Fjala e Kryeministrit në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara

Mitrovicë, 3 dhjetor 2025

E nderuara znj. Sebahate Hajdini Beqiri, drejtore ekzekutive e Down Syndrome Kosova,
E nderuara znj. Ivana Rakic, drejtore e Podrzi Me,
Të nderuar artistë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Sonte jemi mbledhur këtu për të përjetuar një nga ato momente të cilat kujtojmë pse është kaq e rëndësishme të jetojmë bashkë, të punojmë bashkë, të krijojmë bashkë. Shfaqja që do shohim – e realizuar me pasion, me përkushtim, dhe mbi të gjitha nga personat me aftësi të kufizuara, nga artistë shqiptarë, serbë e boshnjakë – është një shembull i gjallë i asaj çka mund të arrijmë si vend kur nuk i ndajmë njerëzit në kategori, por i bashkojmë me vlera.

Në këto katër vite, si Qeveri kemi bërë përpjekje të mëdha që drejtësia sociale, barazia dhe përfshirja të mos jenë vetëm aspirata, por politika konkrete. Gjatë gati 5 viteve të qeverisjes sonë, unë si kryeministër, bashkë me kolegët e mi të kabinetit qeveritar, e kemi vendosur si prioritet jo vetëm që të japim mbështetjen e duhur financiare personave me aftësi të kufizuara, por edhe që të kontribuojmë në një riorientim mbarëshoqëror në mënyrën se si ata perceptohen dhe trajtohen nga të tjerët.

Njëjtë sikurse në projektin “Kulturë pa barriera”, jemi udhëhequr gjithmonë nga parimi që të gjithë qytetarët duhet të konsiderohen njëjtë dhe të kenë mundësi të barabarta. Nga ky këndvështrim, personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të shihen si viktima apo përfitues pasivë të ndihmave. Përkundrazi, ata duhet të respektohen si kontribues dhe pjesëmarrës aktivë në të gjitha sferat e jetës sociale, kulturore dhe ekonomike të vendit tonë. Shteti e ka për detyrë që t’i ndihmojë ata jo vetëm që të mbijetojnë, por edhe të jetojnë, në kuptimin e plotë të fjalës. Disa iniciativa që kemi ndërmarrë si Qeveri në këtë drejtim janë si në vijim:

· Komiteti Paralimpik dhe Olimpiada Speciale për herë të parë gëzojnë mbështetje shtetërore të dinjitetshme. Kemi krijuar më shumë mundësi për aktivitet sportiv vendor e ndërkombëtar për sportistët me aftësi të kufizuara;
· Kemi ofruar trajnim në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara 120 prej të cilëve janë gra e vajza;
· Kemi ndarë 70 bursa universitare për studentët me aftësi të kufizuara;
· Janë punësuar 422 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta nëpër shkollat e Kosovës.
· Dhe së fundmi, kemi rritur pensionet për personat me aftësi të kufizuara.

Të dashur artistë që me padurim presim që t’ju ndjekim,

Ju falënderoj nga zemra. Me talentin, energjinë dhe guximin tuaj, na kujtoni se çfarë është e rëndësishme në këtë vend: njerëzit dhe dinjiteti, bashkëjetesa dhe ëndrrat. Ju jeni shembulli më i mirë se Kosova është më e fortë kur bashkëpunojmë e bashkë krijojmë. Dhe unë jam krenar për këtë rrugë që po e ndjekim.

Shfaqja e sontme është thirrje për të mos lënë askënd mbrapa. Për të mos harruar se secili njeri në këtë vend ka vend, sepse ka të drejta dhe liri, ka rol dhe ka vlerë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua t’ju siguroj se do të qëndrojmë gjithmonë pranë jush: pranë komuniteteve, pranë artistëve, pranë personave me aftësi të kufizuara, pranë të rinjve dhe pranë secilit qytetar që përpiqet e kontribuon, krijon dhe ëndërron për një Kosovë më të mirë.

Faleminderit për artin dhe për mesazhin, faleminderit që na bashkuat.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors