Fjala e Kryeministrit Kurti në Takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian

Shkup, 1 korrik 2025

I nderuari Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski,
E nderuara Komisionere për Zgjerim, znj. Marta Kos,
Të dashur kolegë nga rajoni,
Të dashur përfaqësues të organizatave rajonale,
Më lejoni fillimisht ta falënderoj Kryeministrin Mickoski që na solli përsëri, për herë të dytë në Shkup për të diskutuar Planin e Rritjes.

Plani i Rritjes i BE-së është përgjigjja e duhur për të përshpejtuar reformat. Ne kemi nevojë për investime të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE-së, dhe kemi nevojë për qasje në financim që përputhet si me ambicien tonë për reforma ashtu edhe me progresin tonë demokratik dhe vlerat e përbashkëta. Po, Plani i Rritjes premton më shumë fonde sesa ofron aktualisht IPA, por ne mund të bëjmë më shumë. BE-ja mund dhe duhet t’i rrisë fondet, dhe ne mund dhe duhet të përshpejtojmë reformat.

Për ta vënë këtë në perspektivë, më lejoni të përdor shembullin e Kroacisë, mikut dhe partnerit tonë shumë të mirë, dhe një model reforme në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Midis viteve 2014 dhe 2020, Kroacia mori afërsisht 12 miliardë euro nga fondet e BE-së, mesatarisht rreth 1.7 miliardë euro në vit. Për dallim me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) që morën së bashku rreth 600 milionë euro në vit, ose afërsisht 4 miliardë euro gjatë periudhës së njëjtë.

Në bazë të të ardhurave për kokë banori, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor morën më pak se 9% të asaj që mori Kroacia. Argumenti që dua të theksoj është ky: nëse duam të arrijmë anëtarin më të ri të BE-së, do të nevojiten shumë më tepër fonde nga BE-ja dhe se fondet duhet të lidhen me rregullat dhe vlerat e BE-së.

Gjithashtu, parimi udhëzues duhet të jetë që, për atë që jemi të obliguar njësoj të ndërmarrim reforma, duhet të jemi në pozicione të barabartë për të përfituar prej tyre. Kjo do të thotë qasje në programe dhe instrumente që mundësojnë reforma dhe rritje. Kosova ende nuk ka qasje në programe kyçe për tregti, siç është Konventa e Tranzitit të Përbashkët dhe organizatat e standardizimit të BE-së, siç është Komiteti Evropian për Standardizim/Komiteti Evropian për Standardizim Elektroteknik (CEN/CENELEC). E njëjta vlen edhe për qasjen në financimin e tranzicionit të gjelbër. Na mungon qasja në financimin klimatik, dhe masat e padrejta dhe të dëmshme të BE-së kanë vonuar projektet dhe kanë bllokuar reforma në fushat e energjisë dhe rritjes, gjë që shkon kundër vetë logjikës së Planit të Rritjes.

Që nga takimi ynë i fundit në Kotor të Malit të Zi, kemi miratuar një Plan të ri Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), kemi rënë dakord të rishikojmë Agjendën e Gjelbër, kemi zhbllokuar CEFTA-n dhe kemi nënshkruar shumë vendime mbi Komitetin e Përbashkët të CEFTA-s, si dhe kemi nënshkruar një marrëveshje të re mbi Qasjen në Studime në kuadër të Procesit të Berlinit.

Më vonë këtë vit, Londra do të na mirëpres për Procesin e Berlinit. Edhe pse është tunduese të bërë zotime të reja, së pari duhet të përmbushim ato që që tashmë kemi bërë. Marrëveshja mbi diplomat është thelbësore për mobilitetin e punëtorëve, sikurse. Marrëveshja për letërnjoftimet që është për lirinë e lëvizjes. Pas vendimit tonë për të hequr vizat për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, midis janarit dhe qershorit të këtij viti, numri i qytetarëve që kalojnë kufirin nga Bosnje dhe Hercegovina në Republikën e Kosovës u rrit nga disa qindra në gati dhjetë mijë. Meqenëse boshnjakët tani mund të udhëtojnë lirshëm në Kosovë, edhe qytetarët tanë duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sa i përket Planit të Rritjes, ne mbështesim propozimet mbi Turizmin, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Autostradën e Tregut të Përbashkët. Ne mbështesim fuqishëm zhvendosjen e prodhimit dhe shërbimeve në vendet e afërta (nearshoring), e të cilat duhet të jenë edhe miqësore e të besueshme (friendly shoring) dhe e shohim atë si një mundësi të shkëlqyer jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për BE-në gjithashtu.

Ne shohim potencial për bashkëpunim në sektorët e mëposhtëm:

  1. Shërbimet dixhitale konkurruese, duke përfshirë zhvillimin e softuerëve, sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e strukturuara;
  2. Sektorin e mbrojtjes; dhe
  3. Bujqësi dhe përpunimi të ushqimit.

Ne kemi përparuar në fushat e identifikuara më herët të Shtyllës së parë dhe po vazhdojmë punën tonë. Deri më sot, ne kemi:

  • Inauguruar dy pika të përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut, një në “Hani i Elezit – Bllacë” më 12 prill dhe të dytën “hyrje-hyrje” në “Glloboçicë–Jazhincë” më 28 maj. Një pikë e përbashkët kontrolli kufitar me Shqipërinë në Vermicë është gjithashtu plotësisht funksionale. Ne duam më shumë korsi të gjelbra – të sigurta dhe të mbrojtura, të cilat na mundësojnë të lëvizim dhe të tregtojmë më shpejt.

-Kemi përfunduar kornizën legjislative për aplikim për Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA) dhe kemi dorëzuar para-aplikimin. Do të mirëprisnim shqyrtimin dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mund të vazhdojmë me finalizimin e aplikimit tonë sapo të bëhet e mundur.

  • Sistemi ynë kombëtar i identifikimit elektronik, i modeluar sipas atij të Bashkimit Evropian, përkatësisht Portofolit Digjital të Identitetit, është duke u pilotuar, e cili ofron autentifikim elektronik, nënshkrime, vula dhe një portofol digjital. Shtatori është afati i fundit kur planifikojmë ta lansojmë.
  • Identifikuam 34 komuna për të përfituar nga nisma WIFI4WB. Shquhemi në fushën e digjiitalizimit dhe jemi kampion në mbulueshmëri me internet të shpejtë.
  • Ne përgëzojmë propozimin e BE-së për Marrëveshjen mbi Vlerësimin e Konformitetit. Sigurisht, produktet e akredituara dhe të shënuara në përputhje me rregulloren e BE-së duhet të pranohen brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor
  • Programi i Qendrave të Inovacionit Digjital e ka njohur Qendrën tonë të parë Evropiane të Inovacionit Dixhital (EDIH) – një qendër e madhe rajonale për sipërmarrjen, inovacionin dhe zhvillimin e aftësive, e vendosur në një vend prej 40 hektarësh të ish-kampi ushtarak i KFOR-it në periferi të qytetit të Prizrenit.

Si i Kryesues të CEFTA-s, po punojmë për të çuar përpara proceset e vonuara prej kohësh që do ta bëjnë CEFTA-n më efikase dhe të barabartë me të gjithë anëtarët. Aktualisht jemi në proces të zgjedhjes së Drejtorit të ri të CEFTA-s, por siç e kam thënë më parë, organizatat rajonale kanë nevojë për një plan reformash.

Shumë energji, kapital politik dhe burime administrative po shpenzohen për zgjedhjen e drejtorëve dhe sekretarëve në vend që të arrijmë rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Funksionalitetin dhe profesionalizmin në forumet rajonale do të përmirësonte ndjeshëm një sistem rotacioni për pozita të nivelit të lartë, së bashku me rekrutimin e targetuar në niveli të stafit dhe një shpërndarje më të drejtë të selive dhe aktiviteteve.

Më lejoni që shkurtimisht të trajtoj në fund çështjet e sigurisë, të cilat janë një parakusht për rritje. Si rajon, ne nuk jemi të izoluar nga peizazhi gjeopolitik global. Lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të kërcënojë sigurinë evropiane, teksa tensionet në Lindjen e Mesme kontribuojnë edhe më tej në paqëndrueshmërinë globale. Ne mirëpresim veprimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore. Bota është padyshim më e sigurt pa arsenale bërthamore në duart e regjimeve autoritare.

Takimi ynë sot vjen vetëm disa ditë pas Samitit të NATO-s në Hagë, ku u riafirmua angazhimi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Bruto Prodhimit Vendor. Ne e mirëpresim këtë angazhim. Është një hap i nevojshëm si për të mbrojtur aleancën euroatlantike ashtu edhe për të frenuar regjimet autokratike nga provokimi i konflikteve të mëtejshme. Një Evropë më e fortë është një Evropë që mund të mbrojë veten.

Ju faleminderit shumë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors