Mamushë, 23 korrik 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Domates, edicioni i 16-të, i cili mbahet tradicionalisht në Komunën e Mamushës.
Në fjalën e tij, ai tha se festivali është dëshmi e shpirtit të banorëve të zellshëm të Mamushës, një komunë relativisht e vogël në përmasë, por shembull bereqeti për bujqësinë e Kosovës.
“Vetëm përmes skemës së granteve fermerët e Mamushës kanë përfituar 7.5 milionë euro. Kjo përkrahje e jona e ka përmirësuar imazhin për bujqësinë e Kosovës dhe ka shtuar vullnetin te fermerët. Përkrahja do të vazhdojë të rritet sepse nevojat dhe kërkesa janë që prodhimet e Kosovës të jenë të mira, të shumta dhe cilësore”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se Mamushën e kemi mbështetur dhe ndihmuar, por këtë do ta bëjmë edhe më shumë sepse Mamusha po punon gjithnjë e më shumë, po prodhon gjithnjë e më shumë, po eksporton gjithnjë e më shumë.
Sipas të dhënave, eksporti i domates në vitin 2021 ka qenë më pak se 73 mijë euro kurse në vitin 2024 ka tejkaluar vlerën prej 11 milionë euro. Kryeministri tha se ky është rezultat i cilësisë së prodhimeve tona dhe i punës e i përkushtimit të fermerëve, ekspertëve dhe përkrahjes së vazhdueshme si të institucioneve tona dhe po ashtu edhe të atyre ndërkombëtare si USAID, TIKA, GIZ, ADA, CARITAS, etj.
“Rritja e mbështetjes, e prodhimit dhe eksportit nënkupton rritje të ekonomisë dhe mirëqenies së fermerit, familjeve të tyre dhe të tjerëve hisedarë në zinxhirin e vlerës. Vetëm gjatë katër viteve të qeverisjes sonë 2021-2024, eksporti i perimeve është rritur për mbi 70%, nga 24 milionë euro sa ishte në periudhën 2017-2020, në 41 milionë euro në këto vitet e fundit”, u shpreh më tej ai.
Kryeministri Kurti i përgëzoi fermerët për punën e palodhshme që bëjnë, dhe ua uroj të gjithëve edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Domates.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci,
I nderuari ministër i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka,
I nderuari kryetar i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç
I nderuari shkëlqesia juaj, Ambasador i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar mysafirë nga Turqia,
I nderuar kryetari i Komunës së Yozgat, Kazım Arslan,
Të nderuar fermerë, kultivues e përpunues të domates dhe të gjithë ju të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Është gjithmonë kënaqësi të jem në mesin tuaj në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Domates, edicioni i 16-të sivjet. Ashtu siç është bërë tradicionale mbajtja e këtij festivali, ashtu është bërë edhe pjesëmarrja ime këtu.
Tashmë në Mamushë është bërë traditë festimi i përbashkët i Festivalit të Domates sikurse fuqizimi dhe rritja e vazhdueshme e fermerëve të Kosovës dhe e fermave të tyre. E, sigurisht kjo përkrahje e Qeverisë së Republikës së Kosovës është e pranishme edhe këtu, te ju fermerë të nderuar të Mamaushës punëtore.
Ky festival është dëshmi e shpirtit të banorëve të zellshëm të Mamushës, një komunë relativisht e vogël në përmasë, por shembull bereqeti për bujqësinë e Kosovës.
Është obligim dhe përkushtim i yni si Qeveri që të festojmë ditët e prodhimeve tona, por edhe të përkujtojmë anekënd Kosovës sakrificën e popullit. Atë e bëjmë duke e zhvilluar vendin dhe përparuar popullin tonë!
Andaj, si kryeministër dhe Qeveri do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve, fermerëve e ndërmarrësve tanë, dhe se këto janë prodhimet tona nga toka jonë!
Të nderuar të pranishëm,
Po e vërtetojmë çdo vit se bujqësia dhe fermeri i Kosovës janë prioritete të punës sonë, me përkrahje financiare me mbi 400 milionë euro, krahas lehtësirave të tjera. Por më e rëndësishmja është kthimi i besimit të institucioneve tona, te ministritë tona, te Qeveria jonë dhe e juaj, te shteti ynë i përbashkët.
Vetëm përmes skemës së granteve fermerët e Mamushës kanë përfituar 7.5 milionë euro. Kjo përkrahje e jona e ka përmirësuar imazhin për bujqësinë e Kosovës dhe ka shtuar vullnetin te fermerët. Përkrahja do të vazhdojë të rritet sepse nevojat dhe kërkesa janë që prodhimet e Kosovës të jenë të mira, të shumta dhe cilësore.
Shifrat e dëshmojnë se eksporti i domates në vitin 2021 ka qenë më pak se 73 mijë euro dhe në vitin 2024 ka tejkaluar 11 milionë euro. Ky është rezultat i cilësisë së prodhimeve tona dhe i punës e i përkushtimit të fermerëve, ekspertëve dhe përkrahjes së vazhdueshme si të institucioneve tona dhe po ashtu edhe të atyre ndërkombëtare si USAID, TIKA, GIZ, ADA, CARITAS, etj.
Rritja e mbështetjes, e prodhimit dhe eksportit nënkupton rritje të ekonomisë dhe mirëqenies së fermerit, familjeve të tyre dhe të tjerëve hisedarë në zinxhirin e vlerës. Vetëm gjatë katër viteve të qeverisjes sonë 2021-2024, eksporti i perimeve është rritur për mbi 70%, nga 24 milionë euro sa ishte në periudhën 2017-2020, në 41 milionë euro në këto vitet e fundit.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar të pranishëm,
Mamusha për shumë kënd është bërë sinonim i prodhimit cilësor të domates. Reputacionin e prodhimeve cilësore agro-ushqimore duhet ta merr e gjithë Kosova, në rajon dhe në botë duke e pasur ilustrimin e Mamushës punëtore.
E kjo do të bëhet së bashku përmes skemave të subvencioneve, granteve, investimeve në sisteme të ujitjes, serra moderne, ngritjes së kapaciteteve për magazinim, përpunim dhe brendim e produkteve agro-ushqimore.
Mamushën e kemi mbështetur dhe ndihmuar. Por këtë do ta bëjmë edhe më shumë sepse Mamusha po punon gjithnjë e më shumë, po prodhon gjithnjë e më shumë, po eksporton gjithnjë e më shumë.
Le ta festojmë sot jo vetëm domaten si simbol i punës dhe festimit tonë të përbashkët, por edhe frymën e bashkëpunimit e të respektit, që na shpie përpara si shtet. Urime për organizimin e këtij festivali, urime për çdo fermer dhe familje që jeton nga toka, dhe urime për Mamushën, krenarinë e bujqësisë sonë.
Ne jemi me ju, me fermerët për fermerët, sot dhe çdo ditë të vitit.
Ju faleminderit dhe gëzuar Festivali i Domates!





























