Prishtinë, 28 maj 2012
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur Ministrin e Ministrisë së Ndërtimit dhe Planifikimit Fizik të Republikës së Kroacisë, Ivan Vrdoljak.
Me këtë rast, Kryeministri Thaçi e informoi ministrin Vrdoljak lidhur me përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrushëm ekonomik të Kosovës, ku një ndër shtyllat kryesore padyshim se është edhe planifikimi hapësinor dhe mbrojtja e mjedisit.
Në këtë aspekt, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë reforma konkrete në hartimin dhe miratimin e legjislacionin bashkëkohor evropian në këto fusha, duke i hapur kështu mundësi zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit, duke respektuar kriteret dhe standardet evropiane të ndërtimit, të planifikimit hapësinor dhe të mbrojtjes së mjedisit në të njejtën kohë – theksoi Kryeministri Thaçi.
Forcimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Kroacisë në këto fusha me interes strategjik është i një rëndësie të veçantë – tha z.Thaçi dhe shtoi se në këtë drejtim forcimi i bashkëpunimit rajonal do të luajë një rol krucial në zbatimin e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane.
Ministri i Ministrisë së Ndërtimit dhe Planifikimit Fizik të Republikës së Kroacisë, Ivan Vrdoljak falënderoi Kryeministrin Thaçi për bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë dhe potencoi gatishmërinë e Qeverisë së Kroacisë që me përvojat e saj në fushën e planifikimit hapësinor dhe të ndërtimit të mbështesë Qeverinë e Kosovës për të pasur sukses të plotë në këto lëmi.
Last modified: 28 Maj, 2012