Prishtinë, 16 shtator 2025
Në ndërtesën e Qeverisë, u lansua skema e granteve për ndërmarrjet prodhuese. Ky grant përkrahet nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev, në vlerë totale prej 1 milion euro. Nga kjo skemë mund të përfitojnë të gjitha ndërmarrjet prodhuese mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ato të mëdha të cilat nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike.
Prezent në ngjarje ishin Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
“Kjo përkrahje që u japim ndërmarrjeve, vjen si vazhdimësi e katër viteve të punës për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe ekonomisë të vendit tonë”, tha Kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.
Ai shtoi se kjo skemë që po prezantohet sot është reflektim i dy prioriteteve të qeverisë sonë: përkrahjes për sektorin privat dhe rritjes së efiçiencës së energjisë. “Për të parën, po i përkrahim prodhuesit vendorë si shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit, e në të njëjtën kohë si sektori më konsumues i energjisë, të cilët, si rrjedhojë, preken më së shumti nga kostot e energjisë. Prandaj, përmes kësaj skeme po ju kushtojmë përkrahje të veçantë ndërmarrjeve, të cilat kanë dalur në treg të hapur të energjisë elektrike. Për të dytën, po nxisim investime të cilat përtej përfitimeve direkte te ndërmarrjet që rrisin efiçiencën e energjisë në vend, si bosht i strategjive tona për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetje të Biznesit, si dhe për Energji.” u shpreh Kryeministri.
Me këto dy prioritete Qeveria vazhdon të jetësojë masa, përmes të cilave ndërmarrjet tona mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro për sisteme solare për të prodhuar energjinë elektrike ose për të ngrohur ujin, për bateri për ruajtjen e energjisë, izolim të ndërtesave, dyer e dritare të reja efiçiente dhe pajisje të tjera, të cilat u rrisin efiçiencën e prodhimit.
Në fund, Kryeministri falënderoi Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA, për punën e shkëlqyeshme dhe zhvillimin e kësaj skeme, rezultatet e së cilave do t’i gëzojë sektori i prodhimit në vendin tonë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo iniciativë bazohet edhe në dy shtyllat kryesore të strategjisë sonë për energji: investimet në efiçiencën e energjisë për të ulur konsumin dhe investimet në gjenerimin e energjisë së pastër.
Ndërkaq, Rozeta Hajdari, ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se në këtë skemë do të kenë fokus ndërmarrjet më të prekura nga tregu i hapur i energjisë elektrike, projektet e të cilëve synojnë të rrisin efiçiencën e energjisë dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme brenda ndërmarrjeve.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, u shpreh se me këtë skemë po shënohet një hap për zotimin afatgjatë të Luksemburgut në fuqizimin e sektorit privat dhe përkrahjen ndaj rritjes ekonomike të qëndrueshme.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre në detyrë e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
E nderuara Ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
I nderuari Ambasador i Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz,
Të nderuar përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev,
Të nderuar përfaqësues të Odave Ekonomike,
Të nderuar përfaqësues të ndërmarrjeve prodhuese,
Sot po prezantojmë skemën e granteve për ndërmarrjet prodhuese me përkrahjen e madhe të partnerëve tanë: Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev në vlerë totale prej 1 milion euro. Kjo përkrahje që po u japim ndërmarrjeve, vjen si vazhdimësi e katër viteve të punës për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe ekonomisë së vendit tonë.
Shumë prej jush që jeni sot të pranishëm e qindra prodhues të tjerë, tashmë i keni hapur dyert për linja automatike, për robotë e për pajisje të reja falë 100 milionë euro kredive investuese të subvencionuara për 379 ndërmarrjet dhe 12 milionë euro të tjera për 440 biznese, të cilët e zgjeruan kapacitetin pa e rrezikuar bilancin. Për këtë jemi siguruar që të shfrytëzojmë edhe përkrahjen e mërgatës tonë përmes emetimit të bonove të Thesarit në vlerë prej 10.4 milionë euro, të cilat kanë mundësuar investimet për prodhuesit vendorë.
Si vazhdimësi e investimeve që kemi bërë deri më tani, skema të cilën po e prezantojmë sot është reflektim i dy prioriteteve të qeverisë sonë:
1. Përkrahjes për sektorin privat dhe në veçanti për prodhuesit dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore, dhe
2. Rritjes së efiçiencës së energjisë, e cila gjithashtu ndërlidhet ngushtë me uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Për të parën, po i përkrahim prodhuesit vendorë si shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit, e në të njëjtën kohë si sektori më konsumues i energjisë, të cilët, si rrjedhojë, preken më së shumti nga kostot e energjisë. Prandaj, përmes kësaj skeme po ju kushtojmë përkrahje të veçantë ndërmarrjeve, të cilat kanë dalur në treg të hapur të energjisë elektrike.
Për të dytën, po nxisim investime të cilat përtej përfitimeve direkte te ndërmarrjet që rrisin efiçiencën e energjisë në vend, si bosht i strategjive tona për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetje të Biznesit, si dhe për Energji.
Me këto dy prioritete në mendje, sot po jetësojmë masa përmes të cilave ndërmarrjet tona mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro dhe atë për sisteme solare për të prodhuar energjinë elektrike ose për të ngrohur ujin, pastaj për bateri për ruajtjen e energjisë, mandej izolim të ndërtesave, dyer e dritare të reja efiçiente dhe pajisje të tjera, të cilat u rrisin efiçiencën e prodhimit.
Përfitimi i menjëhershëm i grantit dhe kursimi afatgjatë që këto sisteme e pajisje garantojnë, padyshim që do të luajnë rol në rritjen e prodhimit me kosto më të ulta e zhvillim të mëtutjeshëm të ekonomisë në vendin tonë.
E falënderoj Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për partneritetin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e çmueshme, rezultat i të cilave është edhe kjo skemë e granteve e përkrahur përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev. Falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA, për punën e shkëlqyeshme zhvillimin e kësaj skeme, rezultatet e së cilave do t’i gëzojë sektori i prodhimit në vendin tonë.
Ju uroj suksese e ju faleminderit për pjesëmarrje dhe vëmendje!











