E nderuara znj. Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe e Turizmit,
E nderuara znj. Justina Pula Shiroka, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
E nderuara znj. Blerina Rogova Gaxha, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,
I nderuari profesor dr. Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina,
I nderuari z. Bardh Rugova, kryesues i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare,
Të nderuar ambasadorë të Francës dhe të Malit të Zi, Olivier Guérot dhe Bernard Çobaj,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave të vendeve mike, të Hungarisë e të Kroacisë,
Të nderuara zonja dhe zotërinj, përfaqësues e drejtues të institucioneve të Republikës së Kosovës, profesorë e studentë,
Për këtë 18-vjetor të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ne po mblidhemi në një institucion që simbolizon dijen e të gjitha fushave dhe qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar. Kjo ditë është përkujtim i një akti politik, është kurorëzim i një përpjekje historike për liri, dinjitet dhe shtetësi.
Rruga drejt 17 shkurtit 2008 ishte sa e gjatë, aq edhe e mundimshme. Ajo u ndërtua me sakrificë, me qëndresë dhe me besim në të drejtën tonë për të jetuar në liri. Në këtë rrugëtim, mbrojtja e fjalës së shkruar në gjuhën shqipe ishte një akt i heshtur, por thellësisht i fuqishëm rezistence. Kur u tentua të zbehej historia jonë, ajo u ruajt në dokumente. Kur u synua të heshtet fjala shqipe, ajo u mbrojt në libra. E kur u goditën institucionet tona, u mirëmbajt kujtesa.
Nga tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999, kjo vatër e dijes u përball me masa të dhunshme, me spastrim të koleksioneve, me politika të njëanshme të pasurimit dhe me përjashtimin e librit shqip nga fondet e saj. Shumë materiale u konfiskuan, u zhdukën apo u transferuan jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, në mbarë Kosovën u shkatërruan dhe u dogjën 175 biblioteka me mbi një milion e gjysmë ekzemplarë, një përpjekje kjo, për të goditur mbamendjen kolektive dhe identitetin tonë kulturor.
E megjithëkëto, fjala shqipe mbijetoi. Ajo gjeti strehë në raftet, në arkivat dhe në ndërgjegjen e atyre që besuan se liria fillon me ruajtjen e kujtesës dhe të vërtetës.
Në dekada jo të lehta për vendin dhe popullin tonë, Biblioteka Kombëtare ka dëshmuar një rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen, sistemimin dhe promovimin e botimeve vendore, në mbështetjen e autorëve dhe në krijimin e kushteve që libri të mbetet gurthemeli i formimit kulturor dhe qytetar. Prandaj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një institucion kulture e shoqërie, dëshmi se rezistenca jonë nuk u zhvillua vetëm në fushëbetejë, por edhe në mbrojtjen e librit, të dijes dhe të së vërtetës historike.
Gjatë viteve të fundit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka ndërmarrë një transformim të rëndësishëm, duke ndërthurur trashëgiminë e saj të pasur me standardet e epokës digjitale. Me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkushtimin profesional të stafit, procesi i digjitalizimit është shndërruar në bosht të modernizimit institucional. Me një kapacitet prej rreth 15 mijë faqesh në ditë, po bëhet ngritja e kapaciteteve dhe orientimi drejt praktikave bashkëkohore evropiane.
Po ashtu, përmes platformës “Koha”, rrjeti bibliotekar i Kosovës është konsoliduar duke lidhur 48 biblioteka në një sistem të përbashkët katalogimi dhe kërkimi, gjë që forcon bashkëpunimin ndërinstitucional publik dhe e bën librin e njohuritë më të qasshme për qytetarët anembanë vendit.
Kjo është Kosova që po ndërtojmë: një shtet, i cili e nderon historinë, që e ruan trashëgiminë dhe që investon në dije si garanci e së ardhmes.
Në emër të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive. Sepse një shtet që ruan kujtesën e vet, ndërton me siguri të ardhmen e vet.
Gëzuar Dita e Pavarësisë! Lavdi të rënëve për liri!
Rroftë Republika e Kosovës, e pavarur, demokratike dhe sovrane!
Ju faleminderit për vëmendjen dhe pjesëmarrjen!