Vatikan, 23 nëntor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përcolli koncertin e Filharmonisë së Kosovës dhe Korit të Operës së Kosovës në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan, ku u interpretua oratorio La tempesta sul lago e Kardinal Domenico Bartolucci, nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Ai i tha se është një nder i madh të jetë aty, në një vend ku muzika e shenjtë ka formësuar jetën shpirtërore dhe artistike të botës për shekuj me radhë, duke theksuar se në Vatikan, përmes Korit të Kapelës Sistine dhe trashëgimisë së kompozitorëve si Palestrina, Allegri dhe Kardinal Domenico Bartolucci, muzika ka shërbyer prej kohësh si një formë lutjeje, përsiatjeje dhe përkushtimi.
Pas koncertit, kryeministri u shpreh se ky interpretim, e vendosi sërish Kosovën me dinjitet në një prej hapësirave më të vjetra dhe më të përzgjedhura të muzikës së shenjtë. Ai shtoi se mbrëmë u pasqyrua qartë linja jonë historike muzikore, nga Niketë Dardani, te puna themeluese e Lorenc Antonit dhe te Shën Tereza e Kalkutës/Nëna Terezë , që në rininë e saj këndoi në korin e drejtuar prej tij.
Fjala e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesitë Tuaja, të ftuar të shquar, miq të dashur,
Është një nder i madh të jem këtu sonte, në një vend ku muzika e shenjtë ka formësuar jetën shpirtërore dhe artistike të botës për shekuj me radhë. Në Vatikan, përmes Korit të Kapelës Sistine dhe trashëgimisë së kompozitorëve si Palestrina, Allegri dhe Kardinal Domenico Bartolucci, muzika ka shërbyer prej kohësh si një formë lutjeje, përsiatjeje dhe përkushtimi.
Sonte kemi nderin e jashtëzakonshëm të dëgjojmë zërin krijues të thellë të Kardinal Domenico Bartolucci, i njohur nga shumëkush si “Papa muzicient”. Sot këtë do ta përjetojmë përmes oratoriumit të tij të fuqishëm “La tempesta sul lago”. Kardinali Bartolucci, kompozitor dhe dirigjent që ia kushtoi tërë jetën shërbimit muzikor të Kishës deri në ndarjen e tij nga jeta në vitin 2013, e krijoi këtë oratorium për solistë, kor dhe orkestër. Sonte kjo vepër interpretohet nga Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës së bashku me Korin e Operës së Kosovës, nën drejtimin e Maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli. Kjo shënon herën e dytë që Filarmonia e Kosovës ka nderin të performojë në Vatikan.
Kur kthehemi mbrapa në kujtesën muzikore të vendit tonë, gjejmë figura të cilat natyrshëm lidhen me traditën që nderohet këtu. Ndër më të hershmit është Niketas, i njohur në trevat tona si Niketë Dardani, vepra e të cilit përbën një nga shtresat e para të këngës së krishterë në rajonin më të gjerë Dardan. Prania e tij na kujton se, që në kohët e hershme, gjuha shpirtërore dhe muzikore e kultivuar në këtë qytet ishte e pranishme përgjatë shtigjeve tona shpirtërore.
Shumë më vonë, në shekullin XX, Lorenc Antoni i dha kësaj trashëgimie të përbashkët një formë të prekshme dhe të qëndrueshme në Kosovë. Përmes ansambleve të tij, shkrimeve dhe ruajtjes sistematike të këngës tradicionale, ai krijoi kornizën e parë të organizuar përmes së cilës muzika klasike mund të mësohej, praktikohej dhe t’u transmetohej brezave të rinj. Si arritje kulmore që ne e ndajmë sot, ai themeloi shkollën e parë të muzikës në qytetin e Prizrenit në vitin 1948. Kontributi i tij qëndron në një vazhdimësi të natyrshme me kulturën e muzikës së shenjtë, qendra e së cilës ka qenë prej kohësh këtu. Po ashtu është domethënëse të kujtojmë se, në rininë e saj, e jona Shën Tereza e Kalkutës, kushërira e kompozitorit tonë të parë, Lorenc Antonit, këndoi në koret që ai drejtonte dhe mbetet një kujtim i ndritshëm i thellësisë shpirtërore që ndahet në të gjithë rajonin tonë.
Gjatë më shumë se shtatëdhjetë e pesë viteve që nga puna pionere e Antonit, koret, orkestrat, edukatorët dhe institucionet kanë ndërtuar një jetë muzikore të qëndrueshme në Kosovë. Artistët që performojnë sonte, instrumentistët, këngëtarët e korit, solistët dhe dirigjenti i tyre janë një vazhdimësi e gjallë e asaj linje. Prania e tyre këtu, pranë trashëgimisë së Kardinal Bartoluccit dhe nën kujdesin e Fondacionit Bartolucci, është një shprehje të qartë faktike të mënyrës se si kjo trashëgimi e përbashkët është zhvilluar dhe ka lulëzuar.
Kjo bazilikë, ku këndimi, notacioni i hershëm dhe polifonia u kultivuan dhe u përsosën, e bën njeriun të reflektoj se si muzika ruan dhe zgjat kujtesën. Nga neumet e para që udhëhiqnin këndimin në grup, te veprat e shenjta të shekullit XX dhe te “La tempesta sul lago” e Bartoluccit që dëgjohet sonte, muzika e shenjtë përshkon një vijë të pandërprerë që është njëkohësisht shpirtërore dhe thellësisht njerëzore. Kjo mbrëmje bëhet një frazë tjetër e kësaj linje, që bëhet lidhje në mes institucioneve muzikore të Selisë së Shenjtë dhe muzikantëve të Kosovës.
Më lejoni të përmbyll fjalën time me shprehjen shumë të vërtetë të Shën Augustinit, mendimi i të cilit vazhdon të ndriçojë si lutjen ashtu edhe këngën: “Qui bene cantat, bis orat.” (Kush këndon mirë, lutet dy herë.)
Grazie. Ju falemnderit.

















