Prishtinë, 31 mars 2026
E nderuar familje Alidema,
Të dashur Atdhe, Lendita, Yllka,
E nderuar familje Kryeziu,
Të nderuar bashkëveprimtarë dhe shokë të Halil Alidemës,
E nderuara kryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu,
Të nderuar ministra të qeverisë sonë, Andin Hoti, Saranda Bogujevci, Mimoza Kusari-Lila,
Të nderuar zëvendësministra Mjeku, Krasniqi, Demelezi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
I nderuar z. Sherif Konjufca,
I nderuar z. Vladimir Beja,
I nderuar z. Durim Abdullahu nga Universiteti i Prishtinës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
30 vite pas vdekjes së Halil Alidemës më 1996 në Tiranë, jemi bërë të gjithë bashkë sot këtu në Prishtinë, familjarë, shokë, kolegë dhe bashkëpunëtorë për ta kujtuar personalitetin dhe veprimtarinë e tij.
Duke ju drejtuar nga kjo foltore, më duket shumë domethënës fakti që Halil Alidema po kujtohet në ndërtesën e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, ku është e vendosur edhe një pjesë e administratës së Universitetit të Prishtinës. Kjo sepse vet Halil Alidema ka qenë pjesë e administratës së Universitetit të Prishtinës, si sekretar në Fakultetin Filozofik dhe sepse historiani Ali Hadri ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e Halil Alidemës, duke e inkurajuar atë që të studiojë për histori.
E Halil Alidema jo vetëm që studioi histori, por edhe bëri histori, meqë ai u angazhua politikisht pothuajse gjatë gjithë jetës së tij, duke qenë një nga intelektualët dhe politikanët më të rëndësishëm në një periudhë aq përcaktuese për historinë e Kosovës, siç ishte ajo e fundshekullit XX, kur i tërë kombi shqiptar po përpiqej ta çlironte Kosovën nga Jugosllavia e Serbisë.
Halil Alidema ka lindur më 15 mars të vitit 1936, andaj sivjet ai do të ishte bërë 90 vjeç. Kjo do të thotë që ai ende do të mund të ishte mes nesh, siç janë edhe disa nga shokët e tij, prej të cilëve disa i kemi edhe sot këtu në sallë. Por, ai vdiq herët, në moshën 60 vjeçare, për më tepër në rrethana të dyshimta për sëmundjen e tij dhe të ngelura të pasqaruara që nga atëherë.
Në atë kohë, ai vështirë se mund ta ketë përfytyruar që përbrenda harkut kohor të brezit të tij, ideali për Kosovën Republikë, për të cilin Halil Alidema me shokë u burgosën në vitin 1981 dhe vuajtën nëpër burgjet e Jugosllavisë, do të jetësohej me krijimin dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Prandaj sot, unë e kam kënaqësinë që si Kryeministër i Republikës, asaj republike për të cilën ishte angazhuar edhe vetë Halil Alidema, t’ju drejtohem në këtë akademi përkujtimore kushtuar atij.
Por, kë po e kujtojmë sot dhe përse më saktësisht? Kush ishte Halil Alidema dhe çfarë përfaqëson figura e tij për Kosovën, për popullin e saj dhe për shtetin e saj?
Në historinë e gjatë të betejave të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi, betejave të luftës për çlirim dhe shtetndërtim, Halil Alidema rezulton të jetë një nga figurat e shquara dhe më të rëndësishme. Kushdo që është interesuar për t’i njohur zhvillimet shoqërore dhe lëvizjet politike në Kosovë, veçanërisht gjatë viteve ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar, do ta gjejë emrin e Halil Alidemës të angazhuar mes shokësh, pothuajse kudo ku synohej realizimi i aspiratave politike të shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar.
Duke qenë edhe për nga karakteri një njeri shumë veprues, Halil Alidema ishte burgosur disa herë nga autoritet jugosllave, dhe atë qysh në rininë e tij të hershme, pastaj më 1968 kur pas demonstratave studentore ishte dënuar me dy vite burgim. Por, gatishmëria e tij për të marrë përgjegjësi politike për demonstratat e vitit 1981, e nxjerrën Halil Alidemën në krye të një grupi intelektualësh që u arrestuan dhe u gjykuan duke u dënuar me burg të gjatë e të rëndë. Mes tyre ishin edhe Profesor Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Mentor Kaçi, Shemsi Reçica, Ali Kryeziu, Hilmi Ratkoceri etj. Halili u dënua me 11 vite burg, prej të cilave ai i mbajti më shumë sesa gjashtë vite.
Përvoja e vështirë e burgut, torturat dhe dëmtimi i shëndetit nuk ia dobësuan energjitë Halil Alidemës për ta vazhduar angazhimin e tij politik edhe pas daljes nga burgu. Ai mbeti njësoj i vendosur dhe shumë i qartë në rrugëtimin politik të tij dhe të burgosurve politikë të tjerë, siç kuptohet edhe nga fjalët e tij dhënë gazetës “Dielli”, më 5 qershor 1991, në një intervistë me gazetarin Islam Spahiu, në të cilën Halil Alidema kishte thënë:
“Të burgosurit politikë asnjëherë nuk dështuan, as gjatë burgut, as pas burgut. Vetëdija e lartë kombëtare e tyre, ndjenja e përgjegjësisë dhe sakrificës ka bërë që shumica prej tyre të jenë mjaft tolerantë, fleksibilë dhe tejet komunikativë. Ata ishin bartësit dhe zëdhënësit e rezistencës kombëtare. Ata janë dhe do të jenë sakrifica më e ekspozuar e mbrojtjes së çështjes kombëtare. Nuk ishim, nuk jemi dhe nuk do të jemi robër të ekskluzivitetit ideologjik, por bashkërisht me çdo bashkatdhetar angazhohemi për pajtimin dhe çlirimin kombëtar. Duke pasur këtë frymë parasysh, parimi ynë është: ATDHEU MBI TË GJITHA!”.
Këtë deklaratë, Halil Alidema e dha saktësisht një muaj pas themelimit të Partisë së Unitetit Kombëtar – UNIKOMB, të cilën ai edhe do ta drejtonte si kryetar i saj derisa vdiq. Emri i partisë UNIKOMB është i lidhur ngushtësisht me emrin e Halil Alidemës, i cili përmes kësaj partie, e artikuloi idenë e bashkimit kombëtar qysh në vetë emërtimin e parties, por edhe në programin e saj.
Nga Prishtina në Shkup dhe nga Shkupi në Tiranë, Halil Alidema e shpërndau organizimin dhe aktivizimin e tij politik në tre kryeqendrat e shqiptarëve. Në atë kohë, ai e përqendroi angazhimin e tij te organizimi i rezistencës së armatosur në Kosovë, përmes dërgimit të një mori grupesh me vullnetarë nga Kosova dhe Maqedonia, që shkuan për tu stërvitur nga armata shqiptare në Shqipëri. Shumica e këtyre vullnetarëve, u bënë më pas pjesëtarë e luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998 dhe 1999.
Halil Alidema vdiq më 19 mars 1996, pa arritur ta përjetonte luftën çlirimtare, çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, ndërtimin dhe progresin e vendit të Kosovës. Por, të gjitha këto bashkë, janë rezultat edhe i angazhimit të tij me shokë, i organizimeve dhe i brezit të tij. Andaj, ne sot e kujtojmë dhe e nderojmë mes shokëve dhe trashëgimisë së tij.
Familjarë, shokë e bashkëveprimtarë dhe studiues, do të flasin sot për aspekte të veçanta të veprimtarisë politike e patriotike të Halil Alidemës, por për mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe për institucionet e shtetit tonë të pavarur, vepra politike e Halil Alidemës do të mbetet një pikë e qartë dhe e fortë referimi për idealet dhe shembujt mbi të cilën është ndërtuar dhe zhvillohet vendi ynë.
Jeta dhe vepra e Halil Alidemës u kujtoftë ndër breza siç po kujtohet, përgjithmonë!
Ju faleminderit!