Prishtinë, 16 shtator 2025
E nderuara Ministre në detyrë e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
E nderuara Ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
I nderuari Ambasador i Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz,
Të nderuar përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev,
Të nderuar përfaqësues të Odave Ekonomike,
Të nderuar përfaqësues të ndërmarrjeve prodhuese,
Sot po prezantojmë skemën e granteve për ndërmarrjet prodhuese me përkrahjen e madhe të partnerëve tanë: Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev në vlerë totale prej 1 milion euro. Kjo përkrahje që po u japim ndërmarrjeve, vjen si vazhdimësi e katër viteve të punës për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe ekonomisë së vendit tonë.
Shumë prej jush që jeni sot të pranishëm e qindra prodhues të tjerë, tashmë i keni hapur dyert për linja automatike, për robotë e për pajisje të reja falë 100 milionë euro kredive investuese të subvencionuara për 379 ndërmarrjet dhe 12 milionë euro të tjera për 440 biznese, të cilët e zgjeruan kapacitetin pa e rrezikuar bilancin. Për këtë jemi siguruar që të shfrytëzojmë edhe përkrahjen e mërgatës tonë përmes emetimit të bonove të Thesarit në vlerë prej 10.4 milionë euro, të cilat kanë mundësuar investimet për prodhuesit vendorë.
Si vazhdimësi e investimeve që kemi bërë deri më tani, skema të cilën po e prezantojmë sot është reflektim i dy prioriteteve të qeverisë sonë:
- Përkrahjes për sektorin privat dhe në veçanti për prodhuesit dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore, dhe
- Rritjes së efiçiencës së energjisë, e cila gjithashtu ndërlidhet ngushtë me uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Për të parën, po i përkrahim prodhuesit vendorë si shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit, e në të njëjtën kohë si sektori më konsumues i energjisë, të cilët, si rrjedhojë, preken më së shumti nga kostot e energjisë. Prandaj, përmes kësaj skeme po ju kushtojmë përkrahje të veçantë ndërmarrjeve, të cilat kanë dalur në treg të hapur të energjisë elektrike.
Për të dytën, po nxisim investime të cilat përtej përfitimeve direkte te ndërmarrjet që rrisin efiçiencën e energjisë në vend, si bosht i strategjive tona për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetje të Biznesit, si dhe për Energji.
Me këto dy prioritete në mendje, sot po jetësojmë masa përmes të cilave ndërmarrjet tona mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro dhe atë për sisteme solare për të prodhuar energjinë elektrike ose për të ngrohur ujin, pastaj për bateri për ruajtjen e energjisë, mandej izolim të ndërtesave, dyer e dritare të reja efiçiente dhe pajisje të tjera, të cilat u rrisin efiçiencën e prodhimit.
Përfitimi i menjëhershëm i grantit dhe kursimi afatgjatë që këto sisteme e pajisje garantojnë, padyshim që do të luajnë rol në rritjen e prodhimit me kosto më të ulta e zhvillim të mëtutjeshëm të ekonomisë në vendin tonë.
E falënderoj Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për partneritetin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e çmueshme, rezultat i të cilave është edhe kjo skemë e granteve e përkrahur përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev. Falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA, për punën e shkëlqyeshme zhvillimin e kësaj skeme, rezultatet e së cilave do t’i gëzojë sektori i prodhimit në vendin tonë.
Ju uroj suksese e ju faleminderit për pjesëmarrje dhe vëmendje!