Fjala e Kryeministrit Kurti në akademinë solemne në shënim të 30- vjetorit të vdekjes së Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të vdekjes së Imzot Mark Sopit

I nderuari Imzot Dodë Gjergji,

Të dashur meshtarë dhe motra të nderit,

Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,

Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve politike në Republikën e Kosovës, kolegë nga Kuvendi dhe Qeveria,

Të nderuar mysafirë ndërkombëtarë,

Të dashur familjarë të Imzotëve që përkujtojmë sot,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Në këtë ditë të shtunë, me një mot me shi që vetvetiu na bën reflektivë mu këtu në qendrën Bogdanipolis pranë katedrales në Prishtinë, për të kujtuar dy personalitete të shquara të jetës fetare, kulturore dhe shoqërore e kombëtare të Kosovës.

Sot po i përkujtojmë dy personalitete historike që i përkasin historisë shpirtërore, qytetare dhe politike të vendit tonë: Imzot Nikë Prelën në 30-vjetorin e kalimit të tij në amshim dhe Imzot Mark Sopin në 20-vjetorin e kalimit në amshim të tij.

Këta dy burra nuk ishin thjesht udhëheqës fetarë. Ata ishin bartës të një etike të lartë publike, përfaqësues të një morali të rrallë qytetar dhe dëshmitarë të një kohe kur e drejta, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk ishin fare të garantuara, por përkundrazi, duhej të mbroheshin çdo ditë, shpesh në rrethana të jashtëzakonshme rreziku. Në vitet kur Kosova përjetonte një nga periudhat më të errëta të ekzistencës së saj moderne, kur sistemi shtypës i Serbisë synonte jo vetëm nënshtrimin politik, por edhe shkatërrimin e dinjitetit njerëzor dhe të identitetit kombëtar, këta dy barinj shpirtërash e dinin mirë se  misioni i tyre nuk mund të kufizohej vetëm në shërbesën liturgjike. Ata e kuptuan qartë se rrethanat historike kërkonin më shumë: kërkonin përgjegjësi morale, guxim qytetar dhe bartjen e barrës së arsyes në një kohë kur dhuna po përpiqej të imponohej si normë.

Imzot Nikë Prela u shqua për një qëndrim të rrallë të urtësisë aktive. Ai nuk ishte njeri i retorikës së zhurmshme, por i peshës morale. Përballë një aparati shtetëror represiv, i cili orvatej ta reduktonte qytetarin e Kosovës në objekt nënshtrimi, ai mbeti zë i qetë, por i palëkundur i ndërgjegjes njerëzore. Ai e mbrojti njeriun jo vetëm si besimtar, por si qenie njerëzore, si qytetar dhe si shqiptar. Në këtë qëndrim qëndron madhështia e tij historike. Sepse në një kohë kur identitetet fetare shpesh keqpërdoren ose instrumentalizohen, Imzot Nikë Prela dëshmoi se feja, kur është e lidhur me idenë e ruajtjes së bashkësisë dhe kultivimit të njerëzores, bëhet mburojë e njeriut konkret – atij që rrezikohej të shndërrohej në numër, në statistikë, në viktimë pa emër përballë një sistemi çnjerëzor.

Qëndresa e tij nuk ndërtohej mbi fjalë të ashpra, por mbi bindjen e thellë se e drejta historike dhe njerëzore nuk mund të shlyhet me dhunë. Ai përfaqësonte atë lloj udhëheqjeje morale që nuk kërkon pushtet, por autoritet etik; që nuk imponon, por bind; që nuk përjashton, por përbashkon; me dashuri, në çdo vend, për çdo kënd.

Imzot Mark Sopi, duke e trashëguar këtë barrë morale dhe historike, e ngriti dëshminë e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Rrëfimi i tij në Kongresin Amerikan përbën një nga momentet më domethënëse në artikulimin moral të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai nuk shkoi atje për të kërkuar mëshirë, por për të dëshmuar të vërtetën – një të vërtetë të jetuar, të provuar dhe të dokumentuar nga vuajtja e përditshme e popullit tonë. Në atë sallë, përballë përfaqësuesve të një prej institucioneve më të fuqishme demokratike të botës e të njerëzimit përgjatë historisë, ai foli me gjuhë të qartë, me maturi dhe me dinjitet. Ai e bëri të dukshme atë që propaganda përpiqej ta fshihte: se në Kosovë nuk po zhvillohej një konflikt i brendshëm dhe lokal me tensione sporadike, aq më pak ndaj një pakice etnike apo fetare, por një padrejtësi shumë dekadëshe ndaj një populli konkret që po merrte tash trajtën më të egër të krimit shtetëror të Serbisë. Dhe ai e bëri këtë jo si politikan, por si bari shpirtëror që kishte zgjedhur të mos ndahej nga fati i njerëzve të vet dhe i grixhës së bashkëkombësve të vet. Ai foli pa urrejtje, por edhe pa frikë. Dhe pikërisht ky ekuilibër midis maturisë dhe guximit e bëri fjalën e tij të fuqishme. Sepse e vërteta, kur thuhet me përgjegjësi dhe dinjitet, shndërrohet në forcë morale dhe politike njëkohësisht.

Dëshmitë, por edhe shembujt e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit, na kujtojnë dëshmitë e shkruara të tre fretërve katolikë paraardhës së tyre: Gjon Bisakut, Shtjefën Kurtit dhe Luigj Gashit, të cilët në vitin 1930, i dërguan Lidhjes së Kombeve një letër mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, ku denonconin shtypjen mbi baza etnike e fetare dhe krimet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë mbretërore kundër popullit tonë.

Të dy këta burra, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi, u shndërruan në ura midis shpirtërores dhe qytetares, midis besimit fetar dhe përgjegjësisë shtetërore, midis Kosovës së vuajtur dhe botës demokratike. Sot, Republika e pavarur e Kosovës ekziston si shtet i lirë dhe sovran. Por, të nderuar të pranishëm, kjo liri nuk është vetëm rezultat i proceseve politike, diplomatike dhe ndërkombëtare. Ajo është edhe fryt i qëndresës morale të atyre që, në kohërat më të vështira, më të rrezikshme, refuzuan ta pranojnë padrejtësinë si normalitet. Në këtë kuptim, Imzot Nikë Prela dhe Imzot Mark Sopi janë pjesë e themeleve të vlerave morale mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë që kemi dhe liria që gëzojmë.

Prandaj, ky përkujtim është njëherazi edhe një thirrje që freskon kujtesën tonë kolektive, vlerat e së cilës na kanë mbajtur gjallë dhe na bëjnë të gjallërojmë si shoqëri për të pasur dinjitet njerëzor, dialog me njeri-tjetrin, solidaritet të pakushtëzuar, guxim moral, patriotizëm dhe njerëzi. Është thirrje e një trashëgimie që me dashuri na obligon të ndërtojmë një shtet ku liria shoqërohet me përgjegjësi dhe ku e vërteta mbetet busull orientuese.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal si kryeministër në detyrë, shpreh mirënjohjen më të thellë për veprën dhe trashëgiminë e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit. Le të mbetet kjo trashëgimi një udhërrëfyes i përhershëm për shoqërinë tonë dhe për brezat që do të vijnë pas nesh.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors