Përurohet çerdhja e re në Koretin të Kamenicës 

Koretin, Kamenicë, 9 tetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, morën pjesë në ceremoninë përuruese të çerdhes në fshatin Koretin të Kamenicës. 

Çerdhja e re në këtë fshat ka kapacitet të akomodojë afër 120 fëmijë. Ajo është investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vlerë prej 741 mijë euro. Ndërtimi i çerdhes ka qenë një nevojë edhe kërkesë e kahmotshme e banorëve të kësaj zone. 

Me rastin e inagurimit, kryeministri Kurti tha se hapja e kësaj çerdhe është tejet e vlefshëm për fëmijët e vegjël që do të marrin hapat e parë të arsimimit e të edukimit të tyre aty. Duke i uruar banorët për objektin e ri, kryeministri falënderoi kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj, i cili, siç u shpreh kryeministri, ka vënë në fokus politikat për fëmijët dhe për nënat, në mënyrë që fëmijët këtu të kenë edhe arsimim e edukim, por edhe gratë të kenë sa më shumë kohë dhe mbështetje, në mënyrë që ato të mund kthehen në tregun e punës ose të mund të vazhdojnë shkollimin e avancimin e tyre, e që mund ta kenë ndërprerë për shkak të lindjes dhe nevojës për kujdesin e fëmijëve.  Ai gjithashtu i dha mbështetje të plotë kryetarit Rahimaj dhe komunës së Kamenicës për planet e tyre për mësim gjithë-ditor. 

Ministrja Nagavci, tha se jemi gjithmonë bashkërisht në angazhimin tonë që të kontribuojmë për fëmijët tanë, për nxënësit edhe për stafin, i cili punon me fëmijët tanë për çdo ditë. “Kjo çerdhe nuk është vetëm një objekt, nuk është vetëm një hapësirë me ambiente sipas standardeve më bashkëkohore, por është një mundësi që u ofrohet fëmijëve të Koretinit  që të fillojnë edukimin që nga mosha e hershme, e i cili është krucial për zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm”, u shpreh ajo. Ministrja Nagavci gjithashtu u shpreh e lumtur që rreth 70 fëmijë veçse janë regjistruar për të vijuar edukimin në këtë çerdhe.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se nga viti 1982 kur është ndërtuar çerdhja e parë në Kamenicë nuk ka pasur asnjë çerdhe tjetër publike për më shumë se katër dekada. “Me përkushtimin tonë, angazhimin tonë, bashkërendimin e aktiviteteve me ministritë konkrete, në këtë rast me Ministrinë e Arsimit, Kamenica po i gëzon edhe dy çerdhe të reja dhe se kjo ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit tonë të drejtpërdrejtë”, tha ai, 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

Të nderuar të pranishëm, prindër, edukatore, 
Zonja dhe zotërinj, 
I nderuari kryetar Rahimaj, 
E nderuara Ministre Nagavci, 
Të nderuar punëtorë të kësaj çerdhe, që do të shërbejnë rreth 120  fëmijë, 
stafi i kuzhinës popullore, 
Shumë të dashur qytetarë të  Kamenicës,  

Po vijmë këtu që të inaugurojmë një çerdhe e cila është tejet e vlefshme, për fëmijët e vegjël që fillojnë e bëhen nxënës edhe pa shkuar në shkollë dhe në këtë mënyrë i marrin hapat e parë të arsimimit e të edukimit të tyre. 

Janë pa numër studime të cilat kanë treguar që, sa më herët që fëmijët shkojnë në sistemin arsimor, atëherë edhe ngritja e tyre intelektuale, por edhe karriera e mëvonshme profesionale avancojnë më shpejt dhe më mbarë.

Gjithashtu dua të falënderoj edhe kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj, pa insistimin dhe vizionin e të cilit, natyrisht që gjërat nuk do të kishin ecur kaq shpejt dhe është pikërisht kryetari Rahimaj, ai i cili i ka vënë në fokus politikat për fëmijët, politikat për nënat, në mënyrë që popullsia këtu, të ketë edhe arsimim e edukim në njërën anë, por në anën tjetër gjithashtu të ketë edhe sa më shumë kohë për gratë, të cilat kur i sjellin fëmijët e tyre këtu, mund të kthehen në tregun e punës ose mund të vazhdojnë shkollimin e avancimin e vetë atyre, të cilin mund ta kenë ndërprerë për shkak të lindjes së fëmijëve. 

Rikthimi i grave në tregun e punës dhe përfundimi i studimeve dhe avancimi në karrierë për nënat është aq shumë i lidhur me çerdhet për fëmijë. Këtu i pamë tavanet e larta, pastërtia e rregulli, standardet moderne, ndriçimi i këndshëm e i duhur, hapësirat e gjëra, shtretërit, karriget, banjot dhe natyrisht që sot na e mbush zemrën me gëzim inaugurimi i kësaj çerdheje, që është përmbushje e premtimit e zotimit të kryetarit Rahimaj, por njëkohësisht edhe një nevojë edhe kërkesë e kahmotshme  e prindërve për këtë çerdhe këtu.  

Përveç se do të kemi në vazhdimësi më shumë çerdhe e edukim për fëmijët, njëkohësisht do të kemi edhe një politikë tjetër të kryetarit Kadri Rahimaj, që do ta ndihmojmë si Qeveri, e cila është mësimi tërëditor në komplet komunën e Kamenicës, e që nënkupton se do të ketë edhe kuzhinë qendrore, sepse mësimi tërëditor pa kuzhinën qendrore nuk është i mundshëm. Dhe jo vetëm kaq, ushqimi në kuzhinën qendrore do të jetë i shëndetshëm, sipas nutricionistëve që e kanë ushqimin shkencë dhe me përbërës të balancuar për të gjitha moshat.

Unë ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen dhe ju falënderoj shumë për përkushtimin e madh që keni, edhe Ministria e Arsimit edhe Komuna e Kamenicës, por edhe drejtorja, mësimdhënësit, edukatorët dhe të gjithë ata që kujdesen për fëmijët, që do ta kenë qeverinë përherë pranë për këtë mision fisnik: për ata që janë edhe e tashmja, edhe e ardhmja e Kamenicës dhe Republikës së Kosovës. 

Faleminderit shumë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors