Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në hapjen e linjës së re të prodhimit në industrinë automobilistike, në Komunën e Gjakovës

Gjakovë, 11 shtator 2025

Të nderuar të pranishëm,
I nderuar Granit dhe Hamdi Krasniqi,
I nderuar Ambasador i Republikës Çeke në shtetin tonë, z. Bohumil Mazánek,
Të nderuar partnerë nga kompania KES,
I nderuar kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini,
I nderuari zëvendësministër i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z.Mentor Arifaj,
Të nderuar qytetarë e punëtorë,
Zonja e zotërinj,
Motra e vëllezër,

Sot jemi në Gjakovë për të shënuar një hap të rëndësishëm drejt një Kosove më të fuqishme ekonomikisht, më të drejtë shoqërisht dhe më të lidhur ndërkombëtarisht. Jemi këtu për të festuar hapjen zyrtare të linjës së re të prodhimit për kabllot dhe sistemet elektrike për industrinë automobilistike – një arritje e madhe për kompaninë “AULONA ShPK” dhe për gjithë ekonominë tonë.

Që nga themelimi në vitin 1989, kompania “AULONA” ka kaluar me sukses nga riparimi i elektromotorëve e transformatorëve, në prodhim të specializuar për tregun ndërkombëtar.

Në vitin 2015, ajo hyri në fazën e eksportit të komponentëve për transformatorë të thatë për sektorët jetikë si: spitale, hekurudha dhe industrinë automobilistike. Dhe sot, këto produkte të prodhuara në Gjakovë ndodhen në makineritë dhe pajisjet industriale në Bashkimin Evropian, në Japoni, në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në bashkëpunim me kompaninë KES nga Republika Çeke, ky investim i ri ka mundësuar angazhimin e mbi 80 punonjësve, prej të cilëve mbi 70 janë gra. Kjo përveçse një statistikë, është një shëmbëlltyrë e përparimit tonë si shoqëri, ku fuqizimi i gruas dhe barazia gjinore nuk janë vetëm fjalë, por një realitet i përditshëm.

Ambiciet për të shtuar numrin e të punësuarve në mbi 100 gjatë vitit të ardhshëm, janë dëshmi e dinamikës, të cilën e sjellë kjo kompani.

Ky projekt përkon me kohën kur Kosova është duke përjetuar një moment të veçantë ekonomik, e ja disa prej treguesve kyç të viteve të fundit:

  • Kosova, shteti ynë është numër një për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor nga viti 2023 deri në vitin 2025, sipas Bankës Botërore;
  • Jemi të parët në përmirësimin e sundimit të ligjit në rajon dhe të dytët në botë, sipas World Justice Project;
  • Jemi të parët në demokraci zgjedhore në Ballkanin Perëndimor, sipas Institutit V-Dem dhe
  • Jemi të dytët në Evropë për liritë civile, sipas Freedom House.

Pra, Republika e Kosovës, atdheu ynë, është shembull i demokracisë dhe zhvillimit, që shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.

E të gjitha këto natyrisht që nuk janë thjesht arritje të qeverisë, janë arritje të qytetarëve tanë, të bizneseve tona, të partneriteteve që po i ndërtojmë me përkushtim e vizion të përbashkët.

Kjo linjë e re e prodhimit është pikërisht ajo që përkrahim edhe me politikat e favorshme për biznesin nga shteti ynë:

  • Tatimi në fitim në Kosovë është vetëm 10%;
  • Është 0% Tatimi mbi Vlerën e Shtuar sa i përket edhe makinerive të importuara edhe eksporteve;
  • Pastaj kemi një kosto konkurruese të fuqisë punëtore, me një pagë mesatare konkurruese;
  • Volumi i investimeve është 36% e Bruto Produktit Vendor, shumë më lart se mesatarja e rajonit dhe
  • Rritje ekonomike është e qëndrueshme, me 4.1% në 8 vitet e fundit.

Sot Kosova ofron qartësi fiskale, partneritet publik-privat të strukturuar dhe një klimë të favorshme për investime në prodhim, pastaj në eksporte dhe të bazuara në teknologji e në dije.

Të dashur të pranishëm,

“AULONA”, pra, përveçse një kompani këtu në Gjakovë, është një simbol i asaj që Kosova mund të bëhet kur kapitali lokal takohet me vizionin ndërkombëtar, kur gratë fuqizohen përmes punës, kur qeveria, biznesi dhe partnerët e huaj punojnë së bashku për një të ardhme të përbashkët mbi bazën e vlerave të njëjta.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju përgëzoj për këtë hap të madh dhe ju ftoj ta shohim këtë investim si një pikënisje, jo përmbyllje, për më shumë fabrika, më shumë prodhim, më shumë vende pune dhe më shumë produkte “Made in Kosova”, të cilat që dalin në botë.

Urime AULONA. Urime Gjakovë. Urime Kosovë!
Ju falemnderit për ftesën dhe vëmendjen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors