Vendoset gurthemeli i objektit të shkollës së re fillore dhe të çerdhes për fëmijë në lagjen e Boshnjakëve

Mitrovicë e veriut, 3 tetor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavcin, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të shkollës së re fillore dhe të çerdhes për fëmijë në lagjen e Boshnjakëve, në komunën e Mitrovicës së veriut, investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Objekti i ri do të ketë nëntë klasa të shkollës fillore dhe një klasë të çerdhes për fëmijë, me ç’rast do të ketë edhe bibliotekë, sallë të arsimtarëve, kabinete e kështu me radhë, në mënyrë që kushtet të jenë moderne, për mësimdhënie sa më të mirë dhe po ashtu për mësimnxënie me standardet më të larta.

Kryeministri Kurti tha se kostoja e përgjithshme është rreth 4 milionë e 152 mijë euro dhe që punimet do të kryhen për 18 muaj, që do të thotë se përurojmë këtë shkollë në lagjen e Boshnjakëve në pranverën e vitit 2027. Sipërfaqja e shkollës do të jetë rreth 2500 metra katrorë, ndërkaq rreth 760 metra katrorë do të jetë e çerdhes për fëmijë. Do të akomodojë afër 500 fëmijë, prej tyre rreth 400 për shkollim fillor dhe mbi 70 për edukim të hershëm, pra çerdhe.

Kryeministri Kurti falënderoi shumë ata të cilët kontribuan dhe e ideuan ndërtimin e shkollës, dhe uroi punime të shpejta dhe të mbara.

Kryetari Atiq e quajti një ditë historike vendosjen e gurthemelit sot, ndërkaq ministrja Nagavci njoftoi se, përveç kësaj shkolle, janë në finalizim të përgatitjeve për fillimin e ndërtimit të edhe një shkolle të re tjetër në Mitrovicën e veriut.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors