Kryeministri Kurti priti në takim nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë “7 Shtatori” në Prishtinë dhe Gjimnazit “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin

Prishtinë, 4 shkurt 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë “7 Shtatori” në Prishtinë dhe Gjimnazit “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin.

Nxënësit bashkëbiseduan me kryeministrin Kurti, për arsimin në Kosovë, mundësitë e punësimit, përfitimet nga shkollat profesionale, si dhe rëndësinë e arsimit dual.

Kryeministri foli rreth arsimit si mjet për ndërtimin e mirëkuptimit ndërmjet të rinjve në rajon dhe rolin e shkollave të mesme në krijimin e hapësirave të sigurta për shkëmbim idesh, bashkëpunim dhe respekt të diversitetit kulturor.

Ai shtoi se bashkëpunimi ndërmjet shkollave të Kosovës dhe Malit të Zi krijon përvoja konkrete si ajo mes “7 Shtatorit” dhe “Vëllazërim Bashkimit”, e cila kontribuon në ndërtimin e urave mes të rinjve tanë, e ku nxënësit edhe banojnë te familjet e njëri-tjetrit gjatë vizitave në Prishtinë dhe Ulqin.

U diskutua mbi teknologjinë e digjitalizimin dhe ndikimin në jetën, edukimin e të rinjve dhe sistemin arsimor në tërësi. Theks i veçantë iu kushtua dhe shkollave si faktor të lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës. Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka prioritet arsimin, në veçanti atë profesional, duke nënvizuar se të rinjtë duhet të jenë në hap me kërkesat e tregut të punës.

Drejtoresha e shkollës “7 Shtatori”, znj. Hatixhe Ratkoceri, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) si dhe të Kryeministrisë, për ndërtimin e shkollës së re, e cila i plotëson të gjitha kërkesat dhe nevojat për një proces mësimor cilësor. Po ashtu, ajo theksoi se që nga viti 2022, kur ka filluar zbatimi i arsimit dual, interesimi i të rinjve për shkollat profesionale është rritur dukshëm.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shkollave, përmes projektit Superschools, i mbështetur nga Regional Youth Cooperation Office (RYCO).

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors