Prishtinë, 15 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albi Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me zëvendës shefin e seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Drejtorin Menaxhues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi dhe Drejtorin e departamentit të Transformimeve në Komunën e Prishtinës, mori pjesë në përurimin e rinovimeve për efiçiencë të energjisë në katër ndërtesa të banimit social në Komunën e Prishtinës, përkatësisht objektet te Medreseja dhe në Hajvali.
Në këto katër ndërtesa banojnë 200 familje ose 790 banorë. Rinovimet do të mundësojnë kursime të konsiderueshme të energjisë, si dhe do të ofrojnë kushte më të mira jetese për banorët. Ato përfshijnë izolimin e mureve dhe kulmeve, vendosjen e dritareve dhe dyerve të reja, sisteme të reja ngrohjeje, sistemi i interfonisë dhe masa kundër zjarrit. Sipas analizave, si rezultat i drejtpërdrejt i rinovimit, kursimi i energjisë për banorët e këtyre ndërtesave do të jetë mes 47% dhe 62%. Vlera e përgjithshme e investimit është 1.24 milion euro. Projekti është zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe me mbështetje financiare 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% pjesëmarrje të komunës.
“Në Prishtinë, përveç banesave sociale, kemi rinovuar edhe 15 objekte të tjera publike, me vlerë prej rreth katër milionë euro dhe kemi përkrahur 425 familje me subvencione për izolim të shtëpive të tyre. Këto janë hapa konkretë për të përmirësuar jetesën, banesën, mirëqenien e qytetarëve dhe për t’i bërë ndërtesat tona më efiçiente, më të sigurta, më të shëndetshme, në mënyrë që aty të mos punohet, jetohet apo shkollohet në myk e në lagështi, siç ka qenë në të kaluarën”, tha kryeministri.
Më tej kryeministri shtoi se përgjatë qeverisjes së ardhshme është planifikuar t’i rinovojmë edhe 400 objekte publike anë e mbanë Kosovës.
Në ndërtesat në Hajvali, kryeministri pati rastin që të takojë edhe operatorin ekonomik, i cili i ka kryer punimet, si dhe njërin nga banorët, Sami Murtezin, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dumnica e Llapit, i cili banon aty bashkë me djalin e tij dhe me bashkëshorten e tij, e që njëkohësisht edhe kujdeset për mirëmbajtjen e objektit.
Kryeministri falënderoi Bashkimin Evropian, Ministrinë e Ekonomisë, Komunën e Prishtinës dhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për punën e tyre, nga e cila kanë përfituar drejtpërdrejt qytetarët e vendit.
Prononcimi i kryeministrit Kurti te Medreseja:
Sot në Prishtinë po inaugurojmë renovimin e katër ndërtesave sociale, dy këtu te Medreseja dhe dy në Hajvali, ku do të shkojmë prej këtu.
Këto janë banesa për 200 familje gjithsej apo 790 banorë. Pas përfundimit të këtyre renovimeve, banorët sivjet do të kenë dimra më të ngrohtë dhe më të sigurt. Investimi i përgjithshëm është 1.24 milion euro, 90% është nga Bashkimi Evropian për çfarë edhe falënderojmë shumë z. Alessandro Bianciardi, që është këtu me neve sot për këtë mbështetje të madhe, që i ka dhënë këtij projekti të rinovimit. Rinovimi përfshin izolimin e kulmeve, të mureve, ndërrimin e dritareve dhe të dyerve dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes e të masave të sigurisë.
Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë prej gjashtë milionë eurove për 28 ndërtesa sociale në 13 komuna, të cilat përfshijnë 889 familje.
Në Prishtinë, përveç banesave sociale, kemi rinovuar edhe 15 objekte të tjera publike, me vlerë prej rreth katër milionë euro dhe kemi përkrahur 425 familje me subvencione për izolim të shtëpive të tyre.
Këto janë hapa konkretë për të përmirësuar jetesën, banesën, mirëqenien e qytetarëve dhe për t’i bërë ndërtesat tona më efiçiente, më të sigurta, më të shëndetshme, në mënyrë që aty të mos punohet, jetohet apo shkollohet në myk e në lagështi, siç ka qenë në të kaluarën.
E për këtë kemi planifikuar që përgjatë qeverisjes së ardhshme t’i rinovojmë edhe 400 objekte publike anë e mbanë Kosovës. Ky pra është vizioni ynë për një Kosovë e cila kujdeset për banorët e saj që të kenë të ardhme të sigurt dhe të dinjitetshme.
Dy ndërtesat këtu te Medreseja ku ndodhemi tani janë të ndërtuara në vitin 2009, sipërfaqja e gjithmbarshme është mbi 4100 metra katrorë, ndërkaq, në Hajvali, po ashtu është rreth 4300 metra katrorë dy ndërtesa gjithashtu, edhe këtu për 100 familje, edhe atje për 100 familje, por në Hajvali, ku do të shkojmë prej këtu, 50 familje janë familje të dëshmorëve.
Duhet theksuar që te këto dy ndërtesat, të cilat i kemi rinovuar dhe po i përurojmë sot në Medrese, kursimi i energjisë do të jetë 55% te njëra e 62%të tjetra, kurse te Hajvalia, te ato dy ndërtesa, kursimi do të jetë 47%, përkatësisht 45%.
Unë e falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, ministren Artane Rizvanolli e kemi këtu, pastaj e kemi edhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemin, përveç përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, të cilët jo vetëm që kanë punuar shumë, po kanë punuar bashkë, në mënyrë të koordinuar dhe tash jemi shumë të lumtur që këto 200 familje janë të gëzuara për shkak se i kanë kushtet e dinjitetshme dhe mirëqenien bashkëkohore.
Faleminderit edhe një herë të gjithëve, e shpresoj që me projekte të këtilla do të vazhdojmë edhe në Prishtinë, por edhe kudo tjetër në Kosovë.
Prononcimi i Kryeministrit Kurti në Hajvali:
Në mesin e këtyre katër ndërtesave sociale që janë rinovuar dhe e bëmë inaugurimin sot, janë edhe këto dy në Hajvali, përveç atyre dy te Medreseja dhe këtu përveçse me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Ministrinë e Ekonomisë, Komunën e Prishtinës, Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, patëm rastin që të takohemi edhe me Operatorin Ekonomik, i cili i ka kryer punimet dhe gjithashtu edhe me njërin nga banorët Sami Murtezin, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dumnica e Llapit, i cili këtu banon me djalin e tij dhe me bashkëshorten e tij, e që njëkohësisht edhe kujdeset për mirëmbajtjen e objektit, sepse ky investim i madh nga Bashkimi Evropian, të cilit i jemi vazhdimisht falënderues kërkon mirëmbajtje, prandaj edhe na u bë shumë qejfi kur pamë që njëri nga banorët e bën këtë punë duke u kujdesur për oborrin, për shkallët e kështu me radhë.
Ndërkohë, që sikurse te Medreseja, edhe këtu në Hajvali, rinovimi ka përfshirë ndërrimin e dritareve dhe të dyerve, pastaj të kulmit, të fasadës dhe secila prej banesave këtu e ka edhe klimën e cila është aty që t’i kenë verërat e freskëta e dimrat e ngrohtë.
Edhe njëherë, 1.24 milionë euro është investimi i gjithmbarshëm, 90% është nga Bashkimi Evropian, edhe 10% pjesëmarrje nga Komuna e Prishtinës, zbatimi është Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Me ç’rast i kemi 100 familje këtu në Hajvali, në këto dy ndërtesa në mes të cilave ndodhemi ne sot këtu dhe gjithashtu edhe 100 të tjera atje tek Medreseja.
Këtu kursimi i energjisë elektrike është gati 50 për qind, në njërën është 47 për qind, në tjetrën është 45 për qind, në gjithë Kosovën 28 ndërtesa sociale, pra këtu janë vetëm çka kemi parë sot, janë vetëm 4 nga 28, në 13 komuna edhe janë mbi 6 milionë euro investime.
Unë falënderoj shumë Bashkimin Evropian, Ministrinë e Ekonomisë, Komunën e Prishtinës, Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë dhe Operatorin Ekonomik, e veteranin e UÇK-së, Sami Murtezi.
Faleminderit shumë!






















