Kryeministri Kurti dhe ministri Vitia vizituan punimet në Klinikën e Kardiologjisë – QKUK

Prishtinë, 6 gusht 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, së bashku me Ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, vizituan punimet që janë duke u zhvilluar në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Punimet për renovimin e Klinikës së Kardiologjisë kanë nisur në korrik 2025 dhe, edhepsw afati kontraktual është nëntë muaj, ato pritet të përfundojnë brenda tre muajve.

Ky projekt ka një vlerë totale prej 1.45 milionë euro – donacion nga Luksemburgu– dhe përfshin renovimin e plotë të hapësirës klinike, përfshirë hapësirën e Cat-Lab-it, instalimin e sistemit të klimatizimit qendror, ndërtimin e banjove brenda dhomave të pacientëve, vendosjen e sistemit Call Nurse, furnizimin me një angiograf të ri, si dhe trajnime për stafin shëndetësor dhe shkëmbime profesionale me ekspertë ndërkombëtarë.

Kryeministri Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Vitia shprehën mirënjohje të veçantë për Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e këtij projekti, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin shëndetësor, si dhe do të rrisë dukshëm numrin e ndërhyrjeve kardiologjike.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Ndodhemi këtu në Klinikën e Kardiologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bashkë më Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë dhe me Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz, të cilin e falënderojmë nga zemra për këtë donacion jashtëzakonisht të rëndësishëm, me vlerë të gjithmbarshme prej 1.45 milion euro, prej të cilëve 789 mijë euro janë për angiografin e ri, ndërkaq pjesa tjetër për renovim të infrastrukturës.

Sipërfaqja e gjithmbarshme e kësaj infrastrukture që po rinovohet, i afrohet 500 metra katrorë. Punimet kanë nisur para një muaji, pra në korrik, dhe, fillimisht është menduar që punimet përfundohen për nëntë muaj, por për shkak të intensitetit të shtuar, mësuam lajmin e ri, që në tetor, sivjet, këto punime do të përfundohen.

Falënderoj edhe operatorët ekonomikë që po i kryejnë këto punime, falënderoj Drejtorin, Dr. Faikun dhe të gjithë stafin shëndetësor këtu, të cilët punët e tyre shumë cilësore, kontributin jetik që e japin për shëndetin publik, për pacientët tanë, tash do të kenë mundësi t’a shtojnë edhe më tepër me këtë investim, që është dhuratë e Ambasadës së Luksemburgut.

Me këtë rast, më lejoni të ndaj edhe një gjë, që e mësova sot kur erdha këtu, që pikërisht në këtë klinikë dhe pikërisht nga doktor Faiku, nëpërmjet një ndërhyrje të suksesshëm i është shpëtuar jeta e vjehrrës së ambasadorit Eric Dietz. Kjo tregon se si edhe kur të huajt të vijnë këtu, shpëtohen nga mjekët tanë dhe kanë kujdesin e duhur, intervenimin profesional. Faleminderit doktor Faik edhe një herë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors