Luksemburg, 7 korrik 2025
Kosova dhe Luksemburgu kanë nënshkruar ditën e sotme Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy shteteve. Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministri njëherësh ministër për Punë të Jashtme, Shkëmbim Tregtar dhe Bashkëpunim të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Përmes kësaj marrëveshjeje Luksemburgu do të vazhdojë të rrisë mbështetjen e tij financiare për Kosovën. Për periudhën 2026-2030 kjo mbështetje do të arrijë vlerën prej 50 milionë euro, krahas 35 milionë eurove në marrëveshjen paraprake.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të takimit të 10-të bilateral Kosovë-Luksemburg. Ajo përfshin si prioritete dhe sektorë kyç shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm, shëndetësinë, rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe fuqizimin e shoqërisë civile të Kosovës.




