Prishtinë, 27 nëntor 2025
Sot më 27 Nëntor, kur po e shënojmë Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u prezantua armatimi dhe pajisjet ushtarake të ekspozuara në Kazermën “Adem Jashari”.
Në një prononcim për media, kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë na bën krenarë dhe njëkohësisht të ndjehemi të sigurt si shtet, si institucione të Republikës, gjithnjë në shërbim të integritetit territorial, të të drejtave të qytetarëve, të sovranitetit shtetëror dhe të paqes e të sigurisë për Republikën tonë demokratike anekënd.
Kryeministri Kurti më tutje tha se sot është një ditë e lumtur, e gëzuar për të gjithë, për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë dhe gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt, të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë.
“Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandatin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur të shohin ushtrinë e tyre dhe e cila ua ngroh zemrat e njëkohësisht i bën edhe të ndjehen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi edhe investimin prej mbi 430 milionë euro në armatim dhe në pajisje në këta katër vitet e fundit.
“Më përpara, ushtria jonë ka pasur veç automatikë të llojit Heckler and Koch dhe revole, që do të thotë se ka qenë më pak e pajisur edhe se vetë Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne, dhe kjo sa vjen dhe shtohet meqënëse tashmë kemi më shumë se dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë, por gjithashtu edhe të syve në qiell, për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me drona Skydagger dhe TB-2 Bayraktar nga Turqia, Puma nga ShBA e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit, si dhe të prodhimit të dronave Made in Kosova. Në veçanti duhet theksuar edhe sistemi anti-tank Javelin nga ShBA, pastaj jemi në proces që të marrim edhe helikopterë Black Hawk nga ShBA, dhe ky është momenti që duhet t’i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n, në veçanti ShBA që na qëndrojnë pranë.” u shpreh kryeministri.
Ai përmbylli fjalën e tij duke uruar Ditën e Forcës e falënderuar edhe oficerët, nënoficerët, ushtaret e ushtarët tanë, të cilët edhe në ditë të festave shërbejnë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve pa dallim.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, me Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe me Komandantin e Ushtrisë, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, patëm nderin dhe kënaqësinë që t’i vizitojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës në prezantimin e armatimit dhe pajisjeve të tyre që na bëjnë krenarë dhe njëkohësisht të ndjehemi të sigurtë si shtet, si institucione të Republikës, gjithnjë në shërbim të integritetit territorial, të të drejtave të qytetarëve, të sovranitetit shtetëror dhe të paqes e të sigurisë, për Republikën tonë demokratike, anekënd.
Është ditë e lumtur, e gëzuar për të gjithë neve, për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë dhe gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurtë, të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë. Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandatin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur të shohin ushtrinë e tyre dhe e cila ua ngroh zemrat e njëkohësisht i bën edhe të ndjehen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë.
Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në këto katër vitet e fundit. Më përpara, ushtria jonë ka pasur veç automatikë të llojit Heckler and Koch dhe revole, që do të thotë se ka qenë më pak e pajisur edhe se vetë Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne, dhe kjo sa vjen dhe shtohet meqënëse tashmë kemi më shumë se dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë, por gjithashtu edhe të syve në qiell, për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me drona Skydagger dhe TB-2 Bayraktar nga Turqia, Puma nga ShBA e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit, si dhe të prodhimit të dronave Made in Kosova.
Në veçanti duhet theksuar edhe sistemi anti-tank Javelin nga ShBA, pastaj jemi në proces që të marrim edhe helikopterë Black Hawk nga ShBA, dhe ky është momenti që duhet t’i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n, në veçanti ShBA që na qëndrojnë pranë, edhe në pajisje me armatim e municion por edhe me trajnime të shumta që i përmendi edhe Presidentja Vjosa.
Janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit, është trefishuar buxheti për mbrojtje e për siguri dhe ky është një obligim që ja kemi mbrojtjes së atdheut tonë, prandaj gëzuar të gjithëve Dita e Forcës, 27 nëntori, dhe një falenderim i veçantë për oficerët, nënoficerët, ushtaret e ushtarët tanë, të cilët edhe në ditë të festave shërbejnë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve pa dallim.
Urime!





















