Prishtinë, 7 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nderuar sot me çmimin “Alumni Nderi” i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Me rastin e pranimit të këtij çmim, kryeministri u shpreh se ky nuk është vetëm nder personal për të, por një përgjegjësi e madhe gjithashtu.
“Ky është një nder që më lidh thellë me këtë universitet, me historinë dhe me aktualitetin e tij, me studentët e profesorët që e kanë formuar dhe vazhdojnë ta formojnë atë. Filloi me rektorin Dervish Rozhaja, rifilloi me rektorin Ejup Statovci dhe po vazhdon me rektorin Arben Hajrullahu. Universiteti si universi dhe universalja është totali pa totalitarizmin. Faleminderit Universitetit “Hasan Prishtina”, për besimin dhe për mundësinë që të jem pjesë e historisë së tij. Ne do të vazhdojmë të punojmë që ky universitet të mbetet burim frymëzimi, sovraniteti dhe dijesh për të gjithë studentët dhe për Kosovën tonë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë ceremoni, e cila u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, çmimi “Alumni Nderi” i Universitetit të Prishtinës iu nda edhe Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari profesor Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës,
E nderuara znj.Arbërie Nagavci, ministre në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Të nderuar rektorë e dekanë, prodekanë e profesorë të Universiteteve tona,
Të dashur studentë,
Të dashur Alumni të Universitetit të Prishtinës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur këtu, mes profesorëve e studentëve në javën e parë të këtij viti akademik. Dhe nuk është rastësi që pikërisht “1 Tetori”, dita kur ju keni filluar vitin tuaj akademik, është përcaktuar si Dita e Studentëve. Nga njëra anë me peshën historike të vet, nga ana tjetër me emrin e studentit, mbartësit kyç e subjektit të dijes.
Të nderuar të pranishëm, më lejoni t’ju flas përveç si kryeministër edhe si student i këtij universiteti. E shoh veten si njeri i afërt dhe njëkohësisht i lidhur me të shkuarën e po ashtu të ardhmen e këtij universiteti.
Që nga themelimi i universitetit nuk ka ngjarje që të mos e ketë në zanafillën e vet apo në përmbajtjen e vet emrin e studentit. Universiteti u themelua për të pasur kuadro profesionale dhe bartës të guximit. Ai shërbeu si mënyra më e lartë e protestës ndaj okupimit e sundimit, duke treguar se dija kur bëhet ndërgjegje, është gjithmonë akt lirie. Universiteti e ndan historinë tonë në dy kohë. Prishtina para dhe pas universitetit të saj. Dhe po kështu, fati i Kosovës është i pandarë nga fati i Universitetit të Prishtinës. Andaj, u drejtohem rektorit dhe profesorëve me imperativin: Universiteti “Hasan Prishtina” duhet të jetë domethënia më e madhe ndërkombëtare e jona. Është detyrë ta bëjmë këtë universitet më të lartin në rajon. Sepse asnjë universitet tjetër i rajonit nuk ka pasur një arsye të tillë të ekzistencës politike dhe publike, si Universiteti “Hasan Prishtina”, me qenien publike të Republikës tonë.
Diçka thelbësore në përkufizimin e universitetit, por dhe arsyeja e dytë se përse na kërkohet ta bëjmë shumë të suksesshëm këtë universitet është vetë studenti, si pikëprerja midis intelektualit dhe qytetarit. Në historinë e Kosovës studenti është dëshmuar si subjekt. Në një student janë të gjitha të mundshmet: jo vetëm disiplinat, fushat, por edhe vetë të ardhmet e njerëzimit.
Së treti, është horizonti në të cilin po punon universiteti kudo në botë. Filozofi Zhan Fransua Liotar para gati pesë dekadash paralajmëronte zbehjen e gradës politike të universitetit në shkollë të lartë, në institut e në politeknikë. Reduktimi i politikës në teknikë dhe i demokracisë në procedura ka sjellë në reduktimin e studentit në ofrues të ftohtë ekspertizash, disi eksportues të dijeve pa njëfarë peshe të autoktonisë. Le të kujtojmë dallimin mes dijes dhe vetëdijes: nëse dija profesionale është e përqendruar te ndërtimi i kapitaleve të çdo lloji, intelektuali është ai (siç e përkufizonte Zhan Pol Sartri), si zbuluesi i konfliktit të pareshtur mes mendimit të njeriut modern dhe kushtit njerëzor të kapitalit. Dhe, nuk ka vend tjetër të ndërgjegjësimit mbi këtë rol sikur te një vend, sikur te ky vend, që quhet: universitet.
Së katërti: mendimi është ai që e cilëson dijen. Ne mund të mbledhim dije, por ato janë të pafundme, dhe si të tilla nuk e kanë të dhënë natyrshëm orientimin e tyre. Asnjëri prej nesh nuk zotëron tërë dijet, por secili prej nesh ka për detyrë mendimin. Dija eksperte, po qe se realizohet pa vetëdijen publike, e bën njeriun disi indiferent. Këtë dukuri mund ta quajmë dije e ftohtë. Historia e Kosovës, me studentët dhe profesorët e saj, është pikërisht rruga që falë ngrohtësinë, e nganjëherë edhe nxehtësinë, e mendimit teksa zbulonte ligjet e tmerrshme dhe anti-njerëzore të asaj kohe. Në atë rrugë studenti nuk ishte më vetëm ai i dijes profesionale, por edhe i mendimit politik. Prandaj, thirrja ime është që ta mirëmbajmë këtë. Edhe dije profesionale edhe mendim politik. Jo njëra pa tjetrën.
Së pesti, është universiteti në kontekstin e sotëm teknologjik. Përveç specializimit gjithnjë e më të ngushtë të disiplinave, për hir të kërkesave të gjithanshme të tregut dhe konsumit, po depërton gjithnjë e më masivisht përdorimi intensiv i inteligjencës artificiale. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm për diçka: përdorimi i dijes profesionale, pa mendimin për publiken, është tashmë dije artificiale. Kjo është më artificiale sesa çdo dije virtuale që mbështetet deri tani në të dhënat e depozituara nga inteligjenca natyrore e njeriut. Inteligjenca artificiale teksa e përdorim, teksa e mirëpërdorim shpresoj, nuk bën të na nxisë drejt përdorimit të ngutshëm dhe të pareflektuar të dijes artificiale. Në një farë mënyre, artificiale do të thotë të dish pa menduar. Ndërsa, për njeriun duhet të jetë një tjetër princip besoj: çdo dije duhet të jetë procesor i mendimit, qoftë edhe dija më teknike. Përballë inteligjencës artificiale e cila në mos për asgjë tjetër është bërë e nevojshme sepse e pashmangshme nevojitet që dija jonë të mos jetë artificiale. Pra le ta përdorim, mirëpërdorim shpresoj, inteligjencën artificiale por gjithnjë në mendje që dija të mos bëhet artificiale.
Gjithë çka po them, po e them mes studentëve dhe profesorëve këtu të Universitetit “Hasan Prishtina”, me dëshirën e sinqertë për të përcjell një bindje thelbësore: se nuk ka dije e cila nuk është e pajisur me karakter publik. Dija, në thelb nuk është dije private, dija është gjithmonë shërbim ndaj shoqërisë, ndaj të përbashkëtës njerëzore. Çdo përpjekje për ta reduktuar atë në ndonjë interes tjetër, është në fakt një braktisje ndaj vetë mendimit dhe misionit të dijes.
Andaj, ne si institucione të shtetit, nga Qeveria, ministria e deri te Universiteti, bartim përgjegjësinë e përbashkët që dija të shpërndahet drejt dhe si duhet. Si qeveri kemi synuar në tri drejtime:
1. Përcaktimin e buxheteve të qarta, jo vetëm për të siguruar autonominë universitare dhe pedagogjike, por sidomos mundësimin e progresit të kërkimit shkencor dhe të botimeve shkencore. Kemi nisur që në fillim të këtij mandati me projekte të vogla dhe ndihmën për botime në revista. Sepse cilësia e universitetit është e lidhur me sovranitetin e shtetit. Andaj edhe duhej Programi Kombëtar i Shkencës;
2. Ndihmën shtetërore për përmbushjen e burimeve njerëzore që do t’i nevojiteshin një universiteti të plotësuar. Kjo duhet të niste me rikthimin e Agjencisë së Akreditimit në ENQA dhe EQAR, por edhe me bursat për master dhe doktoratë në universitete prestigjioze. Nuk është ndihmë vetëm për studentët si persona, por si studentë të universitetit tonë. Do të ndihmojmë progresivisht mobilitetin e studentëve dhe profesorëve. E unë po vij këtu nga mbledhja e Qeverisë, ku porsa e aprovuam Bursën e Mobilitetit për studentët e nivelit bachelor. Kjo bursë do të jetë mbështetje shtesë për studentët në nevojë, dhe shuma e mbështetjes do të varet nga distanca ndërmjet vendbanimit dhe vendit ku studiojnë studentët. Sot kemi një bazë të mirë edhe me programin Horizon Europe, financim ky prej 600 mijë euro, programin Cepus për mobilitetet, por edhe programin Erasmus;
3. Lirimi i studentëve nga pagesa e studimeve, mbështetja e studentëve në fushat deficitare, ndihma me bursa për vajzat që zgjedhin të studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) dhe për qytetarët e komuniteteve pakicë e rrit së bashku vërtetësinë e karakterit publik të Universitetit tonë.
Të nderuar profesorë dhe studentë,
Ju mund t’i jepni qytetit e shtetit figurat e së ardhmes dhe të besimit. Le ta shohim këtë ngjarje, si ngjarje që mishëron fuqinë e studentit. Universiteti i Prishtinës është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Kosovës. Andaj, duhet mbajtur gjallë si ngjarje dhe si kumt, si zhvillim e krijim intelektual dhe si infrastrukturë e profesioneve dhe akademikëve. Qeveria e Kosovës do t’i përgjigjet të gjitha kërkesave që vijnë prej universitetit.
Të nderuar profesorë, studentë dhe pjesëmarrës të tjerë,
I nderuari Rektor,
Pranimi i këtij çmimi, “Alumni i Nderit”, nuk është vetëm nder personal për mua, por një përgjegjësi e madhe gjithashtu. Ky është një nder që më lidh thellë me këtë universitet, me historinë dhe me aktualitetin e tij, me studentët e profesorët që e kanë formuar dhe vazhdojnë ta formojnë atë. Filloi me rektorin Dervish Rozhaja, rifilloi me rektorin Ejup Statovci dhe po vazhdon me rektorin Arben Hajrullahu. Universiteti si universi dhe universalja është totali pa totalitarizmin.
Faleminderit Universitetit “Hasan Prishtina”, për besimin dhe për mundësinë që të jem pjesë e historisë së tij. Ne do të vazhdojmë të punojmë që ky universitet të mbetet burim frymëzimi, sovraniteti dhe dijesh për të gjithë studentët dhe për Kosovën tonë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët.
Ju faleminderit!




















