Prishtinë, 6 tetor 2025
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ministren për Evropë, Integrim dhe Familje të Austrisë, Claudia Plakolm dhe Sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane, të Drejtë Ndërkombëtare, Mbrojtje të Interesave dhe Diplomaci Ekonomike të Sllovenisë, Neva Grašič.
Duke ju uruar mirëseardhjen në vendin tonë, zëvendëskryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Austrisë dhe Sllovenisë për partneritetin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm, si dhe mbështetjen veçanërisht në rrugën drejt integrimit evropian.
Në vijim, zëvendëskryeministri foli për zhvillimin ekonomik dhe progresin demokratik të vendit në katër vitet e fundit. Ai theksoi rritjen ekonomike mesatarja e të cilës ka qenë më e larta në rajon gjatë qeverisjes sonë, uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.9%, politikat rishpërndarëse me shtesa për nënat lehona dhe fëmijët, rritjen e pensioneve, rritjen e pagës minimale, zbatimin e reformave si programi për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative dhe avancimi në rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe hapa të rëndësishëm si arritja e liberalizimit të vizave dhe aplikimi për anëtarësim në BE, me objektiv marrjen e statusit të vendit kandidat.
Mbi këtë fundit zëvendëskryeministri theksoi se progresi i Kosovës dhe indikatorët makroekonomikë të vendit shërbejnë si pasqyrë e zhvillimit të shtetit dhe dëshmi për Bashkimin Evropian se vendi ynë meriton të arrijë hapa të mëtejshëm përpara drejt integrimit evropian.
Në takim u bisedua edhe mbi Planin e Rritjes, Procesin e Berlinit, zgjerimin e BE-së, procesin e dialogut, situatën e sigurisë në rajon e nevojën për heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës.












