Fjala e Kryeministrit Kurti në përurimin e çerdhes së re në Koretin të Kamenicës

Të nderuar të pranishëm, prindër, edukatore,
Zonja dhe zotërinj,
I nderuari kryetar Rahimaj,
E nderuara Ministre Nagavci,
Të nderuar punëtorë të kësaj çerdhe, që do të shërbejnë rreth 120 fëmijë,
stafi i kuzhinës popullore,
Shumë të dashur qytetarë të Kamenicës,

Po vijmë këtu që të inaugurojmë një çerdhe e cila është tejet e vlefshme, për fëmijët e vegjël që fillojnë e bëhen nxënës edhe pa shkuar në shkollë dhe në këtë mënyrë i marrin hapat e parë të arsimimit e të edukimit të tyre.

Janë pa numër studime të cilat kanë treguar që, sa më herët që fëmijët shkojnë në sistemin arsimor, atëherë edhe ngritja e tyre intelektuale, por edhe karriera e mëvonshme profesionale avancojnë më shpejt dhe më mbarë.

Gjithashtu dua të falënderoj edhe kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj, pa insistimin dhe vizionin e të cilit, natyrisht që gjërat nuk do të kishin ecur kaq shpejt dhe është pikërisht kryetari Rahimaj, ai i cili i ka vënë në fokus politikat për fëmijët, politikat për nënat, në mënyrë që popullsia këtu, të ketë edhe arsimim e edukim në njërën anë, por në anën tjetër gjithashtu të ketë edhe sa më shumë kohë për gratë, të cilat kur i sjellin fëmijët e tyre këtu, mund të kthehen në tregun e punës ose mund të vazhdojnë shkollimin e avancimin e vetë atyre, të cilin mund ta kenë ndërprerë për shkak të lindjes së fëmijëve.

Rikthimi i grave në tregun e punës dhe përfundimi i studimeve dhe avancimi në karrierë për nënat është aq shumë i lidhur me çerdhet për fëmijë. Këtu i pamë tavanet e larta, pastërtia e rregulli, standardet moderne, ndriçimi i këndshëm e i duhur, hapësirat e gjëra, shtretërit, karriget, banjot dhe natyrisht që sot na e mbush zemrën me gëzim inaugurimi i kësaj çerdheje, që është përmbushje e premtimit e zotimit të kryetarit Rahimaj, por njëkohësisht edhe një nevojë edhe kërkesë e kahmotshme e prindërve për këtë çerdhe këtu.

Përveç se do të kemi në vazhdimësi më shumë çerdhe e edukim për fëmijët, njëkohësisht do të kemi edhe një politikë tjetër të kryetarit Kadri Rahimaj, që do ta ndihmojmë si Qeveri, e cila është mësimi tërëditor në komplet komunën e Kamenicës, e që nënkupton se do të ketë edhe kuzhinë qendrore, sepse mësimi tërëditor pa kuzhinën qendrore nuk është i mundshëm. Dhe jo vetëm kaq, ushqimi në kuzhinën qendrore do të jetë i shëndetshëm, sipas nutricionistëve që e kanë ushqimin shkencë dhe me përbërës të balancuar për të gjitha moshat.

Unë ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen dhe ju falënderoj shumë për përkushtimin e madh që keni, edhe Ministria e Arsimit edhe Komuna e Kamenicës, por edhe drejtorja, mësimdhënësit, edukatorët dhe të gjithë ata që kujdesen për fëmijët, që do ta kenë qeverinë përherë pranë për këtë mision fisnik: për ata që janë edhe e tashmja, edhe e ardhmja e Kamenicës dhe Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors