Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Kroacisë

Prishtinë, 27 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në eventin e organizuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë.

Kryeministri Kurti theksoi në fjalën e tij se shtetet tona janë aleatë në paqe, demokraci, në rrugën dhe fatin e përbashkët evropian. Gjithashtu, ai përmendi edhe komunitetin kroat në Kosovë dhe diasporën shqiptare në Kroaci për të cilat tha se të dyja shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona.

“Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella – të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj – politike, morale dhe praktike – ka qenë e palëkundur që atëherë. Për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës.” tha kryeministri.

Në këtë ditë të rëndësishme për popullin dhe shtetin kroat, kryeministri shprehu në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet për Presidentin Zoran Milanović, Kryeministrin Andrej Plenković dhe të gjithë qytetarët kroatë.

Në fund, kryeministri theksoi se së bashku, mund të kontribuojmë për një rajon të lirë, demokratik dhe të ankoruar fort në vlerat euroatlantike, duke shtuar se do të vazhdojmë të thellojmë lidhjet tona dypalëshe në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia Juaj, Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Danijela Barišić, ambasadore e Republikës së Kroacisë në Kosovë,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra, deputetë të Kuvendit,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të korit diplomatik,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Është një nder i madh dhe një kënaqësi e sinqertë të qëndroj sot para jush, teksa jemi mbledhur për të festuar Ditën e Shtetësisë së Republikës së Kroacisë.
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të përzemërta popullit kroat — Presidentit Zoran Milanović, Kryeministrit Andrej Plenković dhe të gjithë qytetarëve kroatë, si në vend ashtu edhe jashtë tij.

Kjo ditë nuk shënon vetëm themelimin e shtetësisë moderne të Kroacisë, por edhe vullnetin e qëndrueshëm të një populli krenar për të përcaktuar të ardhmen e vet, për të jetuar në liri dhe për të kontribuar për paqen dhe begatinë e rajonit tonë.

Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella — të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj — politike, morale dhe praktike — ka qenë e palëkundur që prej asaj kohe. Për këtë, jemi thellësisht mirënjohës.

Sot festojmë shtetësinë tuaj, por edhe partneritetin që na bashkon. Jemi aleatë në paqe, në demokraci dhe në rrugëtimin tonë të përbashkët evropian. Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe NATO është një frymëzim për Kosovën — një dëshmi e asaj që është e mundur kur një komb udhëhiqet nga parimet e lirisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor.

Jemi gjithashtu krenarë për komunitetin kroat në Kosovë dhe për diasporën shqiptare të Kosovës në Kroaci — të dyja shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.

Teksa shikojmë përpara, le të vazhdojmë të thellojmë lidhjet tona dypalëshe — në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje. Së bashku, mund të kontribuojmë për një rajon të lirë, demokratik dhe të ankoruar fort në vlerat euroatlantike.

Edhe një herë, gëzuar Dita e Shtetësisë popullit kroat. Qoftë vendi juaj gjithnjë në paqe, unitet dhe përparim.

Faleminderit! Hvala lijepa!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors