Berlin, 24 nëntor 2025
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt kryeqendrës së Gjermanisë, Berlinit. Në fillim të vizitës së tij, u takua me deputetin e Bundestagut nga radhët e CDU-së, Knut Abraham.
Së bashku diskutuan rreth rrugëtimit drejt integrimit evropian të Kosovës dhe progresit të vendit në katër vitet e fundit. Zëvendëskryeministri theksoi se gjatë mandatit tonë qeveritar u punua ndër të tjera në rritjen e punësimit, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe avancimit me zbatimin e agjendës së reformave evropiane.
Aplikimi për anëtarësim në vitin 2022, erdhi si vijimësi edhe e raportit pozitiv për vendin, që ishte tregues i progresit të Kosovës dhe gatishmërisë për hapa tutje në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministri shprehu rëndësinë e trajtimit të aplikimit të Kosovës dhe marrjes së statusit të vendit kandidat. Ai shtoi edhe se, Kosova meriton hapa tutje dhe përfundimin e procesit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi deputetin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rrugëtimit të shtetit tonë drejt integrimit evropian, si dhe për marrëdhëniet e fuqishme dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve tona.


