Prishtinë, 27 maj 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mori pjesë në hapjen e edicionit të 25-të të Panairit AGROKOS & Agroturizëm 2025, në Sallën “1 Tetori”.
Duke e vlerësuar të rëndësishëm hapjen e panairit, si për sektorin bujqësor ashtu edhe për zhvillimin rural në Kosovë, kryeministri Kurti tha se në këtë ngjarje të përvitshme përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit – si dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë.
Në fjalën hyrëse, ai përmendi se në tri vitet e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrit tejet të suksesshëm Faton Peci, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të fuqizuar këtë sektor jetik.
“Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%”, tha kryeministri, duke shtuar se po ashtu janë rehabilituar sisteme ujitjeje për mbi 11 mijë hektarë dhe është rritur për 50% toka e punueshme bujqësore për vetëm katër vjet – nga rreth 80 mijë hektarë në mbi 120 mijë hektarë. Ai gjithashtu nënvizoi uljen e importit dhe rritjen e eksporteve: nga viti 2019 deri më sot, eksporti i domateve, zarzavateve dhe perimeve të konservuara është shumëfishuar. Sa i përket blegtorisë, theksoi se janë mbi 13 milionë euro për ndërtimin e 93 stallave të reja, shtimin e mbi 2,000 krerëve gjedhe dhe blerjen e dhjetëra traktorëve.
Kryeministri tha se të gjitha këto nuk janë vetëm të dhëna – janë dëshmi se Kosova po punon për një bujqësi moderne, të drejtë dhe të qëndrueshme. “Sot, më shumë se kurrë, bujqësia nuk është sektor i së shkuarës, por i së ardhmes sonë ekonomike. Në këtë rrugëtim, partneriteti me ju – fermerët, agrobizneset, investitorët dhe organizatat zhvillimore – është çelësi i suksesit tonë të përbashkët”, tha ai.
Kryeministri iu uroi organizatorëve dhe pjesëmarrësve hapjen e panairit, duke u dëshiruar suksese dhe sa më shumë bashkëpunime nga ky panair.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar organizatorë, Bekim Xhafa dhe Albona Demaku,
Përgëzime për këtë 25-vjetor, për këtë përvjetor jubilar të punës suaj të palodhshme e të pandalshme e aq shumë të çmuar, jo vetëm për komunitetin e biznesit dhe ekonominë, por edhe për gjithë emancipimin tonë shoqëror lidhur me zhvillimin ekonomik dhe përparimin e gjithanshëm.
E nderuara ministre Rozeta Hajdari, e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari ushtrues detyre i drejtorit të KIESA-s, z. Zef Dedaj,
Të dashur fermerë, agrobiznese, përfaqësues të institucioneve,
Të pranishëm vendorë e ndërkombëtarë,
Sot kemi kënaqësinë të hapim një ngjarje fort të rëndësishme për sektorin bujqësor dhe për zhvillimin rural në Kosovë – Panairin AGROKOS & Agroturizëm 2025. Në këtë ngjarje të përvitshme përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit – si dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë.
Në tri vitet e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrit tejet të suksesshëm Faton Peci, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të fuqizuar këtë sektor jetik.
Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%.
Janë rehabilituar sisteme ujitjeje për mbi 11 mijë hektarë dhe është rritur për 50% toka e punueshme bujqësore për vetëm 4 vjet. Nga rreth 80 mijë hektarë në mbi 120 mijë hektarë.
Ulja e importit dhe rritja e eksporteve flet qartë: nga viti 2019 deri më sot, eksporti i domateve, zarzavateve dhe perimeve të konservuara është shumëfishuar. Prodhimi vendor dhe konkurrueshmëria e produkteve tona në tregje të huaja është rritur.
Në blegtori kemi ndarë mbi 13 milionë euro për ndërtimin e 93 stallave të reja, shtimin e mbi 2,000 krerëve gjedhe dhe blerjen e dhjetëra traktorëve.
Digjitalizimi, transparenca dhe lufta kundër Korrupsionit po ashtu kanë qenë prioritete në çdo hap – nga matrikullimi i kafshëve, deri te monitorimi i pyjeve me dronë, me kamera dhe me GPS.
Për herë të parë janë kthyer në pronësi të shtetit prona me vlerë miliona euro, të cilat më parë ishin tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Kemi kthyer besimin te ligji, te drejtësia dhe te mbrojtja e pasurisë publike. 30.000 fermerë në baza vjetore janë dëshmitarë përfitues të angazhimit të ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi.
Të nderuar të pranishëm,
Të gjitha këto nuk janë vetëm të dhëna – janë dëshmi se Kosova po punon për një bujqësi moderne, të drejtë dhe të qëndrueshme. Sot, më shumë se kurrë, bujqësia nuk është sektor i së shkuarës, por i së ardhmes sonë ekonomike.
Në këtë rrugëtim, partneriteti me ju – fermerët, agrobizneset, investitorët dhe organizatat zhvillimore – është çelësi i suksesit tonë të përbashkët.
Ju falënderoj për besimin dhe punën tuaj. Urime hapja e panairit dhe suksese gjithnjë më të mëdha nga bashkëpunimet të cilat do të lindin edhe prej këtu!
Ju falemnderit.


































