Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mbajti ligjëratë mbi demokracinë dhe krizat në Universitetin Brown të ShBA-së

May 20, 2022

 

Boston, 20 maj 2022

Një reflektim personal mbi demokracinë dhe krizat, ka bërë Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në ligjëratën e mbajtur para studentëve të Universitetit Brown, të organizuar nga Instituti Watson, në Rhode Island.

Duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend të lëvizjeve të mëdha progresive për liritë dhe të drejtat e njeriut, që shpesh burimin e kanë pasur nga studentët dhe universitetet amerikane, kryeministri Kurti ka thënë se edhe rrugëtimi i tij politik ka nisur para njëzet e pesë viteve, si student universiteti nga një padrejtësi që i bëhej popullit të tij në të drejtën për shkollim të dinjitetshëm.

Ai ka rikujtuar angazhimin në Unionin Studentor të Universitetit të Prishtinës, fillimin e bashkëpunimit me Adem Demaçin, si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arrestimin e tij nga regjimi i Millosheviqit dhe angazhimin politik pas daljes nga burgu, sërish si nevojë e një padrejtësie.

Në vazhdim të fjalës kryeministri Kurti ka shtjelluar idetë udhërrëfyese dhe veprimet e “Lëvizjes Vetëvendosje”, fillimisht si mosbindje civile ndaj pushtetit të mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nëse ndjenja e padrejtësisë ishte ajo që fillimisht më shtyu drejt aktivizmit politik, ajo që më udhëzon sot si Kryeministër i Republikës së Kosovës është ideali i një shërbyesi të mirë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar Qeveria është dashur të përballet menjëherë me shumë sfida të vështira, ku përfshihen pasojat e pandemisë COVID-19.

“E megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, ne arritëm të kemi një rritje ekonomike të paprecedentë prej 10.53% gjatë vitit të kaluar, një pjesë e konsiderueshme e së cilës u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve ndaj qeverisë sonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Lidhur me krizat e demokracisë në rajon, kryeministri ka thënë se “sa më demokratike të bëhen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, aq më të mëdha janë shanset për paqe afatgjatë dhe bashkëpunim ndërmjet kombeve në pjesën tonë të botës”.

“Me rrëshqitjen demokratike që po ndodh në sfondin e kërcënimeve kaq të mëdha ekzistenciale si ndryshimi i klimës dhe lufta bërthamore, rreziqet janë shumë të larta që ne të qëndrojmë pa vepruar”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Kurti.

Pas përfundimit të fjalës, ka pasuar një interaktivitet pyetjesh e përgjigjesh me studentët dhe publikun e pranishëm në auditoriumin e Universitetit Brown.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Universitetin Brown:

Të nderuar anëtarë dhe të ftuar të komunitetit të shquar akademik të universitetit Braun [Brown],

Zonja dhe zotërinj,

Është nder dhe privilegj të flas me ju sot. Ky vend ka prodhuar disa nga lëvizjet shoqërore më frymëzuese në historinë politike moderne, nga abolicionizmi dhe feminizmi i hershëm i shekullit të 19-të tek lëvizja e të drejtave civile të shekullit të 20-të, e gjer te betejat e sotme për barazi dhe dinjitet. Për më tepër, shteti juaj amë, Rhode Island, njihet gjithashtu për traditën e vet të pavarësisë dhe mosbindjes, duke pasur për themelues një disident dhe mendimtar të lirë si Roger Williams, i cili u dëbua nga Kolonia e Gjirit të Massachusetts për shkak të mbrojtjes së fuqishme që i bëri lirisë së ndërgjegjes. Edhe më afër shtëpisë, universitetet elitare amerikane si ky i juaji kanë qenë shpesh në ballë të ndryshimeve progresive shoqërore. Si dikush që e filloi aktivizmin e tij politik si student universiteti, ky është një vend veçanërisht i përshtatshëm për mua për të thënë disa fjalë mbi temën e demokracisë dhe krizës.

Unë u nxita në angazhim politik rreth njëzet e pesë vjet më parë nga një ndjenjë e padurueshme e padrejtësisë. Në Kosovën e aparteidit të viteve 1990, ishte e vështirë të ishe një qenie njerëzore e të mos goditeshe nga një ndjenjë e thellë indinjate për atë që po ndodhte. Ndonëse asnjë shqiptar kosovar nuk gëzonte ndonjë privilegj në atë kohë, qoftë edhe një shkallë e vogël privilegji relativ e bënte njeriun të ndjente përgjegjësi shoqërore. Si student universiteti me prejardhje nga klasa e mesme, ndjeva se nuk mund të rrija duarkryq e megjithatë të mund ta shikoja veten në pasqyrë. Dhe kështu nisi . . . Fillimisht iu bashkova Unionit të Pavarur Studentor të Universitetit të Prishtinës, organizatës studentore që punonte për t’i dhënë fund diskriminimit të tmerrshëm ndaj studentëve shqiptarë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Shumë shpejt pas kësaj, u ftova nga i ndjeri Adem Demaçi (apo Baci siç e thërrisnim me dashuri ne në Kosovë) që t’i bashkohesha si ndihmës në rolin e tij të sapomarrë si përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ftesën e pranova me kënaqësi. (Vlen të theksohet këtu se Demaçi po merrte përsipër këtë rol të ri pasi kishte vuajtur tre dënime me burg, të cilat bënë gjithsej 28 vite të kaluara në disa prej burgjeve më të tmerrshme jugosllave.) Kjo eskpeditë e parë e imja në aktivitet politik përgjatë kohës së luftës përfundoi me arrestimin tim nga regjimi i Millosheviqit më 27 prill 1999, një muaj pas fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë.

Pas dy vjetësh e gjysmë si i burgosur politik, u lirova në dhjetor të vitit 2001. Me të dalur nga burgu i tretë në vitin 1990, Demaçi deklaroi se ishte liruar nga burgu i vogël jugosllav në “burgun e madh” të quajtur Kosovë. Pas lirimit tim nga burgu, ndërkaq, unë zbulova se isha liruar në një “spital të madh”. Më dukej sikur “burgu i madh” i Demaçit ishte zëvendësuar me “spitalin e madh”. Kosova e pasluftës u reduktua në atë që Giorgio Agamben e ka teorizuar si “gjendje e jashtëzakonshme”, një territor i papërcaktuar i drejtuar nga një administratë ndërkombëtare jollogaridhënëse që i trajtonte kosovarët si një tufë pacientësh pa aftësinë për vetëvendosje. Edhe një herë, një ndjenjë e padrejtësisë do të më shtynte në veprim politik. Së bashku me një grup shokësh, disa prej tyre ish të burgosur politikë si unë, fillimisht u bëmë bashkë në Kosova Action Network (KAN) dhe më pas, në qershor të vitit 2005, themeluam “Lëvizjen Vetëvendosje”. Kur hedh shikimin prapa tek disa nga tiparet kryesore të sipërmarrjes sonë politike, dy ide udhërrëfyese më bien në sy si veçanërisht të rëndësishme: (1) veprimi përpara organizatës dhe (2) veprimi reflektues i drejtuar ndaj strukturave që do transformuar. Më lejoni ta shtjelloj secilin me radhë.

Ne filluam të përfshiheshim në akte të mosbindjes civile përpara se të kishim një organizatë të mirëfilltë. Organizata ishte rezultat i grumbulluar i veprimeve tona, jo paraardhësja e tyre. Identiteti ynë si grup u farkëtua në veprime kolektive, përmes të cilave ne vendosnim trupat tanë aty ku ishin fjalët dhe bindjet tona. Veprimet e tilla ndonjëherë përfshinin shkelje simbolike të ligjit; kjo është thjesht pjesë e përkufizimit të mosbindjes civile. Për shembull, ne shkruanim sllogane politike në ndërtesat qeveritare ose në makinat e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Edhe më me rëndësi, ne organizonim protesta masive paqësore, duke deklaruar kështu se nuk jemi pacientë në spital, por agjentë të lirë, të vetëvendosur. Duke vepruar kështu, ne po pretendonim të drejtat themelore civile (siç është e drejta e tubimit paqësor) që ideologjia sunduese e kohës po na i mohonte. Në këtë drejtim, ne ishim thjesht studentë të mirë të historisë së përpjekjeve çlirimtare gjithandej botës: të drejtat nuk duhen pritur si dhuratë nga sundimtarët; përkundrazi, ato duhet të merren prej poshtë nga të nënshtruarit. Liria duhet kuptuar si çlirim. Ne bëhemi të lirë vetëm duke zgjedhur të veprojmë lirshëm, ose siç thoshte Imanuel Kanti, “ne nuk piqemi drejt lirisë përveçse nëpërmjet përpjekjeve tona (të cilat mund t’i bëjmë vetëm kur jemi të lirë)”. Duke vënë veprimin përpara organizatës, ne po manifestonim këtë të vërtetë themelore të historisë së transformimeve shoqërore. Një virtyt shtesë i kësaj mënyre të të vepruarit është se na mbron nga rreziqet e burokracisë. Një organizatë e fortë dhe e ngurtë tenton të ndrydhë veprimin krijues politik duke e zhvendosur vëmendjen te zyrat dhe shpërndarja e pushtetit. Si rezultat, në vend të të qenit përmes të bërit (karakteristikë e vokacionit të aktivistit politik), burokracia promovon të qenit përmes të pasurit. Një burokrat ka terrene për të mbrojtur dhe zyra për të mbajtur. Por siç keni mësuar nga profesorët tuaj të mirë, sa më shumë të kesh, aq më pak je.

Aspekti tjetër i rëndësishëm i mënyrës se si ne i bënim gjërat ishte këmbëngulja në aksion reflektues që shënjestron strukturat që do transformuar – gjë që nganjëherë shenjohet me fjalën greke “praxis”. Theksi këtu bie në “reflektues”. Vënia e veprimit përpara organizatës mbart rrezikun e rënies në grackën e aksionizmit – domethënë të veprosh pa mend, vetëm për hir të veprimit. Mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga ky ves është përmes institucionalizimit të diskutimit gjithëpërfshirës dhe vetëkritikës radikale. Ndaj, që nga dita e parë, lëvizja jonë u përpoq të krijonte një atmosferë diskutimi dhe hulumtimi kolektiv ku nuk do kishte vend për ide të shenjta apo personalitete të pagabueshme. Nëse veprimi ynë do të ishte i suksesshëm në transformimin e shoqërisë, do të bënim mirë të siguroheshim që ai bazohej në arsyetim të qëndrueshëm. Dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa duke ushqyer një frymë kritike të pamëshirshme, duke përfshirë këtu edhe vetëkritikën. Rrjedhimisht, përpara aksioneve tona ne gjithmonë rrahnim fort idetë me njëri-tjetrin, duke argumentuar me pasion për dhe kundër tyre. Thirrja për votim vinte vetëm në fund fare, pasi procesi i diskutimit të ishte shteruar plotësisht. Pas veprimeve tona në rrugë, ne mblidheshim për të reflektuar mbi atë që shkonte keq dhe mbi atë se çfarë mund të mësonim nga përvoja në vazhdim. Ne u përpoqëm të modelonim procesin tonë ciklik të të nxënit sipas procesit të hulumtimit shkencor. Ne trajtonim një ide të re ashtu si shkencëtarët trajtojnë një hipotezë shpjeguese të propozuar rishtazi – domethënë, fillimisht e ekspozonim atë ndaj një kritike gjithëpërfshirëse, pas së cilës, dhe duke supozuar se ideja i mbijetonte shqyrtimit fillestar për koherencë dhe besueshmëri të brendshme, ne testonim vlefshmërinë e jashtme të saj duke eksperimentuar me të në publik. Natyrisht, ndryshe nga eksperimentet shkencore, veprimet tona kishin një dimension të rëndësishëm moral: ato synonin të shërbenin si mjet përmes të cilit populli kosovar të fitonte një vetëdije kritike për gjendjen e vet. Në këtë kuptim, “eksperimentet” tona ishin edhe ushtrime në pedagogjinë kritike (à la Paulo Freire).

Nëse ndjenja e padrejtësisë ishte ajo që fillimisht më shtyu drejt aktivizmit politik, ajo që më udhëzon sot si Kryeministër i Republikës së Kosovës është ideali i një shërbyesi të mirë. Koncepti shërbëtor i lidershipit nënkuptohet nga vetë fjala latine që ne zakonisht e përdorim për t’iu referuar një departamenti qeveritar – d.m.th., ministri. “Ministrare” në latinisht do të thotë të shërbesh, që do të thotë se një ministër supozohet të jetë një shërbyes. Nga kjo mund të konkludojmë se përshkrimi i punës sime si kryeministër është të jem kryeshërbëtori i popullit të Kosovës. Më duhet të them se më pëlqen shumë ajo që sugjeron etimologjia latine në këtë rast. Një koncept shërbëtor i lidershipit na kujton se përfaqësimi demokratik nuk duhet të jetë një kontratë tjetërsimi. Në një demokraci, njerëzit nuk duhet të tjetërsojnë të drejtën e tyre të vetëqeverisjes tek liderët e tyre të zgjedhur, por ta delegojnë atë. Të jesh një delegat besnik do të thotë të jesh një shërbyes i mirë. Një udhëheqës shërbyes është i përulur dhe empatik, dëgjon në mënyrë aktive, komunikon drejtpërdrejt me njerëzit dhe në përgjithësi synon të udhëheqë përmes shembullit. Ndonëse rrënjët e krizave të ndryshme me të cilat përballet njerëzimi sot janë të shumta dhe të ndryshme, më duket se udhëheqja narciste dhe autoritare ka diçka të bëjë me telashet tona globale sot. Së këndejmi, mbase bota jonë ka nevojë për më shumë udhëheqje shërbyese.

Gjatë vitit të kaluar në qeverisje, jam përpjekur të realizoj këtë vizion kërkues të lidershipit. Qeverisë sime i është dashur të përballet menjëherë me shumë sfida të vështira, përfshirë pasojat e pandemisë COVID-19. E megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, ne arritëm të kemi një rritje ekonomike të paprecedentë prej 10.53% gjatë vitit të kaluar, një pjesë e konsiderueshme e së cilës u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve ndaj qeverisë sonë. Një besim i tillë u përkthye në investime më të mëdha, konsum më të madh dhe të hyra më të mëdha tatimore. Kjo tregon, më duket mua, se lidershipi shërbyes shpërblehet edhe në terma të prekshëm ekonomikë. Fitorja jonë dërrmuese elektorale më 14 shkurtit 2021 dëshmoi edhe një herë frymën demokratike të popullit tonë. Besoj se kjo do të kontribuojë në ripërtëritjen e besimit në procesin demokratik jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin. Sa më demokratike të bëhen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, aq më të mëdha janë shanset për paqe afatgjatë dhe bashkëpunim ndërmjet shteteve në pjesën tonë të botës.

Në botën e sotme, shumë po ankohen për gjendjen aktuale të politikës ndërkombëtare, dhe me të drejtë. Pikërisht kur bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë bërë kaq thelbësore për mbijetesën e qytetërimit njerëzor, duket sikur ne jemi bërë thuajse të paaftë për to. Megjithatë, për nga vetë natyra e saj, kriza është një shpatë me dy teha. Siç zbulojnë rrënjët greke të fjalës krizë, ajo është një pikë kthese përgjatë një sëmundje, por e mbarsur me mundësi. Nëse do ta përdorim mirë apo keq këtë mundësi varet tërësisht nga ne. Dëshpërimi nuk është një opsion, veçanërisht jo në këtë kohë të prapakthimit demokratik edhe në pjesë të Perëndimit të zhvilluar. Udhëheqësit autoritarë të krahut të djathtë po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin përtej kufijve ndërkombëtarë. Jo vetëm që ne demokratët duhet të bëjmë të njëjtën gjë, por duhet ta bëjmë më shpesh dhe shumë më mirë. Me prapakthimin demokratik që po ndodh në sfondin e kërcënimeve kaq të mëdha ekzistenciale si ndryshimi i klimës dhe lufta bërthamore, rreziqet janë shumë të larta që ne të qëndrojmë pa vepruar. Solidariteti ndërkombëtar midis të gjithë atyre që janë të përkushtuar ndaj demokracisë është një domosdoshmëri. Të bashkuar bëjmë ballë, të përçarë rrëzohemi.

Faleminderit për vëmendjen tuaj dhe mezi pres diskutimin tonë.

 

 

 

Last modified: July 31, 2022

Comments are closed.

×