Prishtinë, 21 nëntor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e tetë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi fytyrën”, që u mbajt në Teatrin “Faruk Begolli” të AAB-së, e në të cilin u nderua koreografi dhe balerini Blenard Azizaj.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se, sonte e nderojmë koreografin dhe balerinin Blenard Azizaj, i cili vjen në Prishtinë pas një trajektore të suksesshme në teatrot e Gjermanisë, Francës, Zelandës së Re, Meksikës, Hong Kongut, Brazilit e të Anglisë.
Ai më tutje tha se çmimi mban emrin “Ta zbardhi fytyrën”, por në të vërtetë janë artistët si Blenardi, të cilët na e zbardhin fytyrën neve, si shoqëri dhe si vende të rajonit.
Duke i uruar për një mbrëmje të bukur dhe suksese gjithnjë e më të mëdha në edicionet e ardhshme, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojnë të mbështesim këso nismash që e forcojnë kulturën tonë dhe e lidhin Kosovën me botën.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Sonte, këtu në Teatrin “Faruk Begolli” të AAB-së, në edicionin e tetë të çmimit “Ta zbardhi fytyrën”, e nderojmë së bashku koreografin dhe balerinin Blenard Azizaj. I lindur në Shqipëri, i formuar si balerin në Greqi, ai vjen në Prishtinë pas një trajektore të suksesshme në teatrot e Gjermanisë, Francës, Zelandës së Re, Meksikës, Hong Kongut, Brazilit e të Anglisë. Nga janari i vitit 2026, Blenardi do të jetë në një tur të ri ndërkombëtar me shfaqjen “Balkan Erotic Epic”, duke e çuar në skena botërore një gjuhë të veçantë të trupit dhe të Ballkanit.
Ky çmim mban emrin “Ta zbardhi fytyrën”, por në të vërtetë janë artistët si Blenardi, të cilët na e zbardhin fytyrën neve, si shoqëri dhe si vende të rajonit. Prania e tij në Prishtinë është nder për skenën tonë kulturore dhe artistike, si dhe frymëzim për brezat e rinj të valltarëve e të koreografëve.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dua të theksoj se do të vazhdojmë të mbështesim këso nismash që e forcojnë kulturën tonë dhe e lidhin Kosovën me botën.
Ju uroj një mbrëmje të bukur dhe suksese gjithnjë e më të mëdha në edicionet e ardhshme.
























