Kryeministri Kurti mori pjesë në Edicionin e 8-të të Konventës së Industrisë së Drurit

Prishtinë, 26 nëntor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mori pjesë në Edicionin e 8-të të Konventës së Industrisë së Drurit 2025, e cila mbledhë së bashku përfaqësues të bizneseve, institucioneve, universiteteve, donatorëve dhe ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimin, inovacionin dhe të ardhmen e sektorit, të organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës – Wood Cluster (SHPDK).

Në fjalën e tij kryeministrit theksoi se si Qeveri, po punojmë me kujdes e vëmendje për të krijuar një mjedis ku bizneset mund të zhvillohen më lehtë, me më pak barriera dhe më shumë mundësi. Këto përmirësime rrisin aftësinë e kompanive të përpunimit të drurit dhe prodhuesve të mobilieve që të bashkëpunojnë më lehtë me partnerë ndërkombëtarë, të sigurojnë investime të reja dhe të zgjerohen më shpejt drejt tregjeve të huaja.

Ai më tej shtoi se Gallup International e vlerëson Kosovën si vendin më të sigurt në Evropë dhe të tretin në botë për rend dhe siguri. Ky është një sinjal i qartë për partnerët ndërkombëtarë se Kosova është një vend i parashikueshëm, i qëndrueshëm dhe i besueshëm për bashkëpunim dhe investim.

“Kosova kryeson në rajon për përmirësim të lirive, demokracisë dhe qeverisjes. Me këtë po dëshmojmë se vendi po forcohet ekonomikisht dhe institucionalisht – një faktor vendimtar për kompanitë që duan të ndërtojnë besim te partnerët globalë”, theksoi kryeministri Kurti dhe shtoi se Vizioni ynë është i qartë: Kosova të bëhet qendër rajonale e prodhimit të mobileve dhe e produkteve të drurit.

Kryeministri po ashtu tha se “Made in Kosova” në këtë sektor po fiton terren në tregjet evropiane dhe rajonale, jo si kompromis i cilësisë, por si garanci e saj.

Në këtë rrugëtim, qeveria juaj është partneri juaj, deklaroi kryeministri, i cili po ashtu tha se po investojmë tha ai në arsim profesional dual, digjitalizim të shërbimeve; inovacion dhe makineri moderne; rritje të kapaciteteve eksportuese; si dhe standarde të qëndrueshme të menaxhimit të pyjeve.

“Andaj le të bëhemi edhe më shumë bashkë, le të punojmë edhe më shumë për më shumë inovacion dhe më shumë suksese për të gjithë! Ju faleminderit”, përfundoi fjalën e tij kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari Kryetari i Bordit të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, z. Zenel Kelmendi;
E nderuara Drejtoreshë Ekzekutive e ShPDK-së, znj. Arieta Vula Pozhegu;
Të nderuar përfaqësues të industrisë së drurit, partnerë vendorë e ndërkombëtarë, nga rajoni dhe Evropa, dizajnerë, artizanë, ndërmarrës,
Të nderuar ambasadorë të Luksemburgut dhe të Suedisë, z. Dietz dhe z.Westerlund,
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Konventa e Industrisë së Drurit është ngjarje që nga viti në vit po e rrit standardin, po e thellon bashkëpunimin dhe po e forcon identitetin e industrisë sonë. Sot jemi këtu për të prezantuar punën tonë, dhe për të dëshmuar që Kosova ka potencial të pashtershëm, kreativitet të jashtëzakonshëm dhe horizont të gjerë zhvillimi.

Në Kosovë kur themi se punojmë ‘me mish e me shpirt’, tek industria e drurit që ju e zhvilloni dhe përfaqësoni jeni ata që punoni me sharrë e me vegla tjera, me duar e me përkushtim, dhe dini ta ktheni madje edhe drurin në art. Dhe kjo është arsyeja pse kërkesa për produktet tuaja po rritet nga viti në vit, meqenëse ju nuk jeni vetëm shembuj konkret suksesi por edhe një frymë e re në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Si Qeveri, po punojmë me kujdes e vëmendje për të krijuar një mjedis ku bizneset mund të zhvillohen më lehtë, me më pak barriera e me më shumë mundësi. Këto përmirësime rrisin aftësinë e kompanive të përpunimit të drurit dhe të prodhuesve të mobilieve që do të bashkëpunojnë më lehtë me partnerë ndërkombëtarë, që të sigurojnë investime të reja dhe të zgjerohen më shpejt drejt tregjeve të huaja.

Kosova po ecën përpara me besim dhe me hapa të matur, e të qëndrueshëm.

Përmirësimi me 31 vende në Indeksin e Korrupsionit tregon se po bëhemi një shtet më i drejtë, më i përgjegjshëm, më i ndershëm dhe më i respektueshëm. Kjo besueshmëri institucionale është thelbësore për kompanitë të cilët kërkojnë partnerë të jashtëm ose që duan të hyjnë në kontrata afatgjate në tregjet ndërkombëtare.

Gallup International e vlerëson Kosovën si vendin më të sigurt në Evropë dhe të tretin në botë për rend dhe siguri. Ky është një sinjal i qartë për partnerët ndërkombëtarë se Kosova është një vend i parashikueshëm, i qëndrueshëm dhe i besueshëm për bashkëpunim dhe investim.

Kosova kryeson në rajon për përmirësim të lirive, demokraci dhe të qeverisjes. Me këtë po e dëshmojmë së bashku se vendi po forcohet ekonomikisht dhe institucionalisht – një faktor vendimtar për kompanitë që duan të ndërtojnë besim te partnerët globalë.

Borxhi i ulët publik vetëm 17% të Bruto Produktit Vendor, deficiti i zvogëluar nga 512 milionë euro, në vetëm 25 milionë euro, dhe të hyrat rekord tregojnë disiplinë makroekonomike dhe stabilitet fiskal. Kjo na bën një partner të besueshëm për botën, duke e rritur besimin e investitorëve te kompanitë vendore që kërkojnë financim, qoftë makineri, teknologji apo zgjerim.

Rritja mesatare ekonomike në këto 4 vitet e fundit – prej 6%, zgjerimi i Bruto Produktit Vendor vitin e ardhshëm në 12 miliardë, qarkullimi i bizneseve i rritur për 81%, dhe eksportet e dyfishuara dëshmojnë që Kosova po ngritët e po rritet, dhe po e konsolidon pozitën e saj si ekonomi moderne dhe konkurruese. Dhe kjo natyrisht falë të gjithë juve si ndërmarrës që jeni këtu dhe shumë e shumë të tjerë që nuk janë sot në këtë takim të përbashkët.

Në këtë panoramë zhvillimi, industria e drurit qëndron njëmend si një shtyllë e artë. Ju keni treguar se tradita nuk është e kundërt me inovacionin – përkundrazi, është baza e qëndrueshmërisë së tij.

“Made in Kosova” në këtë sektor po fiton terren në tregjet evropiane dhe rajonale, jo si kompromis i cilësisë, por si garanci e saj.

Mjeshtëria artizanale, dizajni bashkëkohor, përkushtimi ndaj cilësisë, puna e ndershme e secilit prej jush, inkuadrimi gjithnjë e më shumë i punëtorëve të kualifikuar e të zot – të gjitha këto së bashku po e ngrejnë industrinë tonë në një nivel të ri.

Ka konkurrencë të fortë, ka kërkesa gjithnjë në rritje për teknologji të reja dhe për profesionistë gjithnjë e më të kualifikuar.

E në këtë rrugëtim, qeveria juaj është partneri juaj. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju fuqizuar dhe për t’ju hapur rrugë të reja zhvillimi. Prandaj po investojmë në:

  • arsim profesional dual, që të kemi të rinj të gatshëm që hyjnë në punë me aftësi konkrete, që mësimin e detyrave dhe të funksioneve që i kryejnë në fabrikat e juaja ta merr barrën shteti dhe jo biznesi;
  • digjitalizim të shërbimeve, që ju të fokusoheni në prodhim e jo në dokumente;
  • inovacion dhe makineri moderne, që çdo kompani të ketë bazën për të qenë konkurrente me më të mirët në rajon e në Evropë, ashtu gjithnjë e më pak të dëgjojmë nga bizneset tona që do të kisha mundur edhe më shumë, edhe më mirë, vetëm ta kisha këtë makinën e re që porsa u prodhua diku në Evropë; pastaj,
  • rritje të kapaciteteve eksportuese, sepse produktet tuaja meritojnë tregje më të mëdha; dhe,
  • standarde të qëndrueshme të menaxhimit të pyjeve, që rritja e industrisë të jetë edhe e përgjegjshme, edhe e qëndrueshme dhe gjithnjë e më shumë edhe nga lënda e parë vendore me aq sa kemi mundësi.

Ne besojmë te talenti juaj. Ne besojmë te puna juaj. Ne besojmë te forca e kësaj industrie për ta çuar Kosovën në tregje më të avancuara.

Vizioni ynë është i qartë:

Kosova të bëhet qendër rajonale e prodhimit të mobileve dhe e produkteve të drurit. Të bëhet një vend i cilësisë, i shpikjes, i dizajnit. Një vend që prodhon materiale dhe identitet.

E për këtë duhet të fillojmë secili nga vetja jonë. Për shembull në Zyrën e Kryeministrit aty ku i presim mysafirët edhe karriget, edhe tavolinat janë produkte të juaja, e kjo është mirë që të ndodhë në të gjitha institucionet e shtetit, në ndërmarrjet publike, por edhe në shtëpitë tona, te të gjithë qytetarët e Republikës e posaçërisht të atyre që përfaqësojnë apo udhëheqin kudo në sistemin tonë politik, ekonomik, kulturor e shoqëror.

Unë, ju falënderoj për punën tuaj të përditshme, për kreativitetin tuaj, për kontributin tuaj në ekonominë dhe në reputacionin e Kosovës, sepse përmes jush po bëhemi një vend i cilësisë, i shpikjes dhe i dizajnit, një vend që prodhon materiale dhe identitet.

Së bashku – si shtet, si industri, si shoqëri – le ta vazhdojmë këtë rrugëtim me vizion të qartë dhe me besim të palëkundur. Dhe më vjen aq mirë kur porsa hyra në këtë sallë majtas ishte një dron i punuar si model prej druri.

Dhe lajmet e fundit tregojnë që Gjermania po e ndihmon Ukrainën për prodhime të tilla të dronëve prej drurit që nuk detektohen nga radarët dhe e falënderoj për këtë informacion Kreshnik Shehun i cili në vend se të më thotë mirëmëngjesi ma tregoj këtë storie.

Uroj ju uroj juve që në këtë edicion të tetë të Konventës së Industrisë së Drurit të sjellim sa më shumë bashkëpunim me njëri tjetrin, ju me njëri tjetrin, bashkë me Qeverinë por edhe t’i informojmë sa më shumë konsumatorët vendorë dhe të huaj për cilësinë që ju prodhoni dhe për dizajnin kreativ që prezantoni.

Andaj, le të bëhemi edhe më shumë bashkë, le të punojmë edhe më shumë për më shumë inovacion dhe më shumë suksese për të gjithë! Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors