Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt në vlerë mbi 5.7 milionë euro

Pejë, 18 mars 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka, dhe kryemjeshtrin e xhudos, Driton Kuka, vunë gurthemelin e projektit në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, në Pejë.

“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se xhudoja është suksesi më i madh që Kosova ka ndërtuar si shtet në sport.

Kryeministri Kurti tha se një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024 është ndërtuar në këtë qendër, që ishte përuruar në shtator të vitit 2021.

“Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt, përfshin: palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare; dhe, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se investimet në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, përfshirë këtë projekt në vlerë më shumë se 5.7 milionë euro, janë përgjigje ndaj sukseseve dhe rezultateve që xhudoja i ka sjellë Kosovës.

Në palestrën e re, në kuadër të Qendrës Nacionale të Xhudos do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, falënderoi kryeministrin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për këtë investim që u jep të rinjve mundësi për zhvillimin tyre dhe promovimin e vendit. Ndërsa, evokoi kujtime nga koha e okupimit kur në një palestër të vogël private nisi rrugëtimi i vështirë drejt lavdisë dhe medaljeve olimpike.

Krahas falënderimeve e mirënjohjes, kryemjeshtri i xhudos, trajneri Driton Kuka, drejtuar sportistëve tha se “shteti tash po investon shumë seriozisht në ju, e ju duhet t’ia ktheni me punë, përkushtim e rezultate”.

Me këtë rast, kryeministri Kurti përshëndeti sportistët nga Ukraina, të cilët po stërviten në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë. Ata e falënderuan kryeministrin Kurti dhe Kosovën për mbështetjen dhe mikpritjen, duke thënë se po ndihen të sigurt dhe sikur në shtëpi.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Blerim Gashani, ministër i Sportit dhe Rinisë,
I nderuari z. Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,
E nderuara znj. Daulina Osmani, zëvendësministre e Sportit dhe Rinisë,
Shumë të nderuar vëllezërit Kuka, Agron dhe Driton,
Të dashura kampione Olimpike, Majlinda, Distria, Nora dhe Laura,
Xhudistë të tjerë, kampion të botës e të Evropës,
E nderuara drejtoreshë në Komunën e Pejës, znj. Xhenet Syka,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës, përmes fillimit të punimeve për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos.

Xhudoja është suksesi më i madh që e kemi ndërtuar dhe treguar si shtet në sport. Rezultatet ndërkombëtare të xhudos vendore – janë dëshmi e punës së përditshme dhe përkushtimit të vazhdueshëm.

Kjo qendër ku ndodhemi tani është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në Paris 2024 është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira – por me punë dhe përkushtim, kjo ekipë e jashtëzakonshme e xhudos, ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokyo.

Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt, përfshin:

  • palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare;
  • objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant.

Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë.

Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.

Qendra ekzistuese, që nga viti 2021, ka pritur vazhdimisht sportistë dhe ekipe nga vende të ndryshme të botës për kampe stërvitore me kampionët tanë. Aktualisht, po stërviten sportistë nga Ukraina, dhe kjo është dëshmi se Peja është bërë vend ku xhudo bashkon dhe krijon ura përtej kufijve. I përshëndes përzemërsisht të gjithë sportistët nga Ukraina. Slava Ukraini.

Investimet në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, përfshirë edhe këtë projekt në vlerë mbi 5.7 milionë euro, janë përgjigje ndaj suksesit dhe rezultateve që xhudoja i ka sjellë Kosovës. Në këtë rast, institucionet po bëjnë atë që duhet: të investojnë aty ku ka vlerë dhe ku ka rezultat.

Kosova tashmë njihet si vend i kampionëve të xhudos. Detyra jonë është që këtë sukses ta bëjmë sistem, dhe këtë histori ta vazhdojmë për shumë vite në të ardhmen.

Ju shpreh mirënjohje secilës e secilit për punën dhe kontributin në këtë projekt.
Urime të gjithëve dhe ju dëshiroj suksese të reja.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors