Deklarata e përbashkët e Liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Samiti në Shkup për Planin e Rritjes

Në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dje në Shkup, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me liderët dhe përfaqësuesit e tjerë të gjashtëve vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6), riafirmoi angazhimin e përbashkët për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si një hap përpara në përshpejtimin e reformave dhe mundësimin e integrimit gradual në Tregun Unik të Bashkimit Evropian, duke përshpejtuar kështu procesin e anëtarësimit në BE.

Gjatë Samitit për Planin e Rritjes, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e sigurisë si parakusht për zhvillim, si dhe mbështetjen për bashkëpunimin rajonal dhe për Planin e Rritjes.

Deklarata e Përbashkët, e miratuar gjatë Samitit, nënvizon nevojën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, përmirësimin e qasjes në instrumentet financiare të BE-së, lehtësimin e tregtisë, integrimin e zinxhirëve industrialë të furnizimit dhe avancimin e tranzicionit digjital dhe energjetik në përputhje me standardet e BE-së. Këto përparësi synojnë të nxisin ndryshimin socio-ekonomik në të gjithë rajonin, duke forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Liderët mirëpritën fushat e reja prioritare të përcaktuara në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë nismën “Autostrada e Tregut Unik”. Brenda kësaj nisme, Kosova ka identifikuar sektorin e mbrojtjes, bujqësinë dhe përpunimit të ushqimit dhe sektorin e teknologjisë si fusha strategjike për investime.

Deklarata e Përbashkët reflekton gjithashtu parime kyçe, përfshirë atë se anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritë; se të gjitha vendet e BP6 duhet të kenë qasje në programet dhe institucionet e BE-së; se marrëveshjet e kaluara rajonale brenda Procesit të Berlinit – si ato për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe letërnjoftimeve – duhet të zbatohen plotësisht; dhe se CEFTA duhet të funksionojë përmes një Sekretariati funksional dhe transparent, një objektiv që përputhet me Kryesimin e Kosovës me CEFTA-n në vitin 2025.

Në samit u pajtuam që vendtakimi i radhës i liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të jetë Tirana.

Deklaratën e plotë të Përbashkët mund ta gjeni këtu:https://vlada.mk/node/39400?ln=sq

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors