Kryeministri Kurti takoi kongresisten republikane Kat Cammack

Washington D.C., ShBA, 30 shtator 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, takoi kongresisten republikane nga shteti i Floridës, Kat Cammack.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u veçua misioni bashkëzbarkues i Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe pjesëmarrja për tre herë radhazi si vend mikpritës në ushtrimin e madh ushtarak Defender Europe 25 që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ku morën pjesë 25 mijë ushtarakë nga 29 vende aleate e partnere. Temë tjetër e diskutimit ishte edhe bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar. Me këtë rast, kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja, për çka kongresistja Cammack e falënderoi, dhe për investimet e mëdha infrastrukturore në vend në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat paraqesin një mundësi të mirë edhe për kompanitë amerikane.

Kryeministri Kurti dhe kongresistja Cammack gjithashtu folën për rrezikun e vazhdueshëm që paraqet Rusia për paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Ilir Dugolli, ishin bashkë me kryeministrin në këtë takim.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors