Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 8-të të Qeverisë

Prishtinë, 3 prill 2026

Të nderuar kolegë zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues e punonjës të mediave,
Të nderuar punonjës të Kryeministrisë,

Po takohemi sot në këtë mbledhje të Qeverisë, të dytën brenda kësaj jave, për të marrë edhe disa vendime të tjera shumë të rëndësishme për vendin dhe veçanërisht për jetën e qytetarëve tanë.

Në mbledhjen paraprake, miratuam disa vendime me rëndësi, ndër të tjera Projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, vendimin për ndarjen e pagës së 13-të për punonjësit që marrin pagë nga buxheti i vendit dhe po ashtu për ndarjen e 500 mijë eurove për përfaqësuesen tonë në futboll.

Jemi mbledhur sërish, për të marrë tash vendime, të cilat gjithashtu nuk presin e të cilat gjithsesi lehtësojnë e begatojnë përditshmërinë e qytetarëve tanë.

Të nderuar qytetarë,

Që prej vitit 2020 kur filluam të qeverisim, por pastaj edhe nga viti 2021 e tutje kur u rikthyem në Qeveri, jemi përballur me sfida të mëdha globale, sfida këto, të cilat kanë vendosur në situata të rënduara edhe vendet më të zhvilluara. Por, ajo çka mund të them me bindje të plotë, është se secilës prej këtyre sfidave i jemi përgjigjur për së mbari, me seriozitet e sinqeritet dhe kemi ndihmuar secilën kategori shoqërore, natyrisht, më shumë për ata, të cilët kanë më shumë nevojë.

Në mandatin e kaluar krahas përgjigjeve tona me pakon për përballje me inflacionin, si masë urgjente në njërën anë, kemi nisur edhe iniciativën për krijimin e Ligjit, që në publik njihet si Ligji për Çmimet Tavan, në anën tjetër. Kjo, jo për të penguar rritjen e zhvillimin e askujt, përkundrazi, për të evituar keqpërdorimet në emër të krizave të vazhdueshme dhe rritjen apo fryrjen artificiale të çmimeve.

Por, ngjashëm sikur shumë iniciativa të tjera, edhe ky Ligj u pat sfiduar pas aprovimit në të dy leximet në Kuvendin e Republikës, në Gjykatë Kushtetuese nga ana e opozitës. Dhe, ja ku jemi, shumë shumë muaj pas, me kriza të reja në sfond global, që tash këto kriza e prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë. Andaj, sot po e risjellim për miratim këtë projektligj, që vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje, që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave efektivë për mbrojtje e ruajtje.

Me këtë ligj, ne nuk po hyjmë në tregun e lirë, por përkundrazi, po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi.

Ky projektligj vendosë një balancë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për të mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme. Ai krijon instrumente të qarta për ndërhyrje të përkohshme, të targetuara dhe të bazuara në evidencë, në fakte, duke shmangur deformimet afatgjata të tregut. Përmes këtij mekanizmi, sigurohet që çdo veprim i ndërmarrë të jetë proporcional dhe i justifikuar, në shërbim të stabilitetit ekonomik dhe mbrojtjes së konsumatorit. Njëkohësisht, ky ligj rrit parashikueshmërinë për bizneset dhe garanton rregulla të barabarta për të gjithë aktorët në treg. Në thelb, kjo është një politikë që ndërton një ekonomi më të qëndrueshme dhe një shtet më të aftë për të përballuar sfidat e kohës.

Ky ligj: garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize; pastaj, parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve; dhe më tej, siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet.

Për herë të parë, krijojmë një mekanizëm të pavarur, Bordin, i cili vendosë mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik, e kurrsesi të interesave të ngushta.

Le të jemi të qartë: kjo nuk është risi vetëm për Kosovën. Shtetet e Bashkimit Evropian kanë mekanizma të tillë. Dallimi është se, ne deri më sot ka munguar zbatimi i ligjit të këtillë në praktikë dhe qytetarët e kanë paguar këtë mungesë.

Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë,

Sot po ashtu po e risjellim edhe një tjetër ligj jetik për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetësinë publike në përgjithësi. Edhe ky ligj, po ashtu ka qenë i sfiduar nga opozita në Gjykatë Kushtetuese. Por, siç jemi zotuar nuk do t’i ikim fjalës e shmangemi përgjegjësisë.

Sot, në rend dite e kemi edhe projektligjin për Sigurimet Shëndetësore.

Synimi ynë për të investuar në shërbime shëndetësore dhe për të garantuar sigurim publik shëndetësor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës, do të konkretizohet me miratimin e Projektligjit për Sigurim Shëndetësor. Përmes këtij projektligji kemi synuar dhe synojmë që njerëzit në nevojë të kenë mbrojtje më të mirë sociale, duke ndikuar në uljen e varfërisë dhe të pabarazive.

Ky projektligj krijon edhe një mekanizëm të drejtë solidariteti shoqëror, ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe përfiton sipas nevojës, duke e bërë sistemin më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë. Ai vendosë themelet për një financim të qëndrueshëm të shëndetësisë, i cili nuk varet nga rrethana të përkohshme, por garanton siguri afatgjatë për të gjithë qytetarët pa dallim. Përmes këtij modeli, ne synojmë të ulim pabarazitë në qasje ndaj shërbimeve shëndetësore dhe të forcojmë besimin e qytetarëve në sistemin publik. Në të njëjtën kohë, ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit shëndetësor dhe përmirësimit të standardeve të trajtimit. Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor: mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Ashtu siç kemi deklaruar, Projektligji për Sigurimet Shëndetësore do të kontribuojë në ruajtjen e shëndetit dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke reduktuar barrën financiare nga shpenzimet shëndetësore.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors