Gjilan, 1 shtator 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit dhe fillimit të punimeve në projektin “Bulevardi i Qytetit” në Komunën e Gjilanit, projekt dhe investimi më i madh kapital ndonjëherë në këtë komunë në vlerë prej 18 milionë euro.
Bulevardi do të ketë një gjatësi prej 450 metrash. Projekti përfshin ndërtimin e nënkalimit nga Stacioni i Autobusëve deri te objekti aktual i Komunës. Në kuadër të këtij projekti kapital do të jetë edhe ndërtimi i parkingut nëntokësor me rreth 500 vendparkingje në dy kate, si dhe ndërtimi i objektit të ri pesëkatësh të Administratës Komunale në një hapësirë prej 8600 m2. Kontrata e nënshkruar parasheh që punimet të finalizohen për dy vjet.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e madhe të jetë në këtë qytet të bukur e krenar për të parë nga afër punën dhe përparimin që është bërë e po bëhet, duke theksuar se Gjilani është duke u shndërruar në një qendër zhvillimi e shembull i qeverisjes me vizion, punë e përkushtim, e mbi të gjitha, me duar të pastra.
“Në këtë mandat janë sjellë mbi 73 milionë euro projekte, të cilat po e ndryshojnë pamjen dhe funksionimin e qytetit. Këto investime nuk janë vetëm shifra në tabela, por janë realitet i prekshëm, i ndjeshëm, i jetueshëm, i përjetueshëm, për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit”, tha kryeministri Kurti.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti ka numëruar të arriturat në këtë komunë, derisa ka përmendur tri fusha kryesore ku Gjilani ka bërë ndryshime të mëdha, siç janë: Arsimi me mbi 3.3 milionë euro për Shkollën e Mjekësisë dhe mbi 3 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja; Shëndetësia dhe mirëqenia sociale, mbi 2 milionë euro për pajisje moderne, ndërtesa të reja dhe shërbime cilësore; dhe Bujqësia me mbi 2.8 milionë euro vetëm gjatë viteve 2022/2024 me dhjetëra përfitues që po fuqizohen për të prodhuar më shumë, më mirë dhe me perspektivë.
Ai përmendi edhe projekte të tjera kapitale, të cilat po zhvillohen e po i japin qytetit pamje tjetër, siç është projekti FLOWS me 15 milionë euro për ujësjellësin, pastaj Stadiumi i Qytetit në vlerë prej 13 milionë euro për sportin dhe rininë, projekti i Banimit të përballueshëm dhe social me investim prej 4.5 milionë euro për strehim më të sigurt, si dhe projektet tjera sikurse renovimi i palestër sportive, qëndrimi ditor për të moshuar, kuzhina humanitare, bujtina për studentë, kultqendra; e të tjera.
E në këtë ditë të veçantë, ai tha se po e nisim projektin më të madh kapital në historinë e Gjilanit, “Bulevardi i qytetit”, me vlerë 18 milionë euro, që do ta ndryshojë tërësisht fytyrën dhe jetesën e qytetit. Për gjitha këto arritje, kryeministri falënderoi kryetarin Hyseni dhe ekipin e tij, për çka tha se është krenar me punën e tij, duke e bërë Gjilanin qytet që po bëhet shembull për gjithë Kosovën.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar qytetarë të Gjilanit,
I nderuari Kryetar i Komunës, Hyseni, i dashur Alban,
Sot është kënaqësi e madhe të jem bashkë me juve në këtë qytet të bukur e krenar për ta parë nga afër punën dhe përparimin që është bërë e po bëhet.
Gjilani është duke u shndërruar në një qendër zhvillimi e shembull i qeverisjes me vizion, punë e përkushtim, e mbi të gjitha, me duar të pastra.
Në këtë mandat janë sjellë mbi 73 milionë euro projekte, të cilat po e ndryshojnë pamjen dhe funksionimin e qytetit. Këto investime nuk janë vetëm shifra në tabela, por janë realitet i prekshëm, i ndjeshëm, i jetueshëm, i përjetueshëm, për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit.
E tre fushat kryesore, ku Gjilani ka bërë ndryshime të mëdha janë:
1. Arsimi: mbi 3.3 milionë euro për Shkollën e Mjekësisë dhe mbi tre milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja. Këto investime garantojnë të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë, e të gjithë atyre që u kthyen në banka shkollore sot ju uroj një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor 2025/2026.
2. Shëndetësia dhe mirëqenia sociale: mbi dy milionë euro për pajisje moderne, ndërtesa të reja dhe shërbime cilësore. Qytetarët e Gjilanit sot marrin kujdes shëndetësor, më afër dhe më mirë.
3. Bujqësia: mbi 2.8 milionë euro vetëm gjatë viteve 2022/2024, me dhjetëra përfitues që po fuqizohen për të prodhuar më shumë, më mirë dhe me perspektivë.
Por, këto tri fusha nuk janë e tëra. Projektet kapitale të cilat po zhvillohen, po i japin qytetit pamje tjetër. E këtu duhet përmendur:
– Projekti FLOWS – 15 milionë euro për ujësjellësin;
– Stadiumi i Qytetit – 13 milionë euro për sportin dhe rininë;
– Banimi i përballueshëm dhe social – 4.5 milionë euro për strehim më të sigurt.
Pastaj, projektet sikurse, renovimi i palestër sportive, qëndrimi ditor për të moshuar, kuzhina humanitare, bujtina për studentë, kultQendra, e shumë projekte të tjera të mëdha.
Dhe sot, në këtë ditë të veçantë, po e nisim projektin më të madh kapital në historinë e Gjilanit, Bulevardi i Qytetit, me vlerë 18 milionë euro, që do ta ndryshojë tërësisht fytyrën dhe jetesën e qytetit.
Të dashur qytetarë,
Këto janë investime që nuk ndryshojnë vetëm qytetin, por ndryshojnë jetën tuaj të përditshme. Gjilani është sot një qytet i projekteve të mëdha, një qytet i cili nuk ndalet, një qytet që po bëhet shembull për gjithë Kosovën.
Jam krenar për punën që po bëhet këtu, krenar për kryetarin Alban Hyseni dhe ekipin e tij, krenar për qytetarët e Gjilanit, të cilët e mbështesin këtë rrugëtim.
Andaj, së bashku, le të vazhdojmë ta çojmë Gjilanin përpara, duke e bërë më të fortë, më modern dhe më të zhvilluar.
Ju faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme, për kontributin e pamatshëm dhe ju uroj gjithë të mirat në vijim.




























