Kryeministri Kurti bëri homazhe te lapidari i zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës në nderim të veprës së tyre, kontributit dhe shërbimit ndaj vendit

Prishtinë, 26 korrik 2025 

Në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar bëri sot homazhe te lapidari në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që mban emrat e policëve të rënë në krye të detyrës, për të nderuar kontributin e tyre në shërbim të vendit tonë.

Teksa përmendi 24 policët e rënë në Kosovën e pasluftës duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 deri te Muhamed Lika në vitin 2025, kryeministri theksoi emrat e heronjve të Kosovës,  Enver Zymeri dhe Afrim Bunjakun, të cilët ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës. 

“Dita Memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymerit në vitin 2011 më 26 korrik.  Sot kemi dhembje e pikëllim, kemi shumë mall, por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari sepse Policia e Kosovës është një forcë prej rreth 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot Republikës sonë dhe mbajnë e mirëmbajnë ligjin rendin paqen, sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim”, u shpreh kryeministri Kurti. 

Ai shtoi se Policia e Kosovës është një forcë multientike e cila u sulmua shpesh mirëpo gjithnjë doli fitimtare. Një ndër sulmet strukturore që ka përjetuar, siç tha kryeministri Kurti, ka qenë në nëntor të vitit 2022 kur 541 policë të uniformuar nga radhët komunitetit serb kolektivisht dhanë dorëheqje. “Por as kjo nuk arriti që ta dëmtojë policinë e Kosovës meqenëse në vazhdimësi kemi kadetët e rinj nga gjenerata në gjeneratë të cilët i shtojnë radhët e policisë sonë ku vetëm nga komuniteti serb, që nga dorëheqjet e tyre, tashmë kemi rreth 200 pjesëtarë të cilët i janë bashkëngjitur Policisë së Kosovës dhe krah për krah më shqiptarët e uniformuar dhe të tjerët i shërbejnë vendit tonë dhe qytetarëve tanë “, tha më tej ai. 

Lavdi Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të Kosovës të rënë në krye të detyrës! 

Deklarimi i plotë i kryeministri Kurti:

Bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha dhe me kolegë nga Qeveria e Republikës, bëmë nderime këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 deri së fundmi tek Muhamed Lika në vitin 2025. 

Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymeri dhe po ashtu Afrim Bunjakun të cilët ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës dhe Dita Memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymerit në vitin 2011 më 26 korrik. Sot kemi dhembje e pikëllim, kemi shumë mall, por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari sepse Policia e Kosovës është një forcë prej rreth 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot Republikës sonë dhe mbajnë e mirëmbajnë ligjin rendin, paqen, sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim.  

Policia e Kosovës është një forcë multientike e cila u sulmua shpesh mirëpo gjithnjë doli fitimtare. Një ndër sulmet strukturore që ka përjetuar ka qenë në nëntor të vitit 2022 kur kishim 541 policë të uniformuar nga komuniteti serb që dhanë dorëheqje kolektivisht. Por as kjo nuk arriti që ta dëmtojë policinë e Kosovës meqenëse në vazhdimësi kemi kadetët e rinj nga gjenerata në gjeneratë të cilët i shtojnë radhët e policisë sonë ku vetëm nga komuniteti serb, që nga dorëheqjet e tyre, tashmë kemi rreth 200 pjesëtarë të cilët i janë bashkëngjitur Policisë së Kosovës dhe krah për krah më shqiptarët e uniformuar dhe të tjerët i shërbejnë vendit tonë dhe qytetarëve tanë.

Lavdi Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të Kosovës  të rënë në krye të detyrë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors