Prishtinë, 11 korrik 2025
I nderuar ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Hoxha,
Të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë dhe organizatave partnere,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Policisë së Kosovës,
Të dashur kadetë,
Të dashur familjarë,
Të nderuar të pranishëm,
Duke qenë se sot kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti ndodhet në Srebrenicë në përkujtim të gjenocidit serb atje, më lejoni që në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju drejtohem.
Për 26 vite me radhë që nga krijimi, Policia e Kosovës shërben me përkushtim e integritet. Ky institucion po forcohet e radhët e saj po shtohen çdo herë e më shumë. 62 gjenerata të diplomuara përfshirë këtë të sotmen, të cilat udhëhiqen nga profesionalizmi, në mbrojtje të Republikës, ligjeve e Kushtetutës së vendit, sovranitetit e integritetit territorial.
Të jesh pjesë e Policisë së Kosovës është nder dhe përgjegjësi e lartë. Kjo uniformë dhe ky institucion është më shumë sesa zbatuese e ligjit, por edhe përfaqësuese e vlerave të disiplinës ndaj punës, integritetit dhe atdhedashurisë.
280 kadetë, mes të cilëve 261 shqiptarë, 11 serb, 4 boshnjak, 2 egjiptian e 2 turq, i përbashkon misioni e qëllimet e njëjta. Ju jeni këtu jo vetëm për t’u diplomuar, por për t’u betuar që do ta përfaqësoni këtë uniformë duke e lartësuar historinë e saj dhe të vendit tonë, e duke dhënë betimin për të punuar çdo ditë me profesionalizëm dhe integritet, në interes të vendit tonë.
E në këtë mision, do ta keni përherë Qeverinë tonë përkrah. Që nga fillimi i mandatit qeveritar, bashkë me ju që po diplomoni sot, 7 gjenerata kadetësh me gjithsej 2,755 pjesëtarë të rinj policorë janë diplomuar, duke e tejkaluar edhe zotimin tonë për shtimin e radhëve me 2000 policë.
Përgjatë mandatit e kemi rritur mbi 50% buxhetin për Policinë e Kosovës në krahasim me vitin 2021: nga rreth 90 milionë, në tash më shumë se 150 milionë.
Kemi investuar edhe në pajisje policore logjistike e automjete si dhe ngritur e rregulluar stacione të Policisë përfshirë edhe në veriun e vendit. Mbështetjen institucionale të munguar, e kemi kthyer në vëmendje të merituar ndaj Policisë dhe përkrahje të domosdoshme e të parezervë.
Edhe në matjet e opinionit publik, Policia reflekton besimin e lartë të qytetarëve ndaj përgjegjësisë dhe integritetit të policëve. Këtë e thonë statistikat e UNDP-së ku Policia perceptohet si institucioni më pak i korruptuar, shumë më pak se mekanizmat e tjerë të rendit dhe ligjit, ndërsa në matjet e vitit të kaluar të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), mbi 60% e qytetarëve kanë besim të lartë e 89% besim në Policinë e Kosovës, përsëri shumë më shumë se mekanizmat e tjerë të rendit dhe ligjit.
Një situatë e tillë natyrisht se sjell shumë më shumë përgjegjësi e obligim për secilin prej jush, por njëkohësisht ju bën edhe objektiv të të gjithë atyre që me vullnet i janë bashkuar luftës hibride kundër shtetit tonë dhe institucioneve kryesore të saj. Andaj prej jush kërkohet që të jeni vazhdimisht syçelë, të disiplinuar dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave me të cilat do të ngarkoheni tash e tutje. Përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës bazuar në raste të izoluara, tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës e kërcënim ndaj institucioneve të saj të respektuara si Policia.
Të dashur kadetë,
Nga sot, nga momenti i betimit, ju do t’i shërbeni shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe do të mbroni ligjet e Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal, le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj për sa kohë do ta mbani të veshur këtë uniformë, duke u frymëzuar edhe në jetën e kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës.
Nderoni veten, familjarët e më të dashurit tuaj që po iu mbështesin dhe i keni afër jush këtu. Sot udhëhiqeni nga shembujt e së kaluarës, që nesër të bëheni vetë ju shembull për gjeneratat që do të vijnë. Sepse figura e policit është fisnike dhe përbashkon respektin dhe vetëdijen. Ju takon juve që ta vazhdoni këtë mision, e të shërbeni drejtë dhe dinjitetshëm.
Ju uroj shumë suksese dhe rrugëtim të mbarë!