Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 270-të të Qeverisë

Prishtinë, 7 tetor 2025

Të nderuar zëvendëskryeministra, 
Të nderuar ministra e zëvendësministra,

Mirë se po takohemi në këtë mbledhje të radhës të qeverisë, e 270-ta me radhë.

Përderisa formimi i institucioneve të reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende mbahet pezull, ekonomia e vendit vazhdon të rritet duke shënuar rritje prej 4.58% të Bruto Produktit Vendor në tremujorin e dytë të këtij viti. E bashkë me ekonominë rriten edhe të hyrat buxhetore, të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje prej 10% krahasuar me vitin paraprak.

Si qeveri që ka për bazë interesin e qytetarëve, tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me të gjithë qytetarët: sepse kur rritja ndahet, ajo shumohet, kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri rritet kërkesa agregate në ekonomi, e kësisoj vazhdon vit pas viti performanca e mirë ekonomike.

Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike, me rastin e fillimit të vitit akademik, sot do të miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro, shumë e njëhershme, për të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret, ashtu që ata dhe familjet e tyre ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që ndërlidhen me fillimin e vitit të ri akademik.

Por mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Të dashur studentë, sot do të miratojmë edhe përmbushjen e njërit prej premtimeve kyçe të Qeverisë Kurti 3, atë për Bursën e Mobilitetit për Studentë të nivelit Bachelor. Kjo bursë do të jetë masë e përhershme dhe mbështetje e vazhdueshme, për studentët në nevojë, dhe shuma e mbështetjes do të varet nga distanca ndërmjet vendbanimit dhe vendit ku ju studioni. Pra, sa më larg që u bie ta keni universitetin ku studioni, aq më e madhe do të jetë mbështetja.

E në rend të ditës kemi një listë vendimesh tjera që presin miratimin tonë. Në mesin e tyre, disa që kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore me rëndësi për vendin dhe për qytetarët, siç është vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave publike për investimet në deponinë sanitare në komunën e Pejës; vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e urës së dytë të re mbi lumin Ibër, urës për këmbësorë, e cila është në ndërtim e sipër; si dhe vendimi për shpronësim të pronave për ndërtimin e kyçjes së Vitisë në Autoudhën “Arbër Xhaferi” (Prishtinë-Hani i Elezit).

Pastaj kemi disa vendime tjera të fushës sociale si ai për ndarjen e 2.5 milionë eurove për rimbursimin e prindërve, përkatësisht subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për këtë vit shkollor, ndarjen e 1 milion eurove për zbatimin e masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe miratimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.

Por, para se të nisim mbledhjen, më lejoni që të adresoj deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë, Vuçiq, dhe veprimet e vazhdueshme të akterëve shtetërorë dhe joshtetërorë të Serbisë, që nuk kanë sesi të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Republikën e Kosovës.

Premtimet për vende të punës, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me benificione sociale, dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se ‘vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë’ – siç bëri tash së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë Vuçiq – janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.

Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. E megjithëkëto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian. Andaj, Serbia nuk ndryshon sjellje.

Kjo ndërhyrje që bën Serbia në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë.

I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë, shtet ky kandidat për anëtarësim në BE, për veprimet të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin Marrëveshjen Bazë të Brukselit.

Ju falemnderit. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors