Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 269-të të Qeverisë

Prishtinë, 19 shtator 2025

I nderuar zëvendëskryeministër Bislimi,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,

Në këtë mbledhje të radhës kemi një varg vendimesh, të cilat kanë të bëjnë me investime e projekte infrastrukturore të rëndësishme në komunat e Kosovës. Në rend të ditës kemi vendimin për shpronësimin e pronave që preken nga realizimi i mëtutjeshëm i projektit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë. Aty po ndërtohen dy ndërtesa me 133 njësi banesore, prej të cilave 106 janë të dedikuara për banim të përballueshëm dhe 27 për banim social, në një sipërfaqe të përgjithshme prej më shumë se 20 mijë metra katrorë. Vlera e investimit është afër 13.6 milionë dhe punimet atje po vazhdojnë.

Në Ferizaj po bëjmë shpronësimin e pronave që menaxhohen nga AKP-ja për ndërtimin e Qendrës për Sport dhe Kulturë. Në komunën e Prizrenit gjithashtu për realizimin e projektit “Objekte Edukativo-Arsimore dhe Sportive” në Dushanovë. Në komunën e Suharekës po vazhdojmë procedurat për shpronësim, duke i hapur rrugë projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës në fshatin Mushtisht, e cila e lidhë komunën e Suharekës me atë të Shtërpcës. Ngjashëm po bëjmë edhe për ndërtimin e Rrugës Korishë-Kabash-Lidhja me Rrugën Rajonale R-118.

Pastaj kemi vendimin për shpronësim të pronave për realizimin e projektit FLLOWS në Gjilan, projekt ky kapital tejet i rëndësishëm për rrjetin e ujësjellësit në këtë komunë, e cila aktualisht ka 52% humbje teknike të ujit. Me këtë projekt, në vlerë prej 15 milionë euro, që financohet nga Banka Botërore dhe Ndërmarrja Rajonale për Ujësjellës “Hidromorava”, do të investohet në rrjetin kryesor të ujësjellësit, duke ulur kësisoj humbjet teknike dhe duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë. Po ashtu në Gjilan, po shpronësojmë përfundimisht pronat për realizimin e projektit të Qarkores së Jashtme të Qytetit dhe kyçjen e saj me rrugët kryesore, një investim ky i përbashkët i ministrisë dhe i komunës në vlerë 27 milionë euro. Ndërkohë, që në shqyrtim do ta kemi edhe vendimin preliminar për shpronësim të pronave për Qarkoren e Vjetër të qytetit, për Llotet 1 dhe 2.

Sa i përket njoftimit nga ambasada amerikane javën e kaluar, së pari, duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime.

Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane. Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raportet dhe partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, padyshim që ka ecje substanciale në dy shtyllat tjera, atë të mbrojtjes dhe të zhvillimit. Bashkëpunimi ushtarak po vijon, me ç ‘rast blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale po shkon edhe më mirë. Kurse në shtyllën e zhvillimit, qeveria jonë hoqi tarifën 10% ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re atje vazhdoi programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Republikën e Kosovës.

Raportet, marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popujve tanë, janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë. Ato janë ndërtuar mbi një histori të gjatë dhe me themele të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe arritje të rëndësishme. Ne jemi të bindur se komunikimi i vazhdueshëm, i cili është i rregullt, do të bëjë të mundur që të vazhdojmë të ecim përpara së bashku.

Ju faleminderit.

E tash vazhdojmë me pikat e mbledhjes sotme sipas agjendës tashmë të njoftuar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors