Kryeministri Kurti vizitoi ICK-në, prezantohen të dhënat e hulumtimit për sektorin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale

Prishtinë, 29 janar 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Qendrën Inovative të Kosovës, ICK, me rastin e prezantimit të të dhënave të hulumtimit për sektorin e teknologjisë dhe komunikimit dhe ekonomisë digjitale nga Data4X.

Me një rritje prej 386% e eksportit apo gati pesëfishim i eksportit të shërbimeve të TIK-ut në katër vitet e fundit, ekonomia digjitale dhe sektori i teknologjisë, janë sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit dhe njëherësh tregues për potencialin për t’u shndërruar në motor kyç të rritjes së mëtutjeshme, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

“Sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, tashmë kontribuon me 6% në Bruto Produktin Vendor të vendit tonë. Për krahasim, bujqësia kontribuon me 7% dhe njëkohësisht rreth 15% të fuqisë punëtore në Kosovë. Por, rëndësia e tij shkon përtej punësimit direkt. Hulumtimet në vazhdimësi tregojnë se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, tha kryeministri. Për këtë arsye, ai shtoi se mbështetja e rritjes së mëtejshme të sektorit të TIK-ut mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë.

Kryeministri Kurti, përmendi një sërë investimesh që janë bërë në ekosistemin e inovacionit, siç janë, Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe TechPark Prishtina, pastaj, anëtarësimi i Kosovës në programet Horizon Europe dhe Digital Europe, nisma OctoberTech, përmes së cilës mbështeten ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të teknologjisë në Kosovë – KOSICT, Doku.Tech, GrowthTank dhe Software Freedom Kosova, programet e trajnimit nga të cilat kanë përfituar mbi 5,000 të rinj dhe të reja në fusha të ndryshme të TIK-ut, dhe bursat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, nga të cilat 85% të përfituesve janë vajza, ndër të tjerash. Ndërkohë që mbështetja për inovacionin në mandatin tjetër do të shtohet edhe përmes Fondit të Inovacionit, si dhe Kullës TIK (ICT Tower), e cila do të ofrojë hapësira të dedikuara për këtë sektor.

Ai shtoi se përkushtimi i qeverisë dhe progresi është njohur edhe nga Banka Botërore, e cila në Indeksin për Maturitetin e Teknologjisë Qeveritare (GTMI) e ka renditur Kosovën në Grupin A, përkrah vendeve lidere në qeverisjen digjitale, teksa kujtoi se sot platforma eKosova ofron mbi 320 shërbime elektronike per qytetarë dhe biznese.

“Të gjithë e mbani mend se para dy vjetëve, kemi kaluar nga Grupi C në Grupin B, ndërsa sivjet kemi kaluar nga Grupi B në Grupin A. Ky vlerësim na obligon që progresin e arritur ta vazhdojmë dhe ta thellojmë edhe më tej, duke u siguruar që digjitalizimi të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe për bizneset. Kemi ende shumë punë përpara nesh, por me krejt çfarë dimë e mundemi, do të ecim sa më shpejt bashkë. Me një shtet të digjitalizuar dhe një sektor të fuqishëm të inovacionit dhe të TIK-ut, së bashku do të vazhdojmë ta ndërtojmë ekonominë e Kosovës, e cila ne besojmë që duhet të jetë e bazuar në dije”, tha në fund kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar ndërmarrës dhe përfaqësues të komunitetit të TIK-ut,
Të nderuar Shpend(ë) nga ICK dhe Data4X, pra kjo nuk është pse mua më pëlqen shkronja ë, por meqë i kemi dy Shpenda këtu, Shpend Lilën dhe Shpend Ahmetin
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Sot po flasim për ekonominë digjitale dhe sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimi, sektorin me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit tonë. Në vitet e fundit, ky sektor po tregon një potencial të qartë për t’u shndërruar edhe në motor kyç të rritjes së mëtutjeshme. Rritja prej 386% e eksportit apo gati pesëfishim i eksportit të shërbimeve të TIK-ut në katër vitet e fundit, është dëshmia më e qartë për këtë.

Sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, tashmë kontribuon me 6% në Bruto Produktin Vendor të vendit tonë e për krahasim, bujqësia kontribuon me 7 për qind dhe njëkohësisht rreth 15% të fuqisë punëtore në Kosovë. Por, rëndësia e tij shkon përtej punësimit direkt. Hulumtimet në vazhdimësi tregojnë se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Për këtë arsye, mbështetja e rritjes së mëtejshme të sektorit të TIK-ut mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë. Infrastruktura digjitale kombëtare, është parakusht për shpërndarjen e barabartë të këtij zhvillimi në të gjithë vendin. Shtrirja e internetit brezgjerë në çdo fshat dhe vendbanim, ka qenë një arritje e rëndësishme për gjithpërfshirjen digjitale, ndërkaq rrjeti 5G tashmë mbulon mbi 65% të territorit të Republikës së Kosovës. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, po avancojmë edhe drejt ndërtimit të rrjeteve me kapacitete shumë të larta – VHCN dhe siç e ka publikuar Komisioni Evropian, synimi është gigabajt shpejtësi, pra së paku 1 GB për sekond na ndihmon edhe për amvisëri.

Një shtyllë kyçe e këtij zhvillimi, janë, siç e dini ju të gjithë, burimet njerëzore. Sektori i TIK-ut ka nevojë për më shumë profesionistë të kualifikuar. Për këtë arsye, kemi trajnuar mbi 5,000 të rinj dhe të reja në fusha të ndryshme të TIK-ut dhe janë ofruar mbi 7,000 bursa në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, nga të cilat 85% të përfituesve janë vajza. Programet e zhvillimit të shkathtësive digjitale do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.

Ekosistemi i inovacionit në Kosovë po forcohet. Qëllimi ynë është që sa më shumë të qarkullimit të kapitalit, të bëhet akumulim i kapitalit të vendit tonë dhe kemi investuar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, si dhe në TechPark Prishtina, duke krijuar platforma të reja për bashkëpunim mes qeverisë, bizneseve dhe akademisë. Anëtarësimi i Kosovës në programet Horizon Europe dhe Digital Europe, u ka hapur rrugë universiteteve dhe kompanive tona për qasje direkte në fondet dhe rrjetet evropiane të inovacionit.

Përmes nismës OctoberTech, po mbështesim ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të teknologjisë në Kosovë – KOSICT, Doku.Tech, GroëthTank dhe Software Freedom Kosova, të cilat janë pasqyra më e mirë e talentit dhe potencialit eksportues të këtij sektori. Mbështetja për ekosistemin e inovacionit do të zgjerohet edhe më tej përmes Fondit të Inovacionit, ndërsa ICT Tower apo Tech Tower apo TIK Kulla, do të ofrojë hapësira të tjera të dedikuara për sektorin tuaj në kryeqytetin e Kosovës.

Paralelisht, po ecim me ritëm të shpejtë edhe në digjitalizimin e shtetit. Sot, mbi 320 shërbime elektronike në platformën eKosova ua lehtësojnë jetën qytetarëve dhe bizneseve. Me eKosova 2.0, do të ofrojmë edhe mbi 400 shërbime të tjera të reja, përfshirë funksionalitete të bazuara në inteligjencë artificiale, duke avancuar nga digjitalizimi i shërbimeve në transformim fundamental të administratës publike përmes shërbimeve të integruara bazuar në ngjarje jetësore. Kjo është tejet e rëndësishme për vendin tonë, për shkak se studimet e shumta bindëse, kanë treguar që shpejtësia e anëtarësimit të një shteti në Bashkimin Evropian, edhe më shumë se sa nga rritja ekonomike në kokë banori apo rritja e pagave për të punësuarit në atë shtet, varet nga cilësia e administratës publike. Sa më cilësore administrata publike, aq më i shpejtë është integrimi në Bashkimin Evropian.

Fiskalizimi digjital do të plotësohet me faturimin elektronik ndërmjet bizneseve, B2B, duke rritur transparencën dhe formalizimin e ekonomisë. Pra, synimi ynë është që çka do që të bëjmë, t’a dinë të gjithë dhe në anën tjetër, të gjithë të jenë të përfshirë. Inkluziviteti është i domosdoshëm, ashtu që të mos kemi jo veç ekonomi të zezë, po as ekonomi të hirtë në shtetin tonë. Mandej, zhvillimi i valutës digjitale i bazuar në block chain, është pjesë e vizionit tonë për një sistem modern pagesash, që ulë kostot e transaksioneve dhe remitancave, mbështet inovacionin dhe e shton përfshirjen financiare.

Në prapavijë, po ndërtojmë themelet e cloud-it sovran të vendit tonë, sepse kjo është tejet e rëndësishme për siguri kibernetike, por gjithashtu edhe po integrojmë sistemet shtetërore përmes platformës mbarëqeveritare, me ç ‘rast kemi krijuar platformën e centralizuar të metadata-ve të Qeverisë, si bazë për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë.

Nuk ka më projekt qeveritar, në të cilin nuk ekziston edhe një komponentë e Inteligjencës Artificiale në etapat e procesit. Qendra nacionale e ekselencës në inteligjencë artificiale do të lidhë teknologjinë me ekonominë dhe me industrinë.

Ky progres është njohur edhe nga Banka Botërore, e cila në Indeksin për Maturitetin e Teknologjisë Qeveritare (GTMI) e ka renditur Kosovën në Grupin A, përkrah vendeve lidere në qeverisjen digjitale. Të gjithë e mbani mend se para dy vjetëve, kemi kaluar nga Grupi C në Grupin B, ndërsa sivjet kemi kaluar nga Grupi B në Grupin A. Ky vlerësim na obligon që progresin e arritur ta vazhdojmë dhe ta thellojmë edhe më tej, duke u siguruar që digjitalizimi të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe për bizneset. Kemi ende shumë punë përpara nesh, por me krejt çfarë dimë e mundemi, do të ecim sa më shpejt bashkë.

Me një shtet të digjitalizuar dhe një sektor të fuqishëm të inovacionit dhe të TIK-ut, së bashku do të vazhdojmë ta ndërtojmë ekonominë e Kosovës, e cila ne besojmë që duhet të jetë e bazuar në dije.

Unë ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen, vëmendjen, ftesën sot dhe ju dëshiroj shumë suksese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors