Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Xhudo, Shtet, Kosovë: tri fjalë të cilat na flejnë në zemër gjithsecilit prej nesh

30 Shtator, 2022

Prishtinë, 30 shtator 2022

Pas miratimit në mbledhjen e Qeverisë të programit të sportit “Kosova, Shtet i Xhudos”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e lansimit të këtij programi, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Kurti falënderoi xhudistët për sukseset e tyre jo vetëm në Kosovë por edhe në arenën ndërkombëtare duke thënë se “Rezultatet e xhudos janë kryefjala e sportit vendor tash e 15 vjet; rezultate përmes të cilave identifikohemi secili prej nesh individualisht, por edhe si shoqëri në tërësi, e mbi të gjitha, si shtet”.

Më tej, kryeministri Kurti tha se sporti është dëshmuar si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të imazhit tonë shtetëror dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sporti në përgjithësi, e xhudoja posaçërisht, ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë përbrenda shoqërisë tonë, dhe krijimin e perceptimit pozitiv të opinionit të huaj për Republikën tonë.

Duke shprehur përkrahjen e Qeverisë, kryeministri Kurti tha se “Kosova, Shtet i Xhudos” është hapi konkret të cilin e kemi ndërmarrë si qeveri për të siguruar, jo vetëm vazhdimësinë e ndikimit të xhudos në promovimin tonë ndërkombëtar, por mbi të gjitha, zhvillimin maksimal të këtij sporti përbrenda Republikës së Kosovës. Atë çfarë xhudo i ka sjellur Kosovës ndër vite: shpresë, krenari dhe sukses – duam të sigurohemi se do të jemi prezent gjithmonë tek ne, dhe shumë gjatë edhe në arenën ndërkombëtare”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në ceremoni:

I nderuari ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj.Arbërie Nagavci,
E nderuara zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj.Daulina Osmani,
I nderuar kryetar i Komisionit Parlamentar, Ardian Gola,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të shtetit tonë,
Të nderuara kampione olimpike: Majlinda, Nora dhe Distria,
I nderuari President i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Ismet Krasniqi,
I nderuar Driton dhe xhudistë të tjerë kampion që jeni këtu sot me neve,
I nderuar Agron, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë të Japonisë dhe të Italisë, komuniteti sportiv dhe dashamirës të tjerë të sportit,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Përshëndetje të gjithëve,

Jemi mbledhur sot këtu për ta prezantuar pranë jush atë çfarë edhe e votuam sot në mbledhjen e 99-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga e cila erdha me nxitim, e kjo është programi i sportit “Kosova, Shtet i Xhudos”. Rezultatet e xhudos janë kryefjala e sportit vendor tash e 15 vjet; rezultate përmes të cilave identifikohemi secili prej nesh individualisht, por edhe si shoqëri në tërësi, e mbi të gjitha, si shtet.

Qysh në të kaluarën e viteve të 90-ta, pastaj edhe në periudhën pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e fuqishëm deri në ditët e sotme, sporti është dëshmuar si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të imazhit tonë shtetëror dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sporti në përgjithësi, e xhudoja posaçërisht, ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë përbrenda shoqërisë tonë, dhe krijimin e perceptimit pozitiv të opinionit të huaj për Republikën tonë.

“Kosova, Shtet i Xhudos” është hapi konkret të cilin e kemi ndërmarrë si qeveri për të siguruar, jo vetëm vazhdimësinë e ndikimit të xhudos në promovimin tonë ndërkombëtar, por mbi të gjitha, zhvillimin maksimal të këtij sporti përbrenda Republikës së Kosovës. Atë çfarë xhudo i ka sjellur Kosovës ndër vite: shpresë, krenari dhe sukses – duam të sigurohemi se do të jemi prezent gjithmonë tek ne, dhe shumë gjatë edhe në arenën ndërkombëtare.

Jam i nderuar dhe shumë i lumtur që sot po e shpalosim përmbajtjen e këtij programi, përmes së cilit synojmë që të fuqizojmë sportin si mjet për ndërtimin dhe ruajtjen e mirëqenies tonë shoqërore dhe ekonomike, si dhe kanal kryesor për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për herë të parë në Kosovë, sporti po zë vendin dhe po e merr trajtimin e merituar.

Programi ”Kosova, Shtet i Xhudos” është program i inicuar dhe hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkërendim me gjashtë institucione tjera relevante, dhe natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Xhudos së Kosovës.

Ky program i ka pesë shtylla të veprimit të cilat adresojnë komponentet bazë pa të cilat sporti nuk mund të zhvillohet, parasheh ndërveprimin e akterëve të shumtë për të siguruar zbatimin cilësor të tij, planifikimin buxhetor vjetor për qëndrueshmëri të programit, dhe ndërlidhjen e të gjitha këtyre që porsa i thashë për të siguruar se masovizimi, cilësia dhe promovimi rriten paralelisht pa e lënë asnjërën prej tyre mbrapa.

Përmirësimi i infrastrukturës fizike për zhvillimin e aktivitetit të xhudos dhe sporteve tjera luftarake, shtrirja e rezultateve të Pejës në xhudo në të gjitha komunat anembanë Kosovës, përmes rritjes së kapaciteteve të trajnerëve xhudistë, ofrimi i mundësisë dhe qasjes te të gjithë fëmijët dhe të rinjve tonë për të qenë aktiv në xhudo, mbështetja e nevojshme e sportistëve dhe trajnerëve të xhudos gjatë dhe pas karrierës sportive, si dhe promovimi përmes organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive në Republikën e Kosovës, janë këto shtyllat kryesore të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”.

Kësisoj, përveç që po sigurojmë zhvillimin e mirëqenies fizike dhe sociale përmes ndërlidhjes institucionale të arsimit me sportin, të sportit me shëndetin, mbrojtjen dhe sigurinë, njëkohësisht edhe po sigurohemi që xhudo do të vazhdojë të mbetet kryefjala e suksesit të sportit vendor dhe arma jonë e fuqishme e promovimit ndërkombëtar.

Ajo çfarë na mbetet është mobilizimi maksimal i të gjitha institucioneve publike, dhe organizatave sportive për zbatimin e programit shumë ambicioz “Kosova, Shtet i Xhudos”. Vullneti i hekurt dhe puna e pandalshme e ekipit të xhudos drejt rezultateve kulminante, le të jenë motiv dhe shembull i punës sonë të përbashkët për të ardhmen.

Kosova është shtet, ndërsa xhudo është sport. Xhudo, Shtet, Kosovë: tri fjalë të cilat na flejnë në zemër gjithsecilit prej nesh, e me të cilat identifikohemi dhe përfaqësohemi më së miri. Andaj, uroj që ky program të jetë i përhershëm e i përjetshëm, ashtu siç janë edhe sukseset e deritanishme të sportistëve tanë.

Falënderoj të gjitha institucionet e angazhuara për hartimin dhe zbatimin e programit, dhe një përshëndetje e veçantë për komunitetin e xhudos në Kosovë.

Ne vazhdojmë të përpiqemi që me sa më shumë angazhime t’a lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi si shtet ndaj jush.

Uroj që ky kapitull i ri i zhvillimit të xhudos në Kosovë të jetë rrugëtim i yni i përbashkët drejt rezultateve tuaja në të ardhmen.

Ju faleminderit shumë të gjithëve!

 

 

Last modified: 30 Shtator, 2022

Comments are closed.

×