, atëherë PDK-ja me 22 deputetë dhe LDK-ja me 15 deputetë kanë një përgjegjësi reale dhe të matshme në këtë proces.
Është e vërtetë që asnjëra prej tyre nuk ka mundësi që të propozojë një kandidat, por së bashku do t’i kishin numrat për ta propozuar një kandidat.
Ne nuk ju kemi thënë bëhuni bashkë e propozoni një emër, ne ju kemi thënë bëhuni bashkë për të propozuar tre emra bashkë me neve e ku asnjëri prej tyre nuk jemi ne.
Merreni me mend, ne ua japim nënshkrimet për tre kandidatë, nuk kishim mundësi për katër, se katër herë tridhjetë bëjnë 120, kishim mundësi për tre kandidatë sepse Vetëvendosje, komunitetet joshumicë, përveç Listës Serbe natyrisht, PDK dhe LDK, së bashku i kalojnë 90-të deputetë dhe ne mund t’i kemi tre kandidatë dhe ku ka më mirë se t’i kishim tre kandidatë, ajo do të ishte garë e vërtetë. Dhe merreni me mend, tre kandidatë ku paraprakisht opozita e di fituesin, njërin prej tre kandidatëve që të gjithë i ka propozuar ajo.
Ne nuk ju thamë që s’jemi bashkë, ne ju thamë ju propozimet ne mbështetjen, ku ka më shumë gjenerozitet se kaq. Ne ua japim nënshkrimet, se ju i keni nënshkrimet veç për një kandidat. PDK-ja 22 edhe LDK-ja 15 bëjnë 37, këta veç një kandidati mund t’ia bëjnë nënshkrimet për aplikim. Po ja që këtyre që janë 37 edhe ne 66, bëjmë 103, nëse ka dikush ndonjë refuzim prapë jemi mbi 90-të. Vetëvendosja bashkë me PDK-në dhe me LDK-në mund t’ia japin nënshkrimet tre kandidatëve, ku për asnjërin prej kandidatëve ne nuk kërkojmë që të pyetemi.
Ne vetëm japim nënshkrime dhe në fund japim edhe votën, nuk mund ta gjeni askund në Evropë, por kisha thënë edhe në botë, ndonëse bota është shumë e madhe, që ka një subjekt që i ka fituar 51.1% edhe ju thotë partive opozitare më sjellni ju tre emra, ne ua mbushim aplikacionin dhe ne ua garantojmë fituesin, njërin prej tyre, kanë mundur të sjellin tre emra. A din çka do me thënë 66-të nënshkrime me i pas, për tre emra që i zgjedhin ata. Asnjë emër nuk e sollën asnjëherë dhe më besoni edhe në takime që kemi pas kurrë asnjë emër nuk e kanë përmendur ata. Më duhej unë të përmend emra sa me cyt imagjinatën në mënyrë që biseda të bëhet konkrete, të këtyre partive opozitare unë kam përmendur emra nëpër takime, ata s’kanë përmend emra. Unë kam përmend emra të atyre partive, më shumë se kaq çka mund të bëj?!
Vitin e kaluar Lidhja Demokratike e Kosovës e kaloi duke përsëritur një pozicion bllokues. Në publik predikonte që nuk mund të ketë votë pa marrëveshje politike e në të njëjtën kohë refuzonte ofertat për marrëveshje politike. Njëjtë po bënë edhe sivjet.
Atëherë kishim nevojë për votën PËR te Lidhjes Demokratike të Kosovës pasi nuk i kishim numrat për formimin e Qeverisë, ishim 56 nga 61. Njëherë unë e pastaj Glauk Konjufca, të dy 56 mbërrimë numrin.
Këtë vit, LDK-ja sërish po bënë bllokadën duke kërkuar marrëveshje politike të cilat i ka refuzuar. Unë i kam bërë ofertë konkrete LDK-së për marrëveshje politike për të bashkëqeverisur, paçka që i kemi 66 vota në Kuvend. Merreni me mend, mazhoranca që i ka 66 vota në Kuvend i ofron një subjekti për të cilin realisht në qeverisje nuk ka nevojë që të bëhet pjesë e Qeverisë, dhe jo çfarëdo oferte. Zëvendëskryeministrin e parë dhe katër ministri. Pra, në mungesë timen, kryetari i LDK-së, t’i udhëheqë mbledhjet e Qeverisë, lirisht Lidhja Demokratike e Kosovës, le t’i pyes kryetarët e partive popullore në familjen e së cilës bën pjesë në Evropë, qysh kryeministri Kurti e kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëkohësisht ia ka ofruar zëvendëskryeministrin dhe katër ministri edhe ky e ka refuzuar, çfarë do t’i thonë.
Kjo ka qenë një ofertë për bashkëqeverisje, thuajse kemi garuar në të njëjtën listë merreni me mend, sepse gjysmën e asaj çka i kam ofruar LDK-së, në fakt i ka në qeverisje Partia Guxo me të cilën kemi garuar bashkë. Merreni me mend, me Partinë Guxo, me të cilën kam garuar bashkë, Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kam dhënë dyfishin e ndonëse ajo ka garuar kundër nesh. Dyfishin e partnerit e ka pas ofertë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe e ka refuzuar.
Nëse e vendosim këtë ofertë në kontekstin e përgjegjësisë sipas peshës dhe kompromisit mbi parimin demokratik: LDK-ja ka 15 deputetë nga 120 ose 13.24% të Kuvendit.
Kompromisi i bazuar në peshën në Kuvend do të thotë se LDK-ja, sipas mandatit zgjedhor, ka të drejtë në pozita proporcionale me peshën që ka në Kuvend. Oferta e bërë asaj nuk ishte proporcionale. Ishte tepër e favorshme, e gjerë dhe e sinqertë. E megjithëkëto ajo u refuzua.
Pastaj propozuam një alternativë të dytë: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës do të merrte drejtimin e institucionit të dytë më të rëndësishëm kushtetues në vend.
Nëse e vendosim këtë ofertë në kontekstin e duhur historik: e njëjta pozitë, pra kryetar i Kuvendit, ishte pikërisht ajo për të cilën opozita e mbajti vendin peng gjatë gjithë vitit 2025.
Nëse ajo pozitë ishte aq e rëndësishme sa të justifikonte tërë atë kaos institucional vitin e kaluar, si shpjegohet që sot, kur ju ofrohet ajo pozitë, e quajnë të pamjaftueshme? Dhjetë muaj na kanë mbajtur të bllokuar për pozitën e kryetarit, pra qenka e rëndësishme, e tash po ua ofrojmë diçka të rëndësishme, jo tash na qenka e parëndësishme.
Kjo mospërputhje ndërmjet asaj çfarë kërkohej dhe asaj çfarë refuzohet sot, po ashtu nuk do t’i shpëtoj vëmendjes së askujt që ndjek me ndershmëri zhvillimet politike.
Ndërkohë, i kemi bërë ofertë edhe PDK-së, e cila e ka peshën e dytë në Kuvend pas Vetëvendosjes. Propozimi ishte i drejtpërdrejtë dhe konkret: një rrokadë institucionale ku kryetarja Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa qoftë kryetari i PDK-së, Hamza ose nënkryetarja aktuale e Kuvendit, Vlora Çitaku do të merrnin pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Edhe kjo ofertë u refuzua.
Nëse e vendosim edhe këtë ofertë në perspektivën e mandatit zgjedhor, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati, të tre nga Lëvizja VETËVENDOSJE, përveç meje, kanë secili individualisht më shumë vota se kryetari i PDK-së.
Ndërkohë, dhjetë kandidatë të Vetëvendosjes kanë secili më shumë vota se kryetari i LDK-së.
Kompromisi demokratik, të nderuar deputetë vendoset mbi peshën politike, ndërtohet nga pesha politike.
Ofertat që i kemi bërë janë më të gjera se sa pesha në Kuvend sepse asnjëra nga ofertat që kemi bërë nuk përfshin kërkesën për të votuar PËR në Kuvend. Në ju thamë ejani votoni ose Glaukun, ose Fatmiren, ose votoni kundër ose abstenoni. Nuk po kërkojmë mbështetje për ne, po kërkojmë mbështetje për funksionimin demokratik dhe konstituimin e institucionit të Presidentit të Republikës.
Pra, e kuptoni. Lëvizja Vetëvendosje ka ofruar edhe marrëveshje politike për bashkëqeverisje edhe alternativisht pozitën e kryetarit të Kuvendit vetëm e vetëm që opozita të marrë pjesë dhe ta hedhë votën për president.
Nuk kemi kërkuar të votojnë PËR për presidentin por vetëm të votojnë. Vetëm obligimin e tyre kushtetues, detyrën e tyre institucionale për çfarë i ka zgjedhur populli i Kosovës ta kryejnë. Të gjitha janë refuzuar.
Me 25 prill, pra para dy dite, ne e ndërmorëm edhe këtë hapin më të gjerë e më të pakrahasueshëm në historinë parlamentare politike, jo vetëm të Republikës së Kosovës: hoqëm dorë tërësisht nga kandidatura dhe e ftuam LDK-në dhe PDK-në që bashkërisht t’i propozojnë ata tre emra.
Dhe këta emra të jenë unifikues, konsensual, me merita, vlera, kontribut profesional qytetar, kombëtar, dhe të jenë jashtë skenës aktuale politike, jashtë këtyre polemikave që fatkeqësisht për së tepërmi e karakterizojnë ambientin politik në Kosovë. Unë besoj që në Republikën e Kosovës, ka shumë profesore e profesorë, ka shumë personalitete e figura që do t’i bënin nder Republikës, por edhe do të ishin në lartësinë e përgjegjësisë duke u bërë presidente ose president të Republikës. Dhe ne i kërkuam tre emra, të përveçëm nga PDK dhe LDK, kanë mundur ta kenë secili nga një emër dhe një emër që s’është i asnjërit, por ne ua garantuam nënshkrimet për aplikim dhe gjithashtu votën për zgjedhje në fund.
Këta emra do të duhej të ishin figura unifikuese dhe të cilët janë të dëshmuar në shoqërinë tonë. Me atë rast, porsa t’i kishim marrë ne këta emra, kandidatët aktualë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku do të tërhiqeshin.
Z. Konjufca, personi i dytë më i votuar në historinë parlamentare të Republikës, ish kryetar i Kuvendit dhe person me integritet të lartë dhe me konsensus të gjerë, me mendje të thellë e dije po ashtu të gjerë, është tërhequr në favor të figurave konsensuale që mund të propozohen nga opozita. Vet publikisht Glauk Konjufca tha veç na e sillni një figurë konsensuale dhe mandej e bëri edhe hapin tjetër, veç na i sillni tre emra dhe ne po tërhiqemi. Një herë ofroi tërheqjen në rast të figurës konsensuale e më pastaj ofroi tërheqjen, në rast se PDK dhe LDK na i sjellin tre emra, si subjekte opozitare për neve si mazhorancë, që thjeshtë edhe t’ua mundësojmë aplikimin edhe t’ua garantojmë zgjedhjen njërit prej tyre.
Nëse kjo ofertë do të pranohej, presidenti i ardhshëm i Republikës, në thelb, do të ishte zgjedhje e opozitës, e mbështetur nga mazhoranca. Sot, opozita ka mundur ta ketë presidentin e vet. Ata tre emra, ne e garantojmë zgjedhjen e njërit prej tyre. Por, u refuzua.
Opozita ka refuzuar të ketë president konsensual, jashtë skenës politike të deritashme që e propozon vetë ajo.
Kjo ofertë, nëse do të analizohet me sinqeritet dhe pa paragjykime, e kalon çdo standard të kompromisit demokratik të bazuar në peshë politike.
Vetëvendosje me 66 vota e me 51.1% të mandatit popullor, me fitoren më të lartë historike – po i ofronte opozitës, PDK dhe LDK me gjithsej 37 deputetë, zgjedhjen e presidentit që ata e propozojnë.
Pra, shumica po i jep pakicës jo vetëm të drejtën e propozimit të presidentit, por edhe ekskluzivitetin e propozimit edhe votat për të.
Megjithkëto, deri sot, asnjë propozim konkret nuk na ka ardhur. Mbrëmë, kemi ripërsëritur ftesën dhe sërish asnjë përgjigje pozitive.
Krerët e PDK-së dhe LDK-së bëjnë deklarata në media e në rrjete sociale, madje edhe me propozime partiake, por asgjë zyrtare, asgjë konkrete, asnjë emër konsensual nuk erdhi as privatisht e as publikisht.
Kjo situatë, me këto pozicione kaq të paarsyeshme, e kërkon një shpjegim.
Nëse arsyeja e refuzimeve do të ishte se ofertat tona ishin të pamjaftueshme, sigurisht që do të kishte kërkesa. Nëse oferta jonë nuk është e mjaftueshme do të kishte kërkesa. Nuk pat as kërkesa. Pra, janë takuar me mua që të mos merren vesh, sepse kur takohesh dhe e dëgjon ofertën, nëse je i pakënaqur e shton kërkesën. Nuk ka ndodhë kjo.
Nëse arsyeja do të ishte që kandidatët e propozuar nuk ishin të pranueshëm, kanë mundur të më thonë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nuk vinë në konsiderim për neve do të kishin sjellur ata emra. Nuk kemi pasur asnjë emër. Asnjë emër zyrtarisht nuk na e ka sjellë as PDK-ja as LDK-ja, as privatisht as publikisht.
Nëse arsyeja do të ishte mosbesimi ndaj Vetëvendosjes si partner, atëherë oferta e fundit që bëmë ku presidenti do të zgjidhej nga opozita, do ta kishte eliminuar çdo dyshim në këtë drejtim. Paramendoni po të na vinin ata në sprovë neve me tre emra. S’po dua t’ju testojë tash çfarë emrash kam unë ndërmend. Kanë mundur t’i sjellin tre emra dhe të na testojnë, por nuk kanë qenë të interesuar, sepse s’kanë qenë asnjëherë me interesim për hapa përpara.
Nuk ka pasur as emra, as kundër oferta dhe as nuk po shfrytëzohet kjo oferta jonë e fundit.
Kjo mungesë e trefishtë lë vetëm një shpjegim të mundshëm: që problemi nuk janë ofertat dhe kandidatët.
Problemi është që nuk ka respekt ndaj verdiktit të popullit. Nuk po respektohet rezultati i zgjedhjeve.
Njëjtë si vitin e kaluar, qëllimi është që të dëmtohet Vetëvendosja si fituese, ashtu që të ketë sa më pak mandate dhe sa më shumë të duket që Kosova nuk është një vend stabil në kuptimin institucional.
Të them të drejtën, pas rezultatit të 28 dhjetorit unë kam menduar që është hequr dorë nga ky qëllim dhe se subjektet opozitare do të sillen mbi bazën e peshës së tyre elektorale, ndërkohë që do të përpiqen që maksimalisht të reformojnë vetën për zgjedhjet e ardhshme.
V.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Ka gjithashtu një paradoks tjetër në qëndrimin opozitar që e meriton vëmendjen tuaj.
Opozita ka bërë argument publik dhe të vazhdueshëm se nuk dëshiron që Vetëvendosja t’i mbajë njëkohësisht tri pozitat kryesore shtetërore: kryeministrin, kryetaren e Kuvendit, presidentin e Republikës.
Mandatin që shkoi, 2021 – 2025 koalicioni parazgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe GUXO i kishte të tria pozicionet. Pra, ne kishim këto tre pozita. Ky konstatim nuk është asgjë e re.
Ndërkohë që në historinë e parlamentare të Republikës së Kosovës pozita e presidentit është ushtruar, me përjashtim të një rasti, çdoherë nga një figurë partiake, kryesisht nga LDK por edhe nga PDK e ku njëkohësisht kanë pasur edhe dy pozitat tjera si koalicion qeverisës – kryeministrin dhe kryeparlamentarin.
Por, pasi e kanë kthyer në argumentin e tyre kryesor, për të bojkotuar zgjedhjen e presidentit, ne ju ofruam ofertë të dyfishtë që të mos i kemi të tri pozitat.
Oferta e parë për PDK dhe LDK është që ato të marrin pozitën e kryetarit të parlamentit. Është refuzuar.
Oferta e dytë është që ato të propozojnë kandidatin konsensual për president. Edhe kjo është refuzuar.
Pra, me 66 deputetë Lëvizja Vetëvendosje, në praktikë ka hequr dorë nga njëra prej tri pozitave, të kryetarit të Kuvendit apo të presidentit në favor të kompromisit për zgjedhjen e presidentit.
Por është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ndodh nëse nuk e zgjedhim presidentin dhe vendi shkon në zgjedhje.
Kryetarja aktuale e Kuvendit, sipas Kushtetutës, do ta ushtrojë detyrën e presidentes deri në zgjedhjet e reja, deri sa të zgjedhet presidenti i ri, pra Vetëvendosje do t’i mbajë tri pozitat edhe gjatë periudhës zgjedhore.
Nëse ka pengesa të ndryshme procedurale apo të tjera, deri më datën 4 tetor, Albulena Haxhiu është presidente. Nëse kemi zgjedhje dhe pas atyre zgjedhjeve e zgjedhim kryetarin e ri të Kuvendit ose kryetaren e re të Kuvendit, ai person bëhet sërish ushtrues detyre i presidentit.
Pra, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të mbajë të tri pozitat përgjatë një cikli maratonë të zgjedhjeve, në vend që të mbajë dy siç është oferta tash dhe nëse propozohen kandidatë konsensualë.
Ne po dëshirojmë ta zvogëlojmë pushtetin tonë, ata s’po na lënë. Paradoks në parlamentarizmin e Republikës së Kosovës sikur ky nuk kemi parë. Ne po themi merreni kryetarin e Kuvendit, po thonë jo. Propozojeni presidentin ne ua mbushim nënshkrimet që u vyjnë dhe në fund ua votojmë, po thonë jo. Po ju s’bon me i pasë tri pozitat, a në ndërkohë ne i kemi tri pozitat. Cili është kuptimi i kësaj? Ne i kemi tri pozitat. Ne po themi merreni ja kryetaren e Kuvendit, ja presidentin. Po thonë jo. Po s’bon ti me i pasë tri pozitat, a ne po thonë s’po i marrim.
Pas zgjedhjeve të reja ushtrues detyre i presidentit sërish do të jetë kryetari i Kuvendit, e kryetari i ri i Kuvendit, do t’i takojë sërish grupit parlamentar më të madh të deputetëve, pra Vetëvendosjes. Asgjë s’ndryshon. Prapë do t’i kemi tre pozitat. Aman na ndihmoni që të mos i kemi tri pozitat. Ne po kërkojmë mbështetjen, ndihmën e opozitës, boll na dalin dy pozita neve, nuk i dojmë tri.
Të dashur deputetë të opozitës ejani. Ejani na ndihmoni që të mos i kemi tri pozitat. Se ne tash i kemi tre pozitat.
Cila është baza për pajtim që opozita e ka në mendje për zgjedhjen e presidentit, kur dihet që sërish rezultati do të jetë i përafërt? Pse duhet zgjedhje të reja për rezultat të njëjtë, për mos ndryshim situate?
Është me vend të kujtojmë edhe diçka tjetër: për herë të parë në historinë e Kosovës, Qeveria në mandatin tonë paraprak apo Kurti II, siç thuhet në mënyrë të popullarizuar e përfundoi mandatin e plotë katërvjeçar. Ju e dini që në ditën kur unë i kam mbushur tri vjet qeverisje dhe kemi hyrë në vitin e fundit të qeverisjes menjëherë kam filluar komunikimin edhe me opozitën që të caktojmë datën e zgjedhjeve. Unë nuk kam qenë i interesuar që të qeverisi as katër vjet. Dhe a e dini çfarë, jo që u bënë katër po u bënë pesë. Pas 22 marsit të vitit 2024, shumë shpejt kam mbajt një konferencë për media ku kam thënë që bashkë me PDK edhe me LDK jam i interesuar ta caktojmë datën e zgjedhjeve të reja. Por kot. Nuk ishin të interesuar për zgjedhje të reja, ndonëse opozita do të kishte interes t’ia shkurtonte mandatin qeverisjes. Mandati shkoi deri në fund dhe jo vetëm kaq u vazhdua edhe një vit si qeverisje në detyrë.
PDK-ja dhe LDK-ja, partitë që sot flasin për stabilitet institucional, nuk kanë arritur asnjëherë të përfundojnë një mandat të plotë qeverisës. Ndërkohë që ne bëmë edhe më shumë se kaq.
Zgjedhjet janë, të dashur qytetarë e të nderuar deputetë, një herë në katër vjet e jo dy herë në vit. Ciklet zgjedhore të Republikës normale, të një demokracie institucionale janë një herë në katër vjet, e jo dy herë në vit. Por, opozita nuk është e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, prandaj edhe nuk po e respekton këtë rezultat.
Të kërkosh zgjedhje të reja sepse nuk je i kënaqur me rezultatin që e ke marrë para tre muajve, është sulmi më i rëndë ndaj stabilitetit të institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje ka ofruar marrëveshje politike, ka ofruar kompromis. Ka ofruar edhe kryetarin e Parlamentit, edhe Presidentin, që vendi të mos shkojë në zgjedhje të panevojshme. Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të heqë dorë nga mandati për të qeverisur të cilin ja kanë dhënë qytetarët e Republikës. Ne kemi hequr dorë nga presidenti duke ja ofruar mundësinë opozitës që të zgjedh tre emra konsensualë dhe më shumë se kaq nuk mund të bëjmë.
Do të vazhdojmë të qeverisim mbarë e mirë për interesin e përgjithshëm publik dhe unë ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe mbështetjen.





