Prishtinë, 27 nëntor 2025
Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
Të nderuar gazetarë, punonjës të tjerë të mediave dhe punonjës të Kryeministrisë,
Të dashur qytetarë,
Mirë se po takohemi në këtë mbledhje të radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në mesin e pikave të rendit të ditës së mbledhjes së sotme, e kemi një më të veçantë: kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të KBI “Ereniku” për ndërtimin e Zonës Industriale të Mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës. Me miratimin e saj i hapim rrugë në terren ndërtimit të Fabrikës së Municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur, që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do t’i ngrisë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më të veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës.
Ndërtimi i kësaj fabrike, për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE, do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë, me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë, “Made in Kosova”.
Gjatë këtij mandati qeverisës, ne e kemi katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Ushtrinë e kemi pajisur me sisteme të reja dhe më moderne të armatimit dhe të municioneve nga shtete anëtare të NATO-s; mbi 430 milionë euro blerje të armatimit janë shënuar në këtë mandatin e parë. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje.
Duke e rritur ushtrinë, e sigurojmë Republikën. Duke e ngritur Forcën e Sigurisë së Kosovës, e forcojmë partneritetin me aleatë. Urime të gjithëve Dita e Forcës!
Të dashur qytetarë, të nderuar kolegë,
Që në muajin gusht, ne bëmë një zgjidhje të përkohshme, duke dhënë overdraftin për Radiotelevizionin e Kosovës, me shpresën që pas konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të komisioneve parlamentare, të arrihet zgjidhja e duhur, për të cilën kishin përgjegjësi të gjitha partitë politike parlamentare. Ne nuk i kishim votat e mjaftueshme, pasi që partitë tjera refuzuan kategorikisht pagat për RTK-në. Siç edhe ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati, këtë të hënë në konferencën e tij për media, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalur nga kjo situatë. Në këtë mbledhje, mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Pra, kjo zgjidhje e sotshme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme, është veçse një improvizim i detyruar, pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës.
Një lajm të mirë e kemi për përfaqësuesen tonë në futboll, për djemtë, me të cilët jemi krenarë në çdo ndeshje. Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026, kalimin në fazën e play-off-it, me vendim të qeverisë, sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim.
Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim. Besimin tonë në ta, po e shprehim me zotimet tona për ta:
Së pari: në rast fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove;
Së dyti: Në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro të tjera shpërblim.
Përpara Kosovë. Gjithmonë me ty!
E nga kjo mbledhje do të kemi lajme të mira edhe për klubin e futsallit, që po shkruan histori në gara ndërkombëtare, Prishtina 01 dhe për nxënësit që do të na përfaqësojnë në Olimpiadën e Shkencës dhe të Kodimit NEO në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit!