Prishtinë, 5 qershor 2025
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,
Sot kemi një mbledhje jo shumë të gjatë, por nga e cila do të dalim me lajme shumë të mira.
Sepse qeveria e mirë, sjell lajme të mira. Qeverisja jonë e mirë po vazhdon me politika që kanë në qendër mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.
Po e nisim me lajmin e mirë për të gjitha nënat e reja.
Qysh në fillim të mandatit qeverisës, siç kishim premtuar, filluam skemën e shtesave për gratë lehona në nivel të pagës minimale – gjashtë (6) muaj nga 170 euro për lehonat e papunësuara dhe tre (3) muaj nga 170 euro për lehonat e punësuara, mbi pagesën që veçse e marrin sipas Ligjit të Punës. Deri më tani, rreth 70 mijë nëna të reja kanë përfituar nga këto shtesa.
Meqë tash e kemi edhe pagën minimale të re, është koha që kjo të reflektohet edhe në shtesat për gratë lehona.
Sot, në mbledhjen e 261-të të Qeverisë, do të miratojmë rritjen e vlerës mujore të shtesave nga 170 euro në 325.9 euro – aq sa është vlera neto e pagës minimale të re.
Pra, për të gjitha nënat lehona, që nga ky muaj, shtesa mujore do të rritet në 325.9 euro. Kjo përbën një rritje prej 91.7%, apo gati dyfishim të shtesave.
Për gjashtë (6) muaj, shtesa e rritur përkthehet në 1,955.4 euro, dhe kur kësaj i shtojmë edhe shtesën mujore për fëmijën, që është së paku 20 euro në muaj, apo 120 euro për gjashtë (6) muajt e parë, atëherë efektivisht del se Qeveria mbështet secilën nënë të re me 2,075.4 euro.
Pra, për çdo fëmijë të lindur, mbështetja e Qeverisë vetëm për gjashtë (6) muajt e parë e tejkalon vlerën prej 2 mijë eurosh.
Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Me këtë nivel mbështetjeje, mund të krahasohemi me shumë shtete të tjera më të mëdha e të forta ekonomikisht sesa ne.
Lajmi tjetër i mirë është për gratë lehona të punësuara.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë javë, ka publikuar nivelin e pagës mesatare për vitin 2024, e cila ka shënuar rritje të theksuar viteve të fundit, duke arritur në 639 euro.
Krahas kësaj, ne sot do të miratojmë pagën mesatare referuese, e cila shërben për përllogaritjen e pagesës për tre (3) muaj në nivelin 50% të pagës mesatare – që është obligim i Qeverisë për secilën lehonë të punësuar.
Pra, përveç pagesës prej 70% për gjashtë (6) muaj nga punëdhënësi, lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje për tre (3) muajt të tjerë nga Qeveria në vlerën prej 319.5 euro – që është 50% e pagës mesatare. Krahasuar me nivelin aktual prej 223 euro, mbështetja e re paraqet një rritje prej 43.3%.
Thënë ndryshe, secila lehonë e punësuar, përveç pagesës nga punëdhënësi, do të ketë tre (3) muaj pagesë të pushimit të lehonisë nga Qeveria në vlerë prej 319.5 euro në muaj, si dhe – në kuadër të skemës së shtesave për lehona – edhe tre (3) muaj të tjerë nga 325.9 euro në muaj. Kur kësaj i shtohen edhe shtesat mujore për fëmijë, rezulton se edhe lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje mbi 2 mijë euro nga Qeveria, qysh në nëntë (9) muajt e parë pas lindjes, përveç pagesës që marrin nga punëdhënësi, që është 70% e pagës për gjashtë (6) muaj.
Lajmi i tretë i mirë është për shërbyesit publikë.
Ashtu siç e kemi thënë dhe siç e kemi miratuar në Ligjin e Buxhetit, pagat e shërbyesve publikë këtë vit rriten dy herë nga 55 euro, për të kompletuar rritjen prej 110 euro për të gjithë. Rritja e parë tashmë ka filluar së zbatuari që nga janari i këtij viti. Rritja e dytë do të fillojë së zbatuari nga muaji korrik, siç është e paraparë me Ligjin e Buxhetit. Sot do të marrim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore shtesë për të gjitha organizatat buxhetore, që të mbulohet kostoja e kësaj rritjeje. Pas përgatitjeve teknike, zbatimi i fazës së dytë të rritjes do të fillojë të aplikohet muajin e ardhshëm – dhe kështu, pagat mujore për zyrtarët publikë, për mbi 80 mijë zyrtarë publikë, do të jenë 110 euro më të larta sesa ishin në dhjetor të vitit 2024.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar paga mesatare në sektorin publik ishte 755 euro. Me këtë rritje të fundit, që do ta miratojmë së bashku sot, paga mesatare që nga muaji i ardhshëm do të arrijë në 865 euro në muaj. Kjo paraqet një rritje prej 48.1% krahasuar me pagën mesatare prej 584 euro të vitit 2019 – viti i fundit para pandemisë.
Ju falemnderit.