Kryeministri Kurti mori pjesë në tryezën me temë “Sfidat dhe përmirësimi i funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim”

Prishtinë, 17 nëntor 2025


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Sfidat dhe përmirësimi i funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim”.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve të shumtë institucionalë vendorë e ndërkombëtarë, kryeministri Kurti tha se gjatë qeverisjes më shumë se katër vjeçare ndërtimi i politikave të cilat e lehtësojnë jetën dhe qasjen e komuniteteve joshumicë dhe e bëjnë të ndjeshme dorën e shtetit, kanë qenë lart në prioritetet tona.

Ai më tej shtoi se gjatë këtyre katër vjetëve janë zhvilluar 9 takime me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, andaj kjo tryezë është edhe një moment përmbledhës, për të parë pas në kohë, e për të shqyrtuar ato se çfarë kemi arritur si qeveri në këtë mandat, si dhe për të reflektuar nga takimet e bisedat e shumta me anëtarë të komuniteteve joshumicë.

“Ministria për Komunitete dhe Kthim, me në krye Nenad Rashiq, ka kontribuar në ndarjen e granteve për fermerë, ndërmarrës të rinj, për organizata joqeveritare për projekte për komunitete, ka financuar mbi 400 projekte për përfituesit nga komunitetet nga fusha e edukimit, kulturës, sportit, shëndetësisë, në vlerë të gjithmbarshme prej 1,4 milionë euro. Për të ndikuar pozitivisht në jetën e komuniteteve, janë ndërtuar dhe rinovuar mbi 170 shtëpi për të siguruar kthim të qëndrueshëm dhe integrim për komunitetet joshumicë, si dhe janë ndërtuar 34 apartamente për familje përfituese që kanë jetuar në qendra kolektive për Banorët e Qendrave Kolektive në Kosovë”, tha kryeministri.

Kryeministri me këtë rast theksoi se në bashkëpunim me komunat, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka realizuar 14 projekte infrastrukturore për komunitetet joshumicë, ka rritur subvencionet për pajisje efiçiente dhe ka nxitur punësimin përmes programit “Kosova Generation Unlimited” si dhe masave të punësimit si ajo për deri në 2,000 banorë të komunave Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, dhe veri i Mitrovicës.

Ndërkaq, shtoi se në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, kemi përkrahur 3,000 të rinj nga komunitetet joshumicë dhe Organizatat Joqeveritare në përfitimin e aftësive në menaxhimin e projekteve. Janë regjistruar 819 biznese të reja në komunat veriore të vendit, si dhe në infrastrukturë ndamë 3.9 milionë euro për rrugë në vendet e banuara me komunitetet joshumicë në këto komuna: Dragash, Graçanicë, Istog, Kllokot, Mamushë, veri të Mitrovicës, Novobërdë, Partesh, Prizren, Ranillug dhe Shtërpcë.

“Mirëpres diskutimet që do të zhvillohen në këtë tryezë, me optimizmin se nga ky takim do të dalim me më shumë ide se si të zhvillojmë iniciativa të reja, ta forcojmë bashkëpunimin e ta rrisim zbatimin që të kontribuojmë për të mirën e përbashkët. Sepse komunitetet janë pjesë e jona, pjesë e shoqërisë, dhe duhet ta bëjmë maksimumin jo vetëm që secila e secili të ndihet i integruar në sferat shoqërore, por edhe të jetë në kushtet e përshtatshme që të japë kontributin e vet, të përfitojë për vete e për familjen, dhe të lë gjurmë në zhvillimin e shtetit tonë të përbashkët.” tha kryeministri.

Përfundoi fjalën e tij duke shprehur se qeverinë do ta kenë përherë përkrah kudo, siç e kanë pasur edhe në këto më shumë se katër vite të mandatit qeverisës.

Kjo tryezë e rrumbullakët u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionit në Kosovë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Nenad Rashiq, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari Elbert Krasniqi, ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal,
I nderuari Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës,
I nderuari Lendrit Qeli, Udhëheqës i Zyrës dhe kryesues i Kolegjiumit të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës,
I nderuari Shef i Misionit të OSBE-së, ambasador Gerard McGurk,
Të nderuar zyrtarë komunalë të komuniteteve,
Përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale prej komuniteteve, dhe
Të nderuar partnerë të tjerë ndërkombëtarë nga IOM, dhe përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Ndërtimi i politikave të cilat e lehtësojnë jetën dhe qasjen e komuniteteve joshumicë dhe e bëjnë të ndjeshme dorën e shtetit, kanë qenë lart në prioritetet tona qeverisëse. Në këto më shumë se katër vite, jemi angazhuar që asnjë qytetar të mos mbetet i harruar apo pa përkujdesjen e shtetit. Prandaj e kemi pasur të rëndësishme dhe të nevojshme koordinimin edhe me komunat në nivelin lokal, përkatësisht edhe me zyrat për Komunitete dhe Kthim, në mënyrë që qasja të jetë gjithëpërfshirëse.

Së bashku i kemi pasur në total 9 takime në katër vitet e fundit. Sot jemi bërë bashkë për të diskutuar mbi temën “Sfidat dhe Përmirësimi i Funksionimit të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim”. E për mua është edhe një moment përmbledhës, për të parë pas në kohë, e për të shqyrtuar ato se çfarë kemi arritur si qeveri në këtë mandat, si dhe për të reflektuar nga takimet e bisedat e shumta me anëtarë të komuniteteve joshumicë.

Ministria për Komunitete dhe Kthim, me në krye Nenad Rashiq, ka kontribuar në ndarjen e granteve për fermerë, ndërmarrës të rinj, për organizata joqeveritare për projekte për komunitete, ka financuar mbi 400 projekte për përfituesit nga komunitetet nga fusha e edukimit, kulturës, sportit, shëndetësisë, në vlerë të gjithmbarshme prej 1,4 milionë euro. Për të ndikuar pozitivisht në jetën e komuniteteve, janë ndërtuar dhe rinovuar mbi 170 shtëpi për të siguruar kthim të qëndrueshëm dhe integrim për komunitetet joshumicë, si dhe janë ndërtuar 34 apartamente për familje përfituese që kanë jetuar në qendra kolektive për Banorët e Qendrave Kolektive në Kosovë.

Në bashkëpunim me komunat, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka realizuar 14 projekte infrastrukturore për komunitetet joshumicë, ka rritur subvencionet për pajisje efiçiente dhe ka nxitur punësimin përmes programit “Kosova Generation Unlimited” si dhe masave të punësimit si ajo për deri në 2,000 banorë të komunave Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, dhe veri i Mitrovicës.

Në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, kemi përkrahur 3,000 të rinj nga komunitetet joshumicë dhe organizatat joqeveritare në përfitimin e aftësive në menaxhimin e projekteve. Janë regjistruar 819 biznese të reja në komunat veriore të vendit tonë dhe janë hapur zyra me shërbime publike për banorët e komunave. Nga bursat për studentët kanë përfituar edhe të rinjtë nga komunitetet, ndërkaq në infrastrukturë ndamë 3.9 milionë euro për rrugë në vendet e banuara me komunitetet joshumicë në këto komuna: Dragash, Graçanicë, Istog, Kllokot, Mamushë, veri të Mitrovicës, Novobërdë, Partesh, Prizren, Ranillug dhe Shtërpcë.

Puna e zhvilluar është e rëndësishme dhe e vlefshme, për komunitetet joshumicë, për rritjen dhe nxitjen e punësimit, për shërbime publike efikase, kushte të dinjitetshme të jetesës, për më shumë siguri dhe prosperitet për të gjithë. Edhe me më shumë peshë për ne, është vazhdimi i këtij ritmi dhe krijimi i mundësive të reja të cilat avancojnë progresin për komunitetet joshumicë gjithandej.

Mirëpres diskutimet që do të zhvillohen në këtë tryezë, me optimizmin se nga ky takim do të dalim me më shumë ide se si të zhvillojmë iniciativa të reja, ta forcojmë bashkëpunimin e ta rrisim zbatimin që të kontribuojmë për të mirën e përbashkët. Sepse komunitetet janë pjesë e jona, pjesë e shoqërisë, dhe duhet ta bëjmë maksimumin jo vetëm që secila e secili të ndihet i integruar në sferat shoqërore, por edhe të jetë në kushtet e përshtatshme që të japë kontributin e vet, të përfitojë për vete e për familjen, dhe të lë gjurmë në zhvillimin e shtetit tonë të përbashkët.

Andaj në këtë prizëm, nuk bën që të kemi në një komunë zyrë shumë më efikase e në një tjetër komunë jo. Duhet sa më shumë koordinim dhe bashkëpunim edhe mes vetë komunave përveçse atë me nivelin qendror, në mënyrë që të shpërndahet dija, të shkëmbehen përvojat, të testohen idetë dhe format e metodat të cilat funksionojnë dhe japin rezultate të prekshme. Qeverinë do ta keni përherë përkrah kudo, siç e keni pasur edhe në këto më shumë se katër vite të mandatit tonë.

Ju faleminderit për pjesëmarrjen e vëmendjen dhe ju dëshiroj diskutime dhe punime të mbara e të frytshme.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors