Prishtinë, 8 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës bënë pranimin e kontenjerëve me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger të cilët arritën sot në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger janë dronë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut. Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët.
“Ne jemi duke investuar që ushtria jonë, Forca e Sigurisë së Kosovës, të ketë forcë të aftë dhe koherente, si me zhvillimet e reja teknologjike ashtu edhe me taktikat e luftës bashkëkohore. Sot është një ditë e gëzuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe e jashtëzakonshme për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Dronët Skydagger i shtohet kontingjentit të fluturakeve pa pilot të Forcës së Sigurisë së Kosovës, TB2 Bayraktar (prodhim turk) dhe fluturakeve Puma (prodhim amerikan).







