Prishtinë, 27 prill 2026
Në shënim të 27 Prillit – Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë Gjatë Luftës në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënën Ferdonje, me familjarë të të pagjeturve, me ministra të kabinetit qeveritar dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës, vendosi kurora me lule të freskëta dhe bëri nderime pranë Monumentit dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se janë edhe 1565 të pagjetur, ndërsa u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar për zbardhjen e së vërtetës.
“Janë edhe njëmbëdhjetë varreza të tjera masive, përveç atyre pesë që tashmë janë zbuluar, e për të cilat Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar edhe nga vet ata publikisht se janë 16 varreza masive gjithsej. E vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar, në Batajnicë, i kemi 744 të pagjetur, të zhvarrosur prej atje, ndërkaq gjithsej deri më tani janë rreth 1000 shqiptarë, të cilët janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, tha ai.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Sot, në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë, bashkë me nënën Ferdonije, me familjarë të të pagjeturve, me kolegë nga Qeveria dhe Kuvendi, bëjmë nderime për të gjithë të zhdukurit, me ç‘rast edhe 1565 i kemi ende të pagjetur.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit tonë, bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e më të dashurve tanë, të cilët u rrëmbyen të gjallë a të vdekur nga forcat armike të Jugosllavisë së Serbisë të Millosheviqit.
Me këtë rast duhet të kujtojmë, që i fundit, i cili u varros, ishte djali i vogël 9 vjeçar, Sinan Dauti nga Prekazi, i cili në pranverën e vitit 1999 ishte i fshehur bashkë me nënën e tij dhe familjarë të tjerë në bodrumin e shtëpisë së tyre në Prekaz dhe në mënyrë mizore atë e përfshiu breshëria e plumbave të forcave të armatosura të Serbisë, që po shtinin mbi gratë e mbi fëmijët dhe me atë rast nëna e tij, nëna heroinë, Lumnija, e plagosur, e nxori Sinanin e vogël nga bodrumi dhe prej Prekazit e ka barut deri në Klinë të Ulët, e pastaj prej Klinës së Ulët e kanë çu në Skenderaj. Prej Skenderajt në spital në Mitrovicë, ku nuk i kanë lënë familjen dhe që prej atëherë ai figuronte i zhdukur dhe tash së fundmi u gjetën eshtrat e djalit të vogël 9 vjeçar, Sinan Dauti, dhe ai prehet i qetë në vendlindjen e tij.
Ne i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë, meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën.
Janë edhe njëmbëdhjetë varreza të tjera masive, përveç atyre pesë që tashmë janë zbuluar, e për të cilat Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar edhe nga vet ata publikisht se janë 16 varreza masive gjithsej. E vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar, në Batajnicë, i kemi 744 të pagjetur, të zhvarrosur prej atje, ndërkaq gjithsej deri më tani janë rreth 1000 shqiptarë, të cilët janë zbuluar në varrezat masive në Serbi.
Janë brigadat e caktuara të ushtrisë jugosllave. Janë njësitë e veçanta të policisë serbe, të cilët kanë marrë pjesë në masakrat e Serbisë në kuadër të fushatës së tyre gjenocidale në pranverën e vitit 1999. Atje ku është përgjegjësia, atje është edhe e vërteta, mirëpo ne nuk kemi juridiksion mbi Serbinë. Faktorët ndërkombëtarë, evropian dhe amerikanë duhet t’i bëjnë më shumë trysni Beogradit, ashtu që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësitë të dalin para gjyqit.
Edhe në Kosovë tash e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët e shumtë të luftës, qofshin ata urdhërdhënës apo ekzekutorë dhe për këtë Prokuroria Speciale e ka përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës. Gjithashtu edhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi janë duke punuar më shumë e më shpejtë se përpara, por unë besoj që duhet të punojnë edhe më shumë e më shpejtë seç po bëhet, meqenëse dëshmitarët po mplaken, shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja para drejtësisë e kriminelëve serbë të luftës.
Lavdi gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit dhe mirënjohje e pafund familjarëve që qëndrojnë kaq të fortë përkundër ankthit të përditshëm me të cilin bashkëjetojnë.









