Shtëpia e Kosovës, Davos, 19 janar 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në Shtëpinë e Kosovës në Davos ministrin e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik të Kanadasë, Maninder Sidhu.
Biseduan rreth marrëdhënieve bilaterale, shkëmbimit tregtar dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes dy shteteve tona. U veçua bashkëpunimi në industrinë minerare, ndërsa Kosova ka marrë pjesë vitin e kaluar në Konferencën Botërore për Hulumtim dhe Shfrytëzim të Mineraleve, PDAC 2025, mbajtur në Toronto. Përveç industrisë minerare, u theksua dhe potenciali për fuqizim të bashkëpunimit në infrastrukturë, teknologjinë e informacionit dhe fushën e mbrojtjes.
Ky ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe ministrit Sidhu. Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Kanadasë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha etapat shtetndërtuese, angazhimit kanadez në kontigjentin e KFOR-it, dhe mbështetjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.














