Prishtinë, 16 shtator 2025
E nderuar znj. Magbule Hyseni, Koordinatore nacionale e platformës për Kosovë,
Të nderuar pjesëmarrës nga vendet fqinje dhe rajoni,
Të nderuara ndërmarrëse dhe prodhuese,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi t’ju mirëpresim në Prishtinë, për këtë konferencë kushtuar fuqizimit të grave rurale në Ballkanin Perëndimor. Ju urojmë mirëseardhje dhe u jemi mirënjohës për angazhimin tuaj në avancimin e të drejtave të grave dhe në ndërtimin e një rajoni më të barabartë dhe më progresist.
Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj respektimit të Konventës kundër diskriminimit të të gjitha formave dhe ndaj zbatimit të standardeve evropiane për avancimin e të drejtave të grave. Gratë dhe vajzat janë jo veçse shtyllë, por vendimtare për zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të vendit tonë. Ndërsa, gratë rurale, në veçanti, janë edhe bartëse të dijes, traditës dhe dashurisë për tokën. Pas luftës, ato kontribuan shumë në rindërtimin e vendit tonë. Mbi tokat e djegura, e mbollën jetën e re. Me sakrificë, punë të palodhur dhe qëndresë të pashoqe, ato u bënë forcë që gjeneroi ndryshim të qëndrueshëm.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë, duke mbështetur bujqësinë e udhëhequr nga gratë, dhe duke zgjeruar programet për zhvillim ekonomik e social në zonat rurale. 5650 gra fermere janë përkrahur me subvencione në vlerë prej 11 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në partneritet me UN Women dhe FAO, po zbatohet një program strategjik prej 1.5 milionë eurosh, që përmes trajnimeve të avancuara në agrobiznes, menaxhim të tokës dhe zhvillim të qëndrueshëm, gratë rurale të jenë lidere të bizneseve dhe të inovacionit rural.
Nëse e krahasojmë gjendjen në bujqësi dhe në blegtori në Kosovë, me para 5 viteve, mjaftojnë dy elemente për të pas një përshtypje për progresin. Fondi i përgjithshëm i tokës bujqësore në Kosovë është 50 për qind më i madh se sa në vitin 2020. Nga rreth 80 mijë hektarë tokë të punuara në Kosovë, tash janë mbi 120 mijë hektarë. Edhe qumështi i lopës që fermerët tanë dikur e shisnin mezi për 20 cent, tash pas 5 viteve është së paku 50 cent, pra dy herë e gjysmë më shumë. Bujqësia dhe blegtoria janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe prodhimtaria e produktiviteti në ngritje janë duke ju falënderuar padyshim edhe grave fermere.
Kosova ka gra fermere vizionare, të afta dhe inovative, të cilat udhëheqin prodhimin bujqësor, krahas me procesin e digjitalizimit të produkteve dhe tregtinë elektronike, duke e vendosur Republikën e Kosovës në hap me trendet globale.
Të nderuara të pranishme,
Fuqizimi i grave rurale është një çështje e drejtësi sociale, por edhe investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të gjithë rajonit tonë. Shoqëritë ku gratë kanë mundësi të barabarta janë shoqëri më të begata, më demokratike dhe më të qëndrueshme.
Barazia është besimi ynë, është bindja jonë. Nuk duhet ta vërtetojmë se njerëzit në përgjithësi e gratë posaçërisht duhet të jenë të barabarta. Ne besojmë se ato janë të barabarta. Dhe barazia nuk është destinimi, nuk është qëllimi, është pikënisja.
E kur kemi barazi në shoqëri, padyshim që kjo e ndihmon edhe dinjitetin njerëzor, por e ndihmon edhe rritjen ekonomike. Meqenëse sa më pak pabarazi në shoqëri, sa më i madh kohezioni social në një shtet, aq më e madhe është edhe kërkesa agregate në ekonomi.
E ky takim rajonal është edhe një dëshmi e bashkëpunimit të shtetit tonë me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Së bashku mund të adresojmë sfidat dhe të formësojmë politika të cilat u japin grave hapësirën dhe mjetet e nevojshme për sukses, e rajonit tonë i sjell rritje që bëhet zhvillim, e zhvillim që bëhet progres.
Andaj, sikurse sot këtu, bashkë do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, me vendosmëri, solidaritet dhe vizion afatgjatë. Ju falënderoj për ftesën, për pjesëmarrjen, për vëmendjen dhe ju uroj suksese në vazhdimin e punimeve të kësaj konference dhe të bashkëpunimeve të ardhme.
Ju faleminderit!