Fjala e Kryeministrit Kurti në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë

Prishtinë, 3 dhjetor 2025

I nderuari z. Imri Demelezi, ushtrues detyre i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
Të nderuar zotërinj Bejtush Gashi dhe Kujtim Lepaja, Kryetar Bordi dhe Drejtor Ekzekutiv – të Shoqatës ‘Mjedra e Kosovës’,
E nderuar znj. Astrid Wein, Drejtore e Caritas-it zviceran në Kosovë,
I nderuar Prof. Endrit Kullaj, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar partnerë zhvillimorë, kompani eksportuese dhe ekspertë ndërkombëtarë,
Të nderuar fermerë, gra e burra të tokës,
Të nderuar të pranishëm,

Mirë se u gjetëm në Edicionin e 10-të të Konferencës së Mjedrës, një jubile i merituar, që përmbledh një dekadë pune, durimi dhe inovacioni. Këtë vit kemi mbi 350 pjesëmarrës: fermerë, institucione, partnerë e kompani eksportuese. Kjo sallë tregon qartë se frutat e imëta nuk janë “kulturë e vogël”, por janë një sektor i madh me ambicie, ndikim dhe me shifra.
Këtë vit, pjesë e kësaj konference janë edhe 30 fermerë nga Shqipëria, të cilët kanë nisur të kultivojnë mjedrën sipas modelit të Kosovës, një model i konsoliduar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”, me mbështetje profesionale në këshillim, organizim të sektorit dhe në ngritjen e standardeve prodhuese.

Kosova e sotme është një histori suksesi, që po forcohet nga viti në vit: një vend më i sigurt në Evropë, me institucione që profesionalizohen, me sundim të ligjit në rritje dhe me financa publike të shëndosha. Kjo performancë nuk është rastësi, është rezultat i reformave të qëndrueshme, bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfshirjes reale të të gjitha komuniteteve. Sot, Kosova shfaqet si partner i besueshëm euroatlantik, i përafruar me politikat e aleatëve, me rritje ekonomike solide, bankë qendrore moderne, sistem financiar të kapitalizuar mirë dhe me paqe e siguri, e cila është përmbajtësore.

Kjo klimë stabiliteti, transparence dhe parashikueshmërie, është arsyeja pse sektori i frutave të imëta, mjedra, dredhëza e boronica, po gjen tregje të reja, çmime më të qëndrueshme dhe kontrata afatgjata, duke e kthyer suksesin demokratik e ekonomik të vendit, në të ardhura të prekshme për familjet tona rurale.

Thuhet se sekreti i suksesit në fermë, është kombinimi i tokës pjellore me politika të mençura, standarde të larta, më pak burokraci, ujitje të mirë dhe kontrata të ndershme për fermerin. Dhe, kur këtyre u shtojmë partneritetin e qëndrueshëm mes shoqatës, qeverisë dhe tregut, atëherë vjelja nuk është vetëm e mirë, por e sigurt, sektori më konkurrues dhe me të ardhurat më të qëndrueshme për familjet tona rurale.

Sot Kosova ka ngritur një zinxhir të plotë për frutat e imëta: nga pemishtet te qendrat grumbulluese, përpunues e eksportues gjithandej, të cilët e kanë shndërruar bashkëpunimin në avantazhin tonë më të madh konkurrues. Pra, jemi më konkurrentë, për shkak se bashkëpunojmë më shumë. Aktualisht, në gjithë vendin kultivohen rreth 1,000 hektarë me mjedra rreth 180 hektarë me boronica, një bazë e fortë, që e kemi rritur vit pas viti.

Edhe kur vjen puna te shifrat, kemi arsye për optimizëm:

• Zgjerimi i shpejtë i sipërfaqeve me mjedër ka qenë shembullor: nga rreth 20 hektarë në vitin 2011, në rreth 1,000 hektarë sivjet, duke e bërë mjedrën një nga kulturat bujqësore me përfitimin mesatar më të lartë për fermer. Dikur rreth 96% e prodhimit tonë eksportohej, pasi konsumi i brendshëm ishte shumë i ulët.

• E sot, falë rritjes së ndjeshme të kërkesës nga qytetarët tanë dhe orientimit drejt ushqimit të shëndetshëm, eksporti është rreth 75 për qind. Pra, eksporti e dominon konsumin e brendshëm, por jo aq shumë sikur dikur, 96 me 4 për qind, tash është 75 me 25 për qind. Ndërkaq, pjesa tjetër konsumohet si në tregun vendas dhe të Shqipërisë, pra një zhvillim pozitiv që tregon se familjet tona në përgjithësi, po konsumojnë më shumë produkte cilësore vendore. Andaj, edhe konsumimi i frutave të imëta, është i rëndësishëm jo vetëm për bazën ushqyese, por njëkohësisht edhe si faktor shëndeti dhe në këtë kuptim, Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër, jemi të interesuar që të vazhdojmë t’ju mbështesim gjithnjë e më shumë.

• Pavarësisht rritjes së konsumit të brendshëm, megjithëkëtë, pjesa më e madhe e prodhimit të gjithë e dimë, shkon për eksport, duke gjeneruar rreth 10 milionë euro të ardhura dhe duke mbajtur mbi 2,500 vende pune përgjatë zinxhirit. Kjo është ekonomi reale për familjet tona.

• Ndërkaq, sezoni i këtij viti për boronicën e kultivuar shënoi rritje të prodhimit rreth 15% krahasuar me vitin 2024, me rreth 4 milionë euro qarkullim edhe ky sinjal i qartë se ky nënsektor po forcohet, me avantazhin tonë të daljes së hershme në tregjet evropiane. Edhe në rastin e boronicës, sikurse në rastin e mjedrës është rritur edhe eksporti por edhe konsumi vendor.

• Gjithashtu, sipërfaqja e kultivuar me dredhëza është shtuar në mënyrë të qëndrueshme nëpër vite. Në vitin 2004 kanë qenë vetëm 14 hektarë, e mbi 200 hektarë janë këtë vit, një zgjerim që pasqyron interesin dhe kthimin e mirë nga kjo kulturë.
Këto nuk janë thjesht shifra, numra. Janë histori investimesh, zhvendosjeje drejt kulturave me vlerë të lartë, ngritjeje të kapaciteteve frigoriferike dhe certifikimesh cilësie. Janë prova se bashkë – fermerë, shoqatë, sektor privat, komunat, ministritë dhe partnerët – mund të kalojmë nga potenciali në performancë.

Si Qeveri, prioriteti ynë është t’i japim këtij sektori mundësinë të fluturojë edhe më lart, edhe më gjerë, por me rrënjë të forta në standarde dhe në qëndrueshmëri. Këtij qëllimi i shërbejnë tre politika praktike:

  1. Financim i mençur për prodhim e përpunim. Do të vazhdojmë mbështetjen për pemishte të reja, sisteme ujitjeje, rrjeta kundër breshërit dhe modernizim të zinxhirit të ftohtë, që cilësia “Made in Kosova” të ruhet nga ara deri te rafti.
  2. Qasje në tregje. Me shoqatën dhe grumbulluesit, do të ndihmojmë në forcimin e prezencës ndërkombëtare, përfshirë edhe përmes prezencës në panaire ndërkombëtare—aty ku marka “Kosovo Berries” po fiton terren çdo ditë e më shumë.
  3. Standardizim dhe certifikim. GAP, HACCP dhe gjurmueshmëria nuk janë thjesht etiketa; janë çelësi i çmimeve më të mira dhe i kontratave afatgjata. Raportet e sektorit tregojnë adoptim në rritje të praktikave moderne dhe të pajisjeve të automatizuara.

Në këtë rrugë, Shoqata “Mjedra e Kosovës” ka luajtur një rol kyç – si nyje e cila e lidh fermerin me qendrën e grumbullimit, përpunuesin me eksportuesin, dhe gjithë zinxhirin me standardet evropiane. Struktura e saj, që bashkon prodhuesit me grumbullues, përpunuesit dhe eksportues, është model i mirë i “vlerës së shtuar” në vend për të gjitha fushat e ekonomisë sonë.

Sot, teksa festojmë edicionin e 10-të, dua të falënderoj çdo fermer që zgjohet para agimit, çdo punëtor që mbush arkën me kujdes, çdo teknik që mban në formë frigoriferët, çdo partner që hap dyer të reja tregjeve. Faleminderit shoqatës për punën e palodhur, partnerëve zhvillimorë për mbështetjen e vazhdueshme dhe institucioneve tona për bashkërendim të përgjithshëm.

Dhe, sigurisht, një premtim i thjeshtë nga Qeveria: do të jemi partner – jo spektator. Do të jemi lehtësues – jo pengues. Do të jemi garanci që fruti i punës suaj të marrë vlerën që meriton në treg.

E pata pyetur para disa muajve një fermer se “si i ke planet e parashikimet për sezonin?”. E ai m’u përgjigj që “ato janë si boronica – në fillim janë të errëta, por në fund janë shumë të ëmbla!”. Le të jetë kështu për të gjithë ne – më shumë ëmbëlsi në rezultate, më shumë ngjyrë suksesi në ekonominë tonë.

Urime Konferenca e 10-të e Mjedrës! Uroj punë të mbarë, kontrata të mira dhe sezone të mbara për mjedra, boronica e dredhëza – që shqiptarët dhe miqtë tanë në Evropë t’i njohin gjithnjë e më shumë si për cilësi produkti, ashtu edhe për rritje prodhimi.

Ju faleminderit e gëzuar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors