Prishtinë, 4 janar 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori pjesë në mbledhjen komemorative për poetin Rushit Ramabaja, që u mbajt në hapësirat e Teatrit Kombëtar, në objektin e Pallatit të Rinisë. Fillimisht, kryeministri Kurti bëri homazhe pranë arkivolit të të ndjerit.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se largimi nga jeta i Rushit Ramabajës, në moshën 77-vjeçare, na prek thellë, sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar dhe publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar.
Rushit Ramabaja i përkiste atij brezi intelektualësh që u formuan herët dhe u provuan e sprovuan gjatë dhe pjesën më të madhe të jetës së ia kushtoi gazetarisë dhe letërsisë, duke qenë për shumë vite pjesë e gazetës “Rilindja”, aty ku fjala kulturore dhe kritike kishte peshë dhe përgjegjësi, u shpreh kryeministri.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se edhe pas luftës, ai vazhdoi të shërbejë me mendimin e tij në radiogazetari, duke mos u shkëputur asnjëherë nga misioni i informimit dhe reflektimit publik.
“Largimi i Rushit Ramabajës na pikëllon, sepse me të humbim edhe një ndërgjegje të ndjeshme dhe një mendje të angazhuar të kulturës sonë dhe të socio politikës sonë. Rushit Ramabaja ishte prej atyre intelektualëve që nuk e shihnin fjalën si zbukurim, por si përgjegjësi. Ai shkroi jo për të qenë i zhurmshëm, por për të qenë i vërtetë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se në mbi 20 vepra të tij letrare me poezi, prozë dhe publicistikë, gjejmë shqetësimin e njeriut që nuk pajtohet me harresën, gjejmë dhimbjen e historisë, por edhe shpresën se fjala mund të mbajë gjallë atë që rrezikon të humbasë.
Më tej, ai kujtoi takimet që ka pasur me të, duke veçuar se ka qenë e pamundur të mos dëgjosh prej tij diçka që nuk do ta dëgjosh nga asnjëri tjetër. “Për bindjen time baca Rushit ka qenë midis historisë edhe bukurisë, midis historisë si shkak edhe bukurisë si synim, dhe për këtë arsye ai për mua personalisht mbetet i paharrueshëm”, tha kryeministri.
Ai i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramabaja, miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, dhe të gjithë atyre të cilëve e njohën e bashkëbiseduan me të ndjerin, Rushit Ramabaja.
Pas mbledhjes komemorative, kryeministri, i shoqëruar nga ministri Çeku, gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e varrimit.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara familje Ramabaja, të dashur miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë, të nderuar të pranishëm.
Jemi mbledhur sot për të kujtuar dhe nderuar një njeri fjala e të cilit la gjurmë të thella në kulturën dhe ndërgjegjen tonë shoqërore e kombëtare. Largimi nga jeta i Rushit Ramabajës, në moshën 77-vjeçare, na prek thellë, sepse me të humbim jo vetëm një poet, gazetar dhe publicist të shquar, por një zë të rrallë intelektual që për dekada i qëndroi besnik fjalës së shkruar.
Rushit Ramabaja i përkiste brezit të intelektualëve që u formuan herët dhe u provuan e sprovuan gjatë. I lindur në Marec të Prishtinës, ai ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së tij gazetarisë dhe letërsisë, duke qenë për shumë vite pjesë e gazetës “Rilindja”, aty ku fjala kulturore dhe kritike kishte peshë dhe përgjegjësi. Edhe pas luftës, ai vazhdoi të shërbejë me mendimin e tij në radiogazetari, duke mos u shkëputur asnjëherë nga misioni i informimit dhe i reflektimit publik e politik.
Largimi i Rushit Ramabajës na pikëllon, sepse me të humbim edhe një ndërgjegje të ndjeshme dhe një mendje të angazhuar të kulturës sonë dhe të socio politikës sonë. Rushit Ramabaja ishte prej atyre intelektualëve që nuk e shihnin fjalën si zbukurim, por si përgjegjësi. Ai shkroi jo për të qenë i zhurmshëm, por për të qenë i vërtetë.
Në mbi 20 vepra të tij letrare me poezi, prozë dhe publicistikë, gjejmë shqetësimin e njeriut që nuk pajtohet me harresën. Gjejmë dhimbjen e historisë, por edhe shpresën se fjala mund të mbajë gjallë atë që rrezikon të humbasë. Veprat e tij janë dëshmi e një jete të jetuar me mendim kritik, ndjeshmëri dhe guxim intelektual.
Rushit Ramabaja ishte një njeri që i qëndroi besnik fjalës që shkroi, edhe kur ajo ishte e vështirë, edhe kur kërkonte përballje. Ai ishte shembull i intelektualit të angazhuar, që nuk u largua nga realiteti, por e përballoi atë me mendje dhe me shpirt. Në çdo funksion që pati, ai ishte një qytetar aktiv dhe politikisht i angazhuar.
Sot, në këtë ceremoni përkujtimore, kur Rushit Ramabaja po ndahet fizikisht nga ne, nuk e kujtojmë vetëm për atë që ishte, por për atë që na la. Na la libra, mendime, kujtime dhe një trashëgimi që do të vazhdoj të flasë për të. Na la një shembull se si fjala mund të jetë akt moral dhe kulturor njëkohësisht.
Edhe ata të cilët kanë shkruar kritika për Rushit Ramabajën, nga Radogoshi deri te Kadareja, duke e cilësuar edhe si Balzaku shqiptar i kohëve tona, padyshim që janë pjesë përbërëse e kujtimit që kemi për Rushit Ramabajën, e i cili do të mbijetoj edhe më shumë e shumë breza më pas.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ramabaja, për miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët, të gjithë ata të cilët e njohën e bashkëbiseduan me të dhe që padyshim se e deshën Rushitin.
Nga takimet që unë kam pasur me të, ka qenë e pamundur të mos dëgjosh prej tij diçka që nuk do ta dëgjosh nga asnjëri tjetër dhe as që ta ka marrë mendja se ndokush mund të jetë aq lucid, pra aq i kthjellët e i thukët në kapjen e thelbit të gjërave si zhvillime politike apo edhe trajtesa historike. Për bindjen time baca Rushit ka qenë midis historisë edhe bukurisë, midis historisë si shkak edhe bukurisë si synim, dhe për këtë arsye ai për mua personalisht mbetet i paharrueshëm.
Dhimbja e familjarëve, e neve që e njohëm, e të gjithë kolegëve të tij të të gjitha kohërave padyshim që është e përbashkët sesa e tillë është humbja tash që se kemi më fizikisht. Fjala e tij do të vazhdojë të dëgjohet sepse do të lexohet dhe sepse fjalët lindin nga e vërteta e cila nuk vdes kurrë.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.
































