Reçak, 15 janar 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial të Masakrës së Reçakut, në 27-vjetorin e masakrës.
“Jemi këtu bashkë si krerë të institucioneve edhe me Kryetarin e Komunës, edhe me kolegë nga Qeveria e Parlamenti, por edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë, që gjithmonë do të jemi të angazhuar për të sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, u shpreh kryeministri.
Ai kujtoi se ishte ambasadori William Walker, ai, përmes së cilit jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
Lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga Komandanti Ahmet Kaçiku, tha në fund kryeministri Kurti.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Para 27 vjetëve, këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker, jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut, u ndërgjegjësuan, u vetëdijesuan dhe mobilizuan edhe opinioni publik ndërkombëtar, edhe kancelaritë diplomatike perëndimore.
Jemi këtu bashkë si krerë të institucioneve edhe me Kryetarin e Komunës të Shtimes, edhe me kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë, që gjithmonë do të jemi të angazhuar për të sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve.
Lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga Komandanti Ahmet Kaçiku!

















































